Vazhdon huamarrja e Maqedonisë, borxhi i jashtëm 8 miliardë euro rekorde, ku shkojnë paratë?

Vazhdon trendi i rritjes së borxhit të Maqedonisë, aktualisht borxhi publik është 5 miliardë euro, ndërsa borxhi i jashtëm bruto kap vlerën rekorde prej 8 miliardë eurosh. Me këtë rritje, shtrohet pyetja kryesore: për çfarë përdoren, ku përfundojnë paratë e borxhit, si dhe sa ndikon ritmi i huamarrjes në mënyrë adekuate në rritjen ekonomike?
Nga viti 2010 deri në mars të këtij viti (2018), borxhi i jashtëm bruto është rritur për një shumë marramendëse prej 3,3 miliardë eurosh, njofton analiza ekonomike javore e Portalb.mk. Sipas të dhënave të fundit që i kemi në dispozicion, ai kap vlerën 78,7% dhe kjo e vendos shtetin në listën e vendeve me ekonomi me borxh të lartë.

Rritet borxhi publik – ekspertët thonë duhet të kihet shumë kujdes!

Fondet pensionale, bankat dhe kompanitë e sigurimeve janë kredituesit më të mëdhenj të Qeverisë, të cilët kanë blerë më shumë se 80 përqind të letrave shtetërore me vlerë. Gjegjësisht, kreditori më i madh në tregun vendor janë shoqatat pensionale me pjesëmarrje prej 37,10%, të cilave shteti ju ka borxh 558,5 milionë euro.
Më pas janë bankat me pjesëmarrje prej 36,07 % si dhe me letra në vlerë të blera që kushtojnë 543 milionë euro. Ndërsa borxhi ndaj kompanive të sigurimit është 109,5 milion euro.
Kështu që, në kuartalin e parë të vitit borxhi publik është 5,08 miliardë euro apo 47,2%. Si sasi absolute ai është në rritje, ndërsa si përqindje nga Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) është zvogëluar duke e pasur parasysh si ka qenë në fund të vitit 2017.

  

Në raportin e ri të Bankës Popullore është shënuar rritja e borxhit të jashtëm publik, i cili është pjesë e borxhit publik.

“Në fund të tremujorit të parë të vitit 2018, borxhi i përgjithshëm publik ka qenë 48,2 % e PBB-së, që paraqet rritje prej 0,7 përqind në krahasim me tremujorin e kaluar. Në pjesën më të madhe, ndryshimi vjen nga rritja e borxhit të jashtëm (nga 31,7 % në 33,7%) dhe rënia e vogël e borxhit të brendshëm (nga 15,9 % në 15,2 % të PBB-së). Borxhi i përgjithshëm shtetëror në tremujorin e parë është rritur për 1,2% të PBB-së, ndërsa ulje prej 0,5 nga PBB-ja është vërejtur te ndërmarrjet publike” thuhet në raportin e fundit të Bankës Popullore.

Përderisa me borxhe të brendshme dhe të jashtme nxitet rritja e ekonomisë ndërsa në të njëjtën kohë nuk rrezikohet qëndrueshmëria financiare – marrja e borxheve është e arsyetuar, komentojnë ekonomistët për Portalb.mk.

“Me fuqizimin e kapacitetit prodhues të ekonomisë vendore, jo vetëm që rritet oferta vendore e produkteve dhe shërbimeve me prejardhje vendore, por edhe ulet nevoja për rritje të importit. Me këtë, mbulohet jo vetëm nevoja e konsumit të brendshëm, por dhe krijohet një vlerë e re me të cilën mund të kthehen mjetet e huazuara dhe të mbulohen harxhimet nga huazimi i tyre, duke mos e rritur kështu trysninë fiskale si dhe duke mos marrë borxh të ri.
Gjithë këto vite ne e bëjmë të kundërtën, nuk investohet mjaftueshëm në rritjen e kapacitetit prodhues të ekonomisë vendore, nuk kemi zhvillim më dinamik ekonomik sepse pak investohet në përforcimin e kapitalit fizik dhe kapacitetit njerëzor, jo mjaftueshëm investohet në ndërtimin e objekteve infrastrukturore posaçërisht ato të komunikacionit rrugor, hekurudhor, ajror si dhe në telekomunikacion dhe sfera të tjera. Si pasojë, e kemi gjendjen aktuale, shkallë të ulët të rritjes ekonomike, nivel i ulët i konkurrencës në ekonominë vendore, deficit të rritur në këmbimin tregtar të jashtëm, deficit kronik në arkën e shtetit, ne vazhdimisht rrisim borxhin” komenton për Portalb.mk, profesori universitar, Sami Bislimi.

