NËNA DHE HITACHI

Në vitin 2014 në Turqi ishte realizuar një anketë shkencore socio-psikologjike me kategorinë fëmijore, të cilës mes tjerash i ishte shtruar pyetja se “cilin do ta kishin larguar më parë nga shtëpia, babain apo TV-në”, dhe rezultatet ishin trishtuese: 93 % të fëmijëve kishin zgjedhur ta përjashtonin babain, pra teknologjisë i kishin dhënë përparësi ndaj prindit. Të vijmë pak më nga ne, t’i shohim trendet ndër ne, këtu në Shkup, do “fëmijë që janë rritur por nuk janë pjekur”. Storje e vërtetë. Një rrëfim për tmerr, që tregon greminën morale në të cilën kemi rënë.

Trimi i çakorduar i të dyzetave, nga kurbeti, Gjermania, i çoi haber nënës: “Nano, duhet ta lëshosh shtëpinë, gjeje qaren, shko te vëllai”. Shtëpinë në të cilën s’jetonte kush pos qenies plakë, një grusht kocka. Në veprim djali, të cilin nëna e kishte bërë njeri, që i ishte gëzuar lindjes së tij si të ishte dritë e diellit, që e donte më shumë se veten, që kishte qarë bashkë me të çdoherë kur ishte sëmurë, që s’i zë lapsi sa herë e kishte puthur në ballë. “Donzhuani”, më parë divorcoi gruan shqiptare me disa fëmijë, mori tjetrën sllave, tani “shqelmin nënës” nga vatra e vet. Shtëpia ishte bërë nga kursimet e nënës dhe babait, që tanimë kishte kaluar në botën tjetër. Kjo është “edukata” e të rinjve tanë që kanë dalë dhe kanë parë botën, civilizimin, që kanë bërë “dhjetë centë në xhep” dhe kanë dalë hulliut.

Nëna, ditën kur do nisej për në Gjermani te djali tjetër, me lot në sy mblodhi teshat e ca imtësira të vetat, me zemër që i gufonte sa s’i dilte nga kafazi i gjoksit, dhe me vaj të pazëshëm, u ngjit në avion që i dukej si arkivol. Shtëpia mbeti shkret, pa të zotin e pamend që vetë jeton jashtë ndërsa shtëpia i duhej e zbrazur jo me gjurmët dhe frymën e nënës. Tani oborri i është bërë djerrinë, deri në gjunj me kullosë, muret i janë mykur, trëndafilët e dikurshëm janë tharë, karanfilë s’ka, vazot me lule janë zverdhur, zhardinierët i ka krisur dielli. Shtëpia ka marrë pamje të trishtueshme.  Dhe pas disa muajsh, erdhi dhe e gjeti shtëpinë bosh, s’e pa nënën ndaj të cilës tregoi “forcën”; i duhej shtëpia që s’e përdorte. “Heroi” i këtij rrëfimi në shtëpinë “horror” do vazhdojë të vijë në çdo dy vjet, ndoshta do të ndërrojë jetë atje ku jeton, ndoshta do të përfundojë në krematorium, në Rajna. Do të mbetet kujtimi për të si një i pabesë, si një bukëshkalë… Ndërsa, nëna do mbetet nënë, qenie fisnike, xhan.

Dhe motivi i dytë i kësaj kolumne. Një emision dokumentar për ish-Jugosllavinë në një TV në gjuhën maqedonase, dhe rastësisht ndalemi te sekuencat e Olimpiadës Dimërore të mbajtur në Sarajevë, më 1984. Lojërat ironikisht të shpallura të paqës sepse, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër disajavëshe, ishin pajtuar ose paqtuar amerikanët me sovjetikët e “luftës së akullt”.  Olimpiada, eventi kur për herë të parë në Jugosllavi amerikanët e futën Coca-Colën, kur Kirk Dagllasi kishte harxhuar 100 mijë dollarë për një natë në kryeqytetin boshnjak, kur globalizimi kishte depërtuar në YU.

Atëbotë skiatori slloven Jure Franko, tani 56-vjeçar ishte para një sfide të madhe. Si të arrinte deri te medalja për shtetin jugosllav. Dhe, garat nisën dhe pas lëshimit të parë, i katërti. Në të dytin, më i miri, në total, zuri vendin e dytë, medaljen e argjendtë. “Ishte dita e Shën Valentinit, kështu që çdo vjet e kujtoj atë çast të karrierës sime”. Dhe rrëfen pse ka qenë tepër i motivuar: “Një video-rekorder Hitachi i ishte premtuar atij që fitonte medaljë për Jugosllavinë. Imagjinoni, gjatë gjithë garës mendoja vetëm për të” – dhe qeshet Franko. Vullneti i zjarrtë këtë sportist e solli deri te rezultati i dëshiruar.  Për një gjë inekzistente sot. Për një vlerë të vogël – do kishin thënë bashkëkohanikët tanë me kriteret e 2018-s. Dhe tani, t’i krahasojmë vlerat shoqërore dhe ato sportive të asaj kohe me ato të sodit. Elani për fitore dhe shpërblimi. Sot disa sportistëve iu maten edhe sekondat, minutat, orët me euro-dollarë.

Nga ana tjetër, rinia jonë duke parë llogaritë astronomike të Neymarit, Lebron Jamesit e të tjerëve bie në gjendje të pashpresisë. “S’ka hesap” – është fjalia e ngjitur për buzësh të të rinjve tanë. Ndërsa gjushërit tanë thonin: “Badihava (kot) puno, badihava mos rri”. Motivohen vetëm me gjëra të mëdha, i shohin milionerët, ishujt Sejshele, aventurat. Puna në arë, në ndërtimtari, shofer, kamarier… dhe shumë të tjera “nuk paguhen”. Edhe Franko ka mundur të krahasohet me basketbollistin Larry Bird që atëbotë fitonte mbi 1.5 milionë dollarë për vit, me Dagllasin që njëqind video-rekorderë i kishte harxhuar për një natë, por ka shkelur  me këmbët për toke, e ka shikuar në sy realitetin. Vërtet jeta ka evoluar shumë, standardi jetësor gjithashtu.

Por mundi, përpjekja, puna mbeten vlera të përhershme që individin dhe shoqërinë e çojnë përpara. Nëse mendojmë me logjikën e fitimit të Neymarit (537.000 funta për javë) “na ftohet jeta”, por nëse mendojmë me logjikën e jetës ordinere dhe reale, nëse kuptojmë se jet seti  është pakicë dhe se duhet të bëjmë më së miri që mundemi atë që dimë, biem në binarët e normalitetit, frymojmë natyrshëm dhe jetojmë të lumtur. Idealizëm drejt pikave më të larta po, por jo edhe “jetë në ëndrra”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button