Përfundoi Festivali i Trashëgimisë Kulturore në Zhelinë

Prej 18 deri më 22 korrik 2018, në Komunën e Zhelinës u mbajt Edicioni i I i Festivalit të Trashëgimisë Kulturore. Ishte ky një manifestim i madh kulturor, i cili u shoqërua me një program të pasur dhe të larmishëm kulturor, letrar, muzikor, humoristik, recitues, sportiv etj. Ai u organizua nga Komuna e Zhelinës dhe Shoqata për Kulturë e Arsim “Adrion”, e cila vepron në këtë komunë.

Festivali u zhvillua në stadiumin e futbollit në Zhelinë. Skena impozante e Festivalit me banderola ishte mbështjellë me nje gjysëmrreth çadrash të Panairit, të mbushur plot me relikte dhe pasuri shpirtërore e materiale të traditës sonë kulturore të 16 fshatrave të Komunës së Zhelinës. Aty ndeshëm një prurje të duartnduart, e cili shenjon vlerat e shumta që plotësojnë sistemin e gjërë të kulturës sonë kombëtare. U demonstruan rite e lojra të ndryshme, këngë e valle të kësaj ane. Në këto çadra qenë ekspozuar vegla pune të bujqësisë, të blegtorisë, të kuzhinës tradicionale…

Festivalin e Trashëgimisë Kulturore e hapi kryetari i Komunës së Zelinës, Blerim Sejdiu. Ai theksoi se, ky Festival dhe ky panair paraqesin pasurinë tonë shpirtërore dhe materiale të kombit tonë, i cili është kultivuar brez pas brezi në këtë zonë. Ky festival madhështor është ngritur me qëllim që të afirmojmë kulturën dhe traditën tonë të pasur, si dhe të propagandojmë bukuritë e mëdha natyrore të kësaj komune, të zhvillojë turizmin, sportin, etj. Ne, theksoi më tej ai, do të vazhdojmë ta mbështesim edhe në të ardhmen këtë festival të rëndësishëm për traditën tonë kulturore, letrare, muzikore dhe sportive.

Festivalin e përshëndeti edhe kryetarja e Shoqatës për Arsim dhe Kulturë “Adrion”, Lindita Emërllahu, e cila foli për punën e madhe që u desh të bëhej për të arritur në organizimin e këtij Festivali të parë madhështor në këtë komunë. Ajo beson se, edicioni i rradhës do të jetë edhe më i plotë si rezultat i një përvoje të fituar dhe i një projekti që sa vjen e formulon portretin e duhur të një Festivali serioz dhe afirmues i të shkuarës sonë të begatë.

Gjatë pesë netëve, në skenë, u ngjitën Shoqëri kulturore dhe artistike nga vende të ndryshme të hapsirës shqiptare, këngëtarë të njohur të kësaj zone, rapsodë, këngëtarë, humoristë dhe aktorë; si “Elita 5” me këngëtarin Arif Ziberi, i cili ka origjinën e kësaj zone, këngëtari Gadaf Elmazi, rapsodi Sevdi Malësia me shokë, Korri i femrave “Nexhmije Pagarusha” – Prishtinë, Grupi i këngëve të vjetra qytetare “Teuta”-  Tetovë, SHKA “Jahi Hasani”, Çegran, SHKA “Tingujt e Vendlindjes”, Ansambli “AlbaFolk”, Qendra kulturore – Kaçanik, Karnavalet Ilire – Bozofcë, valle, këngë, rite, doke, zakone dhe lojra popullore etj.

Gjithashtu, pjesë e Programit të Festivalit ishte edhe video promovuese e bukurise së Urës shumëshekullore të Zhelinës, me titull “Atdheu duhej më shumë, dikur”, pastaj filmi dokumentar “Kohë që duhej të ishin jetë ” me skenar dhe regji të profesoreshës, Lindita Emërllahu, pastaj humoristi i kësaj zone Hasim Memish-Sopi dhe Sami Mustafa, maratona e leximit “Takohemi për një libër” i cili u organizua në fsh. Trebosh të kësaj komune, me emra të njohur të letërsisë dhe poezisë, si Xhelal Zejneli, Bujar Plloshtani, Ekrem Ajruli dhe Berzat Sadiki, ekspozita me fotografi të të gjitha fshatrave të kësaj komune të fotografit, Luan Rakipi, debati me intelektualë dhe mërgimtarë etj. Në këtë javë manifestimesh kulturore u zhvilluan edhe aktivitete sportive si, ndeshje futbolli, basketbolli, çiklizëm, ndeshje e pehlivanëve, ngjitje në këmbë në malet e bukura të Komunës së Zhelinës etj.

Po ashtu, në kuadër të Programit, nxënësit e Shkollës së Muzikës, Biondina Selami, Olti dhe Orel Esati ekzekutuan disa pika muzikore me piano dhe me violinë në manifestime të ndryshme kulturore e letrare. Të gjithë pjesëmarrësit e Programit dhe anëtarët e SHAK “Adrion”, të cilët kontribuan në organizimin e Festivalit u vlerësuan me mirënjohje nga Kryetari i Komunës. Festivali u ndoq nga një numër i madh publiku, në mesin e të cilëve edhe mjaft kurbetçarë që ndodhen për pushime në vendlindje. Kjo festë u shoqërua edhe me një koreografi të bukur fishekzjaresh që shenjonte dimensionin e festës së madhe pesëditore të Edicionit të I-rë, të Festivalit të Trashëgimisë Kulturore. Festivalin e moderuan mjaft bukur dhe me kreativtet, të rinjtë e apasionuar, Narta Emërllahu, Olti Esati dhe Edmond Sadiku. Një festival kulturor e sportiv shumëdimensional i organizuar mjaft mirë nuk është parë më herët në këtë komunë të re rurale. Festivali i Trashëgimisë Kulturore, i cili i ka munguar kësaj zone administrative  u mbështet materialisht nga Këshilli Komunal i Komunës së Zhelinës me tendencë, që ai në të ardhmen të bëhet tradicional.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button