Mickovski – me kokë murit

“Para lindjes dhe pas perëndimit të diellit, hyrja në qytet është rreptësishtë e ndaluar”. Kjo është shkruar në një tabelë në hyrje të qytetit të lashtë indian Bangar. Kush e thyente atë rregull, zhdukej misteriozisht. Popullata vendase dhe zyrtarët tregonin se si njerëzit që nuk besonin në një gjë të këtillë dhe vendosnin të qëndronin aty gjatë natës, nuk ishin gjetur kurrë më! Askush nuk e di nëse ajo është ndonjë energji e pashpjegueshme, ndonjë fenomen i çuditshëm natyror apo forcë jashtëtokësore, por fakt është  se shumë tragjedi kanë ndodhur në atë qytet gjatë natës.

Sipas legjendës, një mister i tillë vjen nga mallkimi i një kleriku me emrin Baba Balnat, i cili i pari kishte ndërtuar një shtëpi në atë vend. Por, kur filluan dhe të tjerët të ndërtonin, ai kërkoi  që nga dielli të mos e pengonte askush sepse shpirti i tij ushqehej nga rrezet e tij. Përndryshe, ai do të lëshonte një mallkim të tmerrshëm dhe gjithë qyteti do të mbetej bosh. Kështu dhe ndodhi, kur një princ ngriti një pallat të lartë, duke ia errësuar diellin. Që atëherë dhe shumë shekuj e këndej, gjatë natës nuk ka njeri të gjallë në qytet. Kështjellat dhe pallatet janë plotësisht bosh. Kurse gjatë ditës qyteti shërben si një atraksion i madh turistik.

Referendumi po afrohet. Rruga euro-atlantike ngrohet fuqishëm diellin. Atë diell nuk guxon askush ta pengojë, sepse mallkimi i dy milion njerëzve do të bjerë mbi të. Kurse për shkak asaj, i gjithë vendi do të mbetet pa njerëz dhe do të shërbejë vetëm si një atraksion turistik. VMRO me aktrim pështyn pas Marrëveshjes dhe referendumit të “kapitullimit”, duke vazhduar që edhe më tej nga devijimet shoqërore të sëmura të bëjë politikë të shëndoshë. Urrejtjen ta paraqet si dashuri, gënjeshtrën si të vërtetë, mashtrimin si nder dhe parim, dështimin si vlerë! Me një politikë të tillë gjatë viteve, çdo ditë e jona ishte e premte e zezë.

Mickoski luan shumë dobët, sepse përveç që godet në shtyllat kryesore të shoqërisë, ai drejtpërdrejt sfidon gjeopolitikën pas së cilës qëndrojnë shtetet më të fuqishme në botë. Dëmi mund të jetë i hatashëm edhe për vetë Mickoskin dhe patronët e tij, kurse partinë e vet nga një rrugë me gjemba e çon drejt një rruge qorre. Dhe këtu nuk ka asnjë shans që mos të ndodhë një tërmet brenda partisë aë tij. Ai godet pas pyetjes së referendumit, me të cilën tregon qartë se nuk dëshiron sukses. Një dështim i mundshëm do t’i atribuohej atij personalisht, kurse kostoja do të ishte astronomike.

Mickoski jo vetëm që shkon me kokë drejt murit, por madje dhe përpiqet t’i bindë njerëzit se ferri është më i mirë se parajsa. Çdokush e ka të qartë, Marrëveshja me Greqinë nuk është bërë për shkak të qejfit apo argëtimit të dikujt, por për NATO-n dhe UE-në, dhe këto segmente janë të pandashme edhe sa i përket pyetjes së referendumit. Pyetja duhet të jetë komplementare, sepse sado që është jo-legjitime dhe jo-kredibile pyetja unike – “A jeni për NATO-n dhe UE-në”, aq është e paligjshme edhe pyetja unike – ” A jeni për marrëveshjen me Greqinë”. Dhe këtu bie maska e parë e DPMNE-së. E dyta do të bjerë kur do të kalojë rregullativa zgjedhore bashkë me KSHZ-në, kurse e treta me të a.q. Qeveri të Përzhinos. Dhe mbreti do të mbetet lakuriq – kërkon amnisti për ish-udhëheqësinë e krimit të lartë, për shkak të cilëve kanë vuajtur miliona njerëz dhe të cilët duke grabitur gjithçka, na sollën në fundërrinën e botës.

Jo se Mickoski do ta bindte Micotakisin pa erga omnes, sepse ai as me atë nuk është dakord, por patronët e këtushëm nëntokësorë të cilët vite me radhë bënin grabitje mbitokësore, tani kërkojnë që mos ta kthejnë atë që kanë vjedhur. Prandaj, fasada do duhet të mbulohet me histori dhe patriotizëm, që e vërteta të mos jetë e dukshme. Dihet se askush nuk ka shkuar në të kaluarën, e as që ndokush është kthyer nga atje. Kalëruesit e apokalipsit shpresojnë në inteligjencën e pulave të njerëzve të këtuit. Por, akoma janë të freskëta – hendeqet, shuplakat e forta, provizionet e mëdha, MVRO-VMRO, larja e parave, marrja e firmave në mënyrë të dhunshme, romët për veshi, madje edhe luftërat (e sikur të fillojmë luftë?!).

