Fushata senzibilizuese “Ti je një luledielli“ edhe në Gostivar

Prezantuesja e njohur shqiptare Albana Osmani, udhëheqëse e fushatës senzibilizuese “Ti je një luledielli”, ishte në vizitë në Komunën e  Gostivarit ku u prit nga kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe anëtarët e kabinetit të tij.

“Jam krenarе që Gostivari bëhet pjesë e kësaj fushate senzibilizuese dhe ftoj qytetarët e Gostivarit në përgjithësi dhe biznesmenët në veçanti, që t’i bashkëngjiten kësaj nisme.  Uroj që kjo iniciativë të ketë sukses dhe së shpejti ky mision të shtrihet edhe në Gostivar dhe në Maqedoni dhe tu ndihmohet fëmijëve që vuajnë nga sëmundjet e gjakut. I dimë kushtet shumë të dobëta në të  cilat trajtohen fëmijët me sëmundje të këtij lloji, si në vendin tonë ashtu edhe në shtetet e rajonit, andaj mendoj se ky mision duhet të përkrahet dhe të zgjerohet që këtyre fëmijëve tu mundësohet një trajtim adekuat mjekësor”, theksoi Taravari.

Albana Osmani theksoi se është e kënaqur me rrjedhën e  kësaj fushate në Maqedoni dhe se është shumë e lumtur që në stafin e saj ka edhe një person nga Gostivari.

“Do të përpiqemi të bëjmë gjithçka nga ana njerëzore, ndërsa pjesa tjetër le të mbetet në duart e Zotit. Do të ftoja qytetarët e Gostivarit të porosisin nga një bluzë dhe të kontribuojnë për të ndihmuar këta fëmijë. Kontributi juaj do të shkojë qind për qind për këta fëmijë”, theksoi Albana Osmani.

Bluza të fushatës senzibilizuese “Ti je një luledielli“ mund të porositen në zyrën e Agram Construction në Gostivar.

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari bleu fanelle për administratorët komunalë, duke përkrahur kështu këtë nismë dhe duke inkurajuar qytetarët e Gostivarit që edhe ata të kontribuojnë në kë të drejtim. Mjetet e grumbulluara shkojnë për trajtimin mjekësor të fëmijëve të prekur nga sëmundjet e gjakut, kanceri dhe leukemia që trajtohen në Klinikën e Onkologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare “Nënë Tereza” – Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button