Breivik, prokuroria e shpall të çmendur

Prokuroria në Norvegji, sot, në fazën përmbyllëse të gjyqit ndaj terroristit Anders Behring Breivik, kërkoi shpalljen e tij të paaftë mendërisht.

Prokurori Svein Holden tha se ekzistojnë dyshime të forta në lidhje me aftësitë mendore të Breivik, prandaj sipas tij, ai duhet të kurohet në një qendër të shëndetit mendor dhe jo të dërgohet në burg.

Pritet që gjykata në Oslo të shpallë vendimin e saj në muajin korrik ose gusht. Nësë gjyqi nuk merr për bazë vlerësimin e prokurorisë, atëherë sipas ligjit norvegjez, ekstremisti djathtist do të përballet me denimin maksimal prej 21 vjetësh burg.

Breivik ka pranuar përgjegjësinë e sulmit me bombë në Oslo ku mbetën të vrarë tetë persona dhe të sulmit me armë në Utoya, ku vrau me plumba 69 persona, shumica të rinj që po merrnin pjesë në një kamp verorë. Në të dyja këto sulme mbetën të plagosur 242 persona, që sipas vrasësit, është për keqardhje që kanë shpëtuar.

Për shkak të përplasjes së mjekëve të ndryshëm rreth gjendjes psikologjike të Breivik në fillimin e procesit, i është dhënë e drejta gjykatës që të shprehet në fund të gjykimit nëse 33-vjeçari me bindje të ekstremit të djathtë është mendërisht i aftë. Deri tani janë nxjerrë dy raporte mjekësore, të cilat bien në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Më parë gjatë gjykimit, Breivik është shprehur përpara trupit gjykues se është i gatshëm të pranojë vendimin e autoriteteve vetëm nëse shpallet i aftë. Autori i krimit më të shëmtuar në historinë moderne të Norvegjisë në kohë paqeje e konsideron gjestin e tij si një akt të lartë patriotik, i cili ka sy synim të shpëtojë Norvegjinë nga rreziku i islamizmit dhe humbjes së identitetit përballë multikulturalizmit.

Prokurori Holden në fund të fjalimit të tij ka thënë se Breivik nuk do të mund t’i shpëtojë drejtësisë, edhe pse sipas tij pyetjet se “a është apo jo krejtësisht i aftë mentalisht” dhe se “si i renditi viktimat e veta në ishullin Utoyja”, do të mbeten pa përgjigje./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button