Mickoski ka marrë të lexojë librin të cilit djalli ia shfleton faqet. Ai duhet ta dijë se askush nuk ka të drejtë t’i amnistojë paratë tona. Le t’i kthejnë miliardat me interes, kështu që njerëzit ndoshta do mund të qetësohen. Çdo person i gjallë (si dhe mjaft të vdekur), është grabitur për rreth 2,500 euro, kjo do të thotë se një familja mesatare pesëanëtarëshe  është grabitur për 12.500 euro. Këto para nuk mund të amnistohen. Nuk është e mundur të ketë mëshirë për kaq pamëshirë! Ata shpresojnë në logjikën – i miri harron poshtërimin, ashtu siç i keqi mirësinë. Kompania “Mosak Fonseka” i publikoi “letrat parajsore” (afër 12 milionë dokumente), për individë dhe kompani që kanë investuar në zonat off-shor që të mos paguajnë tatimin, madje disa prej tyre kanë larë dhe para që të njëjtit të duken shumë të pastra.

Me muaj të tërë, “SuddeutcheZeitung” i mbush faqet me emra të firmave dhe individëve që kanë larë para në mënyrë kaq patriotike. Dhe atë jo më pak se 1000 miliardë dollarë fantastike. Deri më tani kurban kanë përfunduar vetëm kryeministri pakistanez Nawaz Sharif dhe ai islandez Gunlaugson. Dhe neve “ishujt e parajsës” na krijuan një ferr të gjallë. Kurse patriotizmin e përdorin si një perde në mënyrë që të mos shihet ferri që ata krijuan për ne. Por, të vërtetës nuk i nevojiten shumë fjalë, kurse gënjeshtrës nuk i janë mjaft asnjëherë. Atje ka ende shumë “patriotë” të mëdhenj të këtushëm të cilëve aq shumë u “pengon” marrëveshja me Greqinë! Dhe pikërisht të njëjtit i sollën njerëzit gjer në mizor, uri. Ata u bënë edhe më efikas se predikuesit fetar, sepse çuan në agjërime të përjetshme. Për dietën kolektive madje edhe mjekët mund t’u çojnë ujë.

Bojkotimi i referendumit (qoftë dhe indirekt), jo vetëm që do të jetë plumb në këmbën e shoqërisë, por dështuese do të jetë edhe për vetë DPMNE-në. Ndoshta negativët përfshihen nga pendimi dhe ajo do ta varrosë DPMNE –në të tërën. Kurse pushteti  dalje do të gjejë në zgjedhjet e ardhshme, por DPMNE do të shkojë në falimentim. Në vend që të çojë ujë me një kovë pa fund, Mickoski duhet të heqë qafe magjinë e zezë nga udhëheqësia e kaluar. Viktima afatshkurtër do t’i jetë investim afatgjatë i tij. Ai në mënyrën më të sjellshme duhet  të përshëndetet me ta. Përndryshe, nuk do të doja të isha në vendin e tij. Portali grek “Zëri i Athinës” ka publikuar në detaje rrjetin dhe pezhishkën e së keqes. Në zbulimet e shërbimeve amerikane (dhe mekanizmave të NATO-s) në bashkëpunim me Shërbimin Hetues Kombëtar të Greqisë, thuhet se në bashkëpunim me Rusinë është qëndisur një plan i ferrit për Maqedoninë! E gjitha ajo do t’i bie në qafë Mickoskit.

Përfundimisht, qeveria duhet t’i qaset referendumit në mënyrë më të organizuar. Duhet të angazhohen shumë OJQ të brendshme dhe të jashtme, diplomatë, intelektualë, ekspertë dhe të gjithë dashamirësit, me qëllim që të shpëtojmë nga një plan i tillë prej ferri. Lufta e programuar e Kumanovës tregon se kemi të bëjmë punë me një mendje të sëmurë e cila është e gatshme të bëjë gjithçka që të mos i kthejë paratë. Një person me mikron mend nuk do e vjedhë tërë shtetin! Profesor Maleski me të drejtë thotë se nëse kjo marrëveshje dështon, tjetra do të jetë katastrofë. Nëse eventualisht mbetet dikush që do ta nënshkruajë atë. Rrugëdalje duhet të gjendet madje edhe me zgjedhje bashkë me referendumin. Ajo madje mund të jetë më pak e keqe. Në të gjitha këto, ndoshta Zaevi kur ka marrë përsipër projekte të këtilla të rënda (për vete) dhe shpëtuese për shoqërinë, sigurisht e ka pasë parasysh Çerçil-in: “Nëse dëshironi sukses, atëherë kokën do duhet ta futni në gojë të luanit”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button