Meta ktheu ligjin për Teatrin, Veliaj: Një vonesë 40 ditësh, Parlamenti do e kalojë sërish

Kreu i Bashkisë së Tiranës e quan kthimin e ligjit të teatrit në Kuvend nga kreu i shtetit Ilir meta si një vonesë 40 ditëshe që nuk e frenon punën e nisur, njofton TCH.

“Do të presim me durim këto 40 ditë, teksa Parlamenti të mblidhet sërish për të kaluar Teatrin e ri. Por, gjithmonë pyetja që i bëj vetes është: këta që kundërshtojnë çdo gjë, a nuk ishin po këtu që thoshin mos ma prek liqenin, mos ma prek parkun? A është sot parku më i frekuentuar? Mjafton të shikojmë si është sistemuar këndi i lodrave, pista e biçikletave, pista e këmbësorëve, pista e vrapit dhe Amfiteatri i ri. Mjafton të shohim edhe si u mbollën 126 mijë pemë. Këto pemë u mbollën nga ata që thonë mos prek, apo nga ata që thonë se diçka ndryshon vetëm po u prek me dorë?!”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku i shprehu mirënjohjen gjithë komunitetit të artistëve, të cilët mbështetën projektin për t’i dhënë shoqërisë dhe qytetit një godinë të re, të denjë për të funksionuar si Teatër Kombëtar.

“U jam shumë mirënjohës të gjithë aktorëve që mbështetën teatrin e ri, gjithë shoqërisë që mbështet zhvillimin e Tiranës. Për të gjithë ata njerëz që mund të kenë ende dyshime, duhet t’i bëjnë një pyetje vetes kur shikojnë kundërshtarët e projekteve të bashkisë dhe të qeverisë në televizor: Këta që kundërshtojnë çdo gjë, çfarë kanë bërë për mua? Kanë ndërtuar ndonjë çerdhe? Kanë ndërtuar ndonjë shkollë? Kanë mbjellë këta ndonjë pemë? Kanë hequr plehrat nga rruga? A kanë bërë këta diçka konkrete që ma ka ndryshuar mua jetën? Po ashtu, le t’i bëjnë të njëjtën pyetje vetes për ne që jemi duke punuar: Këta, a ishin po ata që bënë sheshin “Skënderbej”? Që bënë Pazarin e Ri? Që bëjnë çerdhet, kopshtet, shkollat? Që bëjnë këndet e lodrave?”, tha Veliaj.

Veliaj mori pjesë në takimin për ndërtimin e një tjetër këndi të ri rekreativ në Parkun e Madh të Liqenit. Kreu i Bashkisë u shpreh se brenda një viti kjo zonë do të shndërrohet në këndin e dytë më të madh të lodrave në Tiranë, pas atij te liqeni në pjesën e Amfiteatrit. “Bashkë me miqtë tanë nga TIKA, sot po fillojmë një kantier të ri, që është në zonën jugore të liqenit, një zonë që më përpara ka qenë në njësinë Farkë, e pushtuar, e zaptuar. Sot është pastruar, është mbjellë, është krijuar një minipyll dhe kemi ruajtur këtë oaz në mes për ta kthyer në kënd lodrash, që do të jetë këndi i dytë më i madh i lodrave në Tiranë pas atij te liqeni”, tha ai.

Shumë prej banorëve që jetojnë në zonën e Kopshtit Zoologjik, Kopshtit Botanik apo Liqenit të Thatë do të kenë mundësi që të shfrytëzojnë një kënd fantastik lodrash. Sheshi i ri rekreativ po ndërtohet në një nga hapësirat e papërdorura të Parkut të Liqenit, në zonën jugore të tij me një sipërfaqe totale 5500 metra katror. Ky investim harmonizohet edhe me investimet e tjera të Bashkisë së Tiranës, si pistat e reja dhe shëtitorja e re perimetrale jug-perëndimore te Parku i Madh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button