Dorezat e përlyera të bardha

“Ai e kishte fuqinë. E mbante atë në pëllëmbë të dorës. Një fuqi më të madhe se fuqia e parave apo fuqia e terrorit apo fuqia e vdekjes. Një fuqi të pathyeshme që ta drejtojë dashurinë e njerëzimit. Megjithatë, ekzistonte një gjë e vetme të cilën kjo fuqi nuk mund ta siguronte – ai nuk mund ta ndjente kundërmimin e vet”. 

Patrik Suskind, “Parfumisti”

Duke e ndjekur sagën e pafat të javës së kaluar për lirinë e mediave dhe fjalën e shkruar gazetareske, si dhe rolin edhe më të pafat të Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe solidaritetin e tyre brukselas-vienez me demokraturën tonë, tani më të vëllazëruar, më ra ndër mend një shkrim me rastin e publikimit të librit “Ministria e punëve të jashtme dhe e kaluara” (Das Amt und die Vergangenheit). I botuar në vitin 2010 me porosi të ministrave të vjetër-të rinj të punëve të jashtme, Joshka Fisher dhe Guido Vestervelle, dhe i përpiluar prej një komisioni të pavarur të ekspertëve, ky libër ambicioz prej 880 faqeve është dëshmi për rolin e diplomacisë gjermane në ngritjen e Rajhut të tretë dhe holokaustin pasues. Botimi i këtij libri atëbotë u shpjegua si “hap i parë në kundër-ofensivën ideologjike që do ta kthejë koalicionin e gjelbër dhe të kuq në pushtet në Berlin”. 

Duke e komentuar forcën udhëheqëse motivuese për raportin e të punësuarve në MPJ-në e atëhershme të Gjermanisë nën udhëheqësi nacional-socialiste, në shkrimin e tij në “Die Welt” Alan Posner me të drejtë vjen deri te përfundimi që faji qëndron kryesisht te “karrierizmi i diplomatëve dhe obsesioni i burokratëve me kërkim të çfarëdo qoftë përparimi personal”. Ai më tutje shton që “diplomatët e ndanin dëshirën e politikës së jashtme të Hitlerit për revizion të Marrëveshjes së Versajës”, si dhe “përbuzjen ndaj demokracisë, aq të përhapur mes elitës gjermane, dhe judeo-fobinë thuajse gjithëpërfshirëse të arsimit të lartë të shtresave të larta të klasës së mesme”. 

Larg prej tërheqjes së paraleleve me motivimin ideologjik të burokracisë diplomatike gjermane nga koha e Rajhut të tretë, praktikat e rrezikshme bashkëkohore të mbajtjes së dehur për spirancat e rrejshme të legalizimit megjithatë janë mbikohore dhe gjithnjë të pranishme, që shpeshherë përfundon me mohim të demokracisë, madje edhe të mendjes së shëndoshë, nëse ato largohen prej postulateve themelore të lirisë së mendimit, fjalës e shkrimit. 

Cinikët gjithsesi do të vënë re që “edukimi special” dhe “rrahja me shuplaka” që kryeministri Gruevski po i zbaton drejt demokraturës së Brukselit në vitin e fundit po fillojnë të japin rezultate në formë të luajtjes së disiplinuar të euro-qyqekut nën bishtin e Luftëtarit në kalë. Por, si edhe në humor, edhe në cinizëm ndonjëherë ka një fije të së vërtetës, një e vërtetë që na bën të mendojmë që z. Gruevski ndoshta e ka kuptuar mirë fuqinë e vërtetë motivuese të diplomacisë bashkëkohore evropiane – karrierizmi personal dhe filozofia “le të ndodhë ajo që duhet të ndodhë patjetër, por jo gjatë mandatit tim”. 

