ANALIZË: Shteti ka para por nuk investon, çfarë fshihet pas kësaj?

Niveli i ulët i realizimit të shpenzimeve kapitale në gjysmën e parë të vitit do të reflektohet  edhe mbi rritjen e përgjithshme ekonomike. Njëra nga arsyet për zbatimin e dobët të investimeve publike është ngadalësimi në projekteve të infrastrukturës, kryesisht ndërtimi i autostradave, por arsyeja duhet të kërkohet edhe në kapacitetin e administratës për t’i realizuar projektet – komentojnë një pjesë e ekonomistëve për “Portalb“-in, pasi të dhënat zyrtare të Ministrisë për Financa treguan se në fund të qershorit shpenzimet kapitale janë realizuar vetëm me 16.65%. A ka mundësi që në gjysmën e dytë të vitit të kompensohet ajo që nuk u realizua në gjysmën e parë?

“Bojkot” administrativ apo paqartësi politike – cili është shkaku?

Me nivelin e realizimit të shpenzimeve kapitale për gjysmën e parë të vitit prej 16.6%, është e qartë se beteja kryesore për ta kompensuar atë që është humbur do të zhvillohet në gjysmëvjetorin e dytë ekonomik, por është me rëndësi të gjinden arsyet për treguesit e këtillë, thonë ekonomistët. Para në thesarin e shtetit ka, por pse nuk janë shfrytëzuar? Një nga arsyet, sipas profesorit të universitar, Nikolla Popovski, ish-ministër i financave, duhet të kërkohet në kapacitetin administrativ.

Profesor Nikolla Popovski

“Zakonisht, shpenzimet kapitale janë dukshëm më të ulëta në muajt e parë të vitit. Problemi është se këtë vit ato janë jashtëzakonisht të ulëta dhe kjo tashmë paraqet problem për shkak se kjo çon në një situatë në të cilën deri në fund të vitit ato ndoshta nuk do të mund të realizohen në nivel të kënaqshëm dhe të projektuar vjetor prej rreth 393 milionë eurosh. Kjo do të ketë një reflektim përkatës edhe mbi rritjen ekonomike që tani është nivelin zero. Duke qenë se pjesa më e madhe e deficitit buxhetor përdoret pikërisht për financimin e tyre, është logjike që në gjysmën e vitit edhe deficiti të jetë shfrytëzuar minimalisht deri në nivelin prej 24.8 për qind, sepse nuk janë realizuar investimet publike. Me sa duket, institucionet të cilave u janë besuar programe dhe obligime për realizimin e shpenzimeve kapitale nuk u janë përkushtuar problemeve, e po ashtu ka dështuar edhe koordinimi i tyre. Kjo situatë nuk është në dobi të askujt në vend, as të sektorit publik që duhet të ofrojë më tepër të mira publike, e as për një pjesë të sektorit privat që bashkëpunon me sektorin publik dhe duhet të krijojë vlerë shtesë” – thotë profesori Popovski.

Portalb”-i më herët analizoi se me dinamikën aktuale të realizimit të investimeve publike, ka mundësi që edhe ky vit të jetë një nga vitet më të dobëta në aspekt ekonomik, pasi që pesë tremujorë radhazi përballemi me një stagnim të PBB-së.

“Duke pasur parasysh parametrat aktuale, do të isha i lumtur nëse deri në fund të vitit realizohen 30% e shpenzimeve kapitale. Këtë nuk e them rastësisht duke pasur parasysh se në skenën politike ende na presin ngjarje që ndikojnë mbi ekonominë – rikonstruimi i qeverisë, pastaj vijnë pushimet verore, e tani është duke u zgjidhur edhe kontesti për emrin, i cili dukshëm mund t’i ndryshojë konturat aktuale ekonomike. Qeveria aktuale ndoshta siguroi vazhdimësi në planifikimin e investimeve kapitale, por pyetja është nëse ato u bënë vetëm një përkushtimi deklarativ” – tha para do kohësh për “Portalb“-in, Mile Boshkov, kryetar i Konfederatës së biznesit të Maqedonisë.

Mile Boshkov, kryetar i Konfederatës së biznesit të Maqedonisë.
Mile Boshkov, kryetar i Konfederatës së biznesit të Maqedonisë.

Sipas institutit “Finance Think”, një nga arsyet për ngecjen e investimeve është aktiviteti i ngadalësuar infrastrukturor për ndërtimin e autostradave, të cilat janë në ndërtim e sipër, por një pjesë e të cilave problematizuan.

“Ngadalësimi i realizimit të investimeve kapitale kryesore të shtetit (kryesisht autostradave) është arsyeja kryesore për mosrealizimin e madh në gjysmën e parë të vitit 2018. Ky ngadalësim ka reflektim kyç mbi rritjen e përgjithshme ekonomike në Maqedoni, meqenëse investimet kapitale të vendit janë një përcaktues i rëndësishëm i ringjalljes së aktivitetit ekonomik. Megjithatë, mosrealizimi i shumës së paraparë në gjysmën e parë të vitit 2018, është nën nivelin e realizimeve të viteve të kaluara”, komentojnë nga instituti ekonomik.

A do të ringjallen investimet në gjysmëvjetorin e dytë?

Pritet që në gjysmëvjetorin e dytë të përshpejtohet ritmi i realizimit të investimeve publike, por duhet të marrë parasysh se realizimi i përshpejtuar mund të shkaktojë probleme pushtetit monetar, thotë profesori Popovski.

“Nëse ndodh që pjesa më e madhe e shpenzimeve për investimet publike të përqendrohen dhe të paguhen në fund të vitit, ka mundësi të krijohen edhe probleme përkatëse për pushtetin monetar, i cili mund të jetë i detyruar ta tërheqë likuiditetin e tepërt nga ekonomia për të cilën gjë do të paguhet çmim përkatës ekonomik”- thotë Popovski.

Nga Ministria e Financave presin që megjithatë në gjysmën e dytë të vitit të ketë rezultate pozitive.

“Presim një realizim më të fortë në gjysmën e dytë të vitit. Vitin e kaluar, pikërisht në 3 muajt e fundit të vitit, arritëm realizimin në nivelet më të larta historike të investimeve kapitale” – thonë nga ministria.

Sipas të dhënave që i analizoi “Portalb”-i, realizimi i investimeve kapitale është në nivele të ndryshme në vite të ndryshme buxhetore, dhe disa nga arsyet gjenden edhe te faktorët politikë.

Dinamika e realizimit të investimeve kapitale në përqindje:

Disa ekonomistë vlerësojnë se, pavarësisht pasigurisë politike që ende është e pranishme, e tani edhe për shkak të referendumit të paralajmëruar, ka mundësi të përshpejtohet ritmi i realizimit të investimeve publike.

“Me dinamikën e paraparë të zbatimit, si dhe duke marrë parasysh përvojat e mëparshme për përshpejtimin pak më të madh të realizimit të investimeve kapitale në fund të vitit, shuma e shfrytëzimit të investimeve kapitale do të arrijë deri në 40% të buxhetit fillestar” – vlerësojnë nga “Finance Think” dhe rekomandojnë:

“Të rishqyrtohet mënyra e projektimit të shpenzimeve kapitale. Të braktiset politika që në fillim qëllimisht të projektohen shuma më të larta të shpenzimeve kapitale. Të fillojë një debat i gjerë ndërmjet ekspertëve për qëllimin dhe efikasitetin e mjeteve të shpenzuara dhe caktimin adekuat të prioriteteve.”

Sipas kryeministrit Zoran Zaev, situata politike është stabilizuar dhe ekonomia tashmë po rimëkëmbet. Ai thotë se parametrat tregojnë rritje në disa sektorë që janë të rëndësishëm për PBB-në, realizohen investimet e paralajmëruara vendore dhe të huaja, ndërsa kompanitë inkurajohen të marrin kredi për zhvillim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button