Duartrokiten folkloristët e SHKASH-së “Ibe Palikuqi” në “Ilindenski Denovi” (VIDEO)

Në mbrëmjen e hapjes së Festivalit ndërkombëtar të folklorit burimor “Ilindenski Denovi” (“Ditët e Ilindenit”) që për çdo vit mbahet në Manastir, në program ishin 12 ansamble, SHKA dhe grupe folklorike nga vendi dhe jashtë. Mes tyre ishin edhe folkloristët e rinj të SHKASH-së “Ibe Palikuqi” nga Shkupi, njofton Portalb.mk.

Me pauza të disahershme, kryesisht për shkaqe politike, kjo shoqëri ka qenë pjesëmarrëse nëpër festivale, duke fituar edhe çmime dhe mirënjohje.

Folkloristët fillimisht në parakalimin nëpër rrugët e qytetit tërhoqën vëmendjen sidomos me koloritin e kostumeve popullore.

Ngjitja e folkloristëve shqiptarë në skenën e hapur në Poligonin e sporteve të Manastirit, u përcoll me duartrokitje. Shkupjanët para publikut foklordashës të Manastirit dhe mysafirët e ardhur nga diaspora, gjatë 15 minutave programore, u prezantuan me gërshetë vallesh burimore shqiptare nga të gjitha trevat e vendit.

Mënyra e kërcimeve ritmike, lëvizjet elegante, por edhe më shumë, siç potencuam edhe më parë, ishin motivi kryesor për duartrokitje të vazhdueshme të shikuesve të shumtë që kishin ardhur për ta përjetuar mbrëmjen solemne të këtij Festivali tradicional.

Edhe drejtuesit edhe folkloristët e rinj na thanë se janë mirë të disponuar dhe të kënaqur, si nga ftesa ashtu edhe nga mikpritja e organizatorit që është Qendra për Kulturë.

Për Portalb.mk, nga Manastiri shkruan Qenan Hasani

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button