Në Strategjinë Fiskale 2019-2010 të posa botuar nga Qeveria, parashikohet rritje e mëtutjeshme e borxhit deri në 60% e PBB-së. Por kjo, sipas Qeverisë, do të zhvillohet në kushte rreptësishtë të kontrolluara, konkretisht, planifikohet që niveli i borxhit publik të mbahet në korniza të qëndrueshme, duke mos e prishur kështu qëndrueshmërinë fiskale.

“Në afat të mesëm, pritet rritje e vogël e borxhit të përgjithshëm publik deri më 54,8% të PBB-së në vitin 2020 dhe më pas ulje në 53,8% të PBB-së në vitin 20121, gjë që është dukshëm ndër limitin e caktuar nivelin e borxhit publik në afat të mesëm dhe afat të gjatë.

Në vitin 2018 dhe 2019 pritet intensifikim i investimeve në sferën e infrastrukturës rrugore, të cilat implementohen me hua me garanci nga shteti” shkruhet mes tjerash në dokumentin e Ministrisë së financave.

Borxhi i garantuar i ndërmarrjeve publike, gjegjësisht huaja pas të cilës qëndron si garantues Qeveria, arrin shumën prej 814 milion eurove.

Ku shkojnë paratë?

Sipas ekonomistëve, dy çështje janë me rëndësi: rritmi i borxh-marrjes dhe përgjigjja në pyetje ku shkojnë paratë, ku dhe për çfarë harxhohen?

“Nga gjithë ai borxh i marrë në tregun financiar, ose nuk investohet sa duhet, ose nuk ka rezultate nga investimet, ose ekziston nivel i lartë i keqpërdorimit të mjeteve publike.” shprehet Bislimi.

Ai citon të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë.
“Sipas të dhënave të tilla, borxhi i jashtëm bruto (publik dhe privat) në periudhën 2006 – 2017 është rritur për më shumë se tre herë, përderisa në mënyrë plotësuese edhe vlera e shtuar në periudhën e njëjtë është rritur për më shumë se dy herë. Vlera e përgjithshme margjinale – e shtuar në periudhën 2006 – 2017 është më e vogël nga sasia e borxhit të jashtëm, që domethënë se gjithsejtë për një hua prej 1 eurove jashtë, kemi rritje të vlerës së porsakrijuar për 0,88 euro. E gjithë kjo tregon se, vlera e shtuar e porsakrijuar është e pamjaftueshme për të mbuluar në kohë harxhimet nga mjetet e huazuara si dhe vet huanë” shprehet më tej ai.

Edhe të dhënat për huamarrje të jashtme, që i siguroi Portalb.mk, tregojnë një trend të rritjes. Borxhi i jashtëm bruto, në fund të kuartalit të parë të këtij viti arriti në shumën prej 8,3 miliardë euro ose 78,8% nga PBB-ja. Analiza krahasimtare e të dhënave që e bëri Portalb.mk tregon se nga viti 2010 deri në fund të marsit 2018, borxhi i jashtëm publik (duke i përfshirë të gjitha sektorë) është rritur për 3,3 miliardë euro.

Si ka lëvizur Borxhi i jashtëm bruto ndër vite
Si ka lëvizur Borxhi i jashtëm bruto ndër vite

Nga borxhi i përgjithshëm i jashtëm, 2,88 miliardë euro i takojnë shtetit dhe atë, pjesa më e madhe 2,86 miliardë euro janë për detyrime afatgjate. Borxhi i jashtëm i Bankës Popullore është 369,5 milion euro, ndërsa e sektorit privat 2,23 miliardë euro.
Rritje prej 300 milionë eurove ka edhe në borxhin privat edhe në borxhin e jashtëm publik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button