Së këndejmi, përzierja e palavdishme dhe tërësisht joparimore e diplomacisë shkupjane-brukselase të BE-së tërheq një varg pyetjes të cilat nuk guxojnë të injorohen, e as të minimizohen, pikërisht për shkak të kundërmimit gjithnjë më të fuqishëm që po përhapet në opinion. Përkatësisht, është koha të parashtrohet pyetja për rolin e bashkësisë ndërkombëtare – posaçërisht të përfaqësisë së tyre në shtetin tonë – në mbylljen e syve para dhe/ose relativizmin e trendeve alarmuese jodemokratike në Maqedoni. Një pjesë e dialogut të domosdoshëm dhe të sinqertë demokratik shoqëror duhet patjetër ta përfshijë edhe rolin, e nëse ekziston madje edhe fajin, e një pjese të përfaqësuesve ndërkombëtarë në shtet. Bashkë me pyetjen se a kanë kontribuuar një pjesë e qëndrimeve të tyre, thënë butësisht të çuditshme dhe të dyshimta (ndonjëherë edhe qëllimisht të paramenduara) drejt gjendjes së tanishme? Megjithatë, bota e diplomacisë jep mjaft shembuj të të a.q. solo-veprim të diplomatëve sipas paragjykimit apo interesit vetjak, i cili shpeshherë nuk është në pajtim me mandatin apo politikat zyrtare të shtetit ose organizatës të cilën e përfaqësojnë ata. Megjithatë, imuniteti diplomatik nuk ka të bëjë me akte të bashkë-pjesëmarrjes në mbytjen e demokracisë gjatë natës, të cilat nuk mund të fshihen me pozime ditore nën portretet e Raul Valenbergut. 

Sjellja e palavdishme e burokratëve të BE-së dhe OSBE-së në dramën e javës së kaluar hap dilema shumë më të pakëndshme dhe më serioze, reperkusionet e të cilave mund të kenë pasoja afatgjate nëse lejohet që ky episod të vihet nën tepih ashtu që më vonë të shndërrohet në një praktikë monstruoze politike. Do të ishte shkatërruese nëse nuk marrim guxim ta parashtrojmë pyetjen kyçe – cila është cilësia dhe sasia e autenticitetit, objektivitetit dhe pavarësisë së përfaqësisë ndërkombëtare në shtet, në vigjilje të ciklave të ardhshëm zgjedhorë në skenën tonë politike, si dhe të konfliktit gjithnjë më të sigurt ndër-etnik shoqëror me përmasa serioze? Me këtë raport të z. Saninos dhe kolegëve të tij në Shkup, a shënuan ata në fakt një auto-gol me të cilin i vunë në dyshim bindjet e tyre demokratike dhe kapacitetet e tyre profesionale?

Një dallëndyshe nuk e bën të sigurt pranverën, si dhe një fjollë bore nuk mund ta paralajmërojë ortekun. Por, nëse e vështrojmë episodin e javës së kaluar në një kontekst më të gjerë, rajonal, paraqiten një varg dilemash për fuqinë e demokracisë në Ballkan dhe për raportin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj saj. Prania dhe deklaratat e Shtefan Fylesë në inaugurimin e mohuesit të Srebrenicës, tani të mbuluar në mënyrë legaliste me petkat e trupit votues dhe kurorën e kryetarit, është vetëm hapi i fundit që shkaktoi ngritje të vetullave të opinionit publik në rajon. 

Por, për hir të balancimit, edhe kolegët nga diplomacia amerikane kanë kontribuuar drejt ndjenjës së hutesës për politikën e tyre ndaj rajonit, të pasqyruar nëpërmjet raportit të ambasadës së tyre në Beograd ndaj magazinës elektronike e-novine dhe legjendës së fjalës së lirë Petar Llukoviq, që e solli ndër mend në mënyrë të pahijshme episodin e palavdishëm për raportin e Uilliam Montgomerit ndaj Vojisllav Koshtunicës. Ose nëpërmjet ngathtësisë dhe arrogancës së famshme të Kristofer Dellit, që shkaktoi reagime të stuhishme në opinionin publik medial dhe intelektual në Kosovë, posaçërisht mes popullatës më të re. Fatkeqësisht, edhe në shtetin tonë ka shembuj të raporteve padyshim të çuditshme të një pjese të diplomacisë amerikane, por kjo do të mbetet për ndonjë prej shkrimeve të ardhshme. 

Partneritetet e vërteta dhe të sinqerta ekzistojnë dhe lulëzojnë në bazë të principeve të nderimit të ndërsjellë dhe respektimit të vlerave të përbashkëta. Bashkësia ndërkombëtare me të drejtë mund të krenohet me një numër të madh të meritave dhe kontributeve për sukseset e shtetit tonë prej pavarësisë deri sot, që gjithsesi nuk mund të vihet nën hije nëpërmjet episodeve të ndara të sjelljeve joparimore. Por pikërisht këto vlera të përbashkëta na e japin të drejtën t’i përkujtojmë partnerët e bashkësisë ndërkombëtare për urtësinë e thënies së Niçes – “derisa shikon drejt errësirës së humnerës, mos harro që edhe humnera shikon drejt teje”.   

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button