Procesi i Skriningit për administratën publike, Mançevski: duhet t’i forcojmë kapacitetet

Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski sot gjatë konferencës për media, deklaroi se në fushën e reformave në administratën publike, për Procesin e Skriningit “Maqedonia ka kapacitet të mjaftueshëm për ta udhëhequr procesin, por nga shtatori – tetori do të duhet t’i forcojmë kapacitetet”, raporton Portalb.mk.

 

Një nga problemet kryesore e reformave në administratë është edhe sistematizimi i administratorëve që qëndrojnë në shtëpi, kurse marrin pagë. Në lidhje me këtë, ministri Mançevski deklaroi se nuk ka numër të saktë, por paralajmëroi se faza e dytë – sistematizimi i grupit të dytë të administratorëve, do të nis në shtator të 2018-s.

“Një pjesë e sistematizimit shkon nëpërmjet ministrisë sonë. Procesi zhvillohet. Numra nuk kam. Numrat e saktë i ka Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Pres që faza e dytë të nis në shtator. Nuk jam i informuar për probleme të mëdha, për refuzim të njerëzve që të nisin me punë”, tha Mançevski.

Procesi i Skringit për administratën publike sjell ndryshime ligjore

Duke folur për procesin e Skriningit, ministri Mançevski njoftoi se nga shtatori do të hapen debate për ndryshime ligjore që të mundësohet hyrja e ekspertëve nga jashtë për të plotësuar zbrazëtirat administrative. Kjo sipas Mançevski bëhet pasi që ende nuk është zgjidhur problemi me stërngarkimin e administratës në disa institucione, dhe mungesës së kuadrove deficitare në institucione tjera.

“Procesin e Skriningit në fushën e administratës e shohim në aspekt pozitiv, sepse kemi një monitorim se sa dhe si i realizojmë reformat, por problematike mbetet ende dukuria se jemi të stërngarkuar me punësime në disa pozita, kurse në disa pozita ku na duhen ekspert, mungojnë njerëz. Për këtë, gjatë periudhës së ardhshme do të propozojmë masa, diku në fillim të muajit shtator, me anë të së cilave do të bëhen ndryshime ligjore me të cilat do të mundësohet hyrje e shpejtë e ekspertëve nga jashtë institucionet, që të mund të na ndihmojnë në procesin e negociatave me BE-në. Sigurisht se ndryshimet ligjore fillimisht do t’i propozohen publikut”, tha Mançevski.

Reformat në administratën publike dhe sistematizimi i administratorëve kanë qenë një nga kritikat më të mëdha të potencuar në raportin e Komisionit Evropian dhe në Raportin e Pribesë.

 

 

Maqedoni, deri në fund të korrikut Qeveria do të tregojë se si do të zhvillohet procesi i “skriningut”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button