VMRO-DPMNE kërkoi të falen krimet në këmbim të referendumit

Pushteti i pranoi ofertat e opozitës dhe arriti marrëveshje për ndryshimin e ligjit për financim të partive politike, formimin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) si dhe për ligjin për Qeveri, sipas të cilit, të gjitha zgjedhjet e ardhshme parlamentare do organizohen me Qeveri teknike sipas modelit të Përzhinës, por opozita nuk e pranoi ofