Qeveria e re e koalicionit nuk qetëson shqetësimet greke

Kryeministri Antonis Samaras, që u betua të mërkurën (20 qershor), theksoi nevojën për patriotizëm, unitet kombëtar e besim tek Zoti, në mënyrë që Greqia të dalë nga kriza financiare e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Jam plotësisht i ndërgjegjshëm për momentet vendimtare me të cilat përballemi si një vend,” tha ai, duke shtuar se grekët ishin “plagosur” dhe u duhej “shërim.”

Ndonse qeveria e re duhet të sjellë një stabilitet politik e duhet të kontrollojë një krizë të gjatë që kërcënoi të rrezikojë zonën euro, jo shumë kanë besim se do të vazhdojë.

Qeveria e re është e kryesuar nga udhëheqësi konservator i Demokracisë së Re Samaras, një ekonomist 61 vjeçar i arsimuar në Amerikë, partia e të cilit përfundoi e para në votime — por me më pak se 30% të votave e jo mjaft vende në parlament për të formuar një qeveri.

Në mbështetje të tij, por pa marë pjesë në qeverinë e re, janë socialistët e PASOK-ut dhe E Majta Demokratike.

Udhëheqësi i PASOK-ut Evangelos Venizellos kërkoi kushte për mbështetjen e partisë së tij, duke përfshirë atë që Greqia gradualisht t’a çlirojë veten nga masat shtrënguese të kërkuara nga Trojka BE-FMN-BQE në shkëmbim për një paketë të dytë shpëtuese prej 130 miliardë euro.

Partitë e koalicionit mbështesin kushtet, por Samarasi tha se dëshiron të ridiskutojë disa prej tyre. Trojka ka thënë se çdo përpjekje për të ndryshuar reformat ose mos arritja e bërjes së 11 miliardë euro të tjera në shkurtime, mund të shpjerë në ndërprerjen e tubacionit të parave.

Samarasi përballet me një dilemë të menjëherëshme: edhe me 179 vende në parlament, të tre partitë e koalicionit morën vetëm 48% të votave. Koalicioni për të Majtën Radikale (SYRIZA) i vendit të dytë, i udhëhequr nga kampioni kundër masave shtrënguese Aleksis Tsipras, u zotua të luftojë nëse ai do të përpiqet të vendosë më shumë masa shtrënguese.

“Sapo Samarasi të imponojë taksa të mëtejshme e ulje pagash e pensionesh, duke thelluar depresionin e duke shpënë njerëzit në dëshpërim e vetëvrasje … gjendja do të jetë jashtë kontrollit,” tha për SETimes Dimitri Haxhinikolau, një profesor i ekonomisë në Universitetin e Janinës në Greqinë veriore.

“Qeveria e Samarasit do të ketë ndoshta një hapësirë prej tre muajsh për të hartuar diçka që mund të shihet si e besueshme nga votuesit grekë e të marë një kohëzgjatje” për të zbatuar më shumë reforma, tha për SETimes Marios Evriveavis, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Panteion në Athinë.
Xhon Nomikos, që kryeson Institutin Kërkimor për Studime Europiane e Amerikane me qendër në Athinë, tha se Samarasi ka ecur në një fushë të minuar, “por nuk e di se ku janë minat.”

Po të mos zbutet presioni në Greqi e po të mos jetë i suksesshëm Samarasi në bisedimet me Trojkën, “qeveria nuk do të zgjasë më shumë sesa gjashtë muaj,” tha ai.

Publiku duket se është dakort.

Jorgos Andreadis, 25 vjeç, që ka qenë i papunë për më shumë se një vit, tha se votoi për SYRIZA por se asgjë nuk ka ndryshuar, “E gjithë kjo bujë për asgjë e kemi të njëjtët që na drejtojnë, ata që janë përgjegjës për të gjithë këtë papunësi,” tha ai për SETimes.

Lajme të ngjashme

Back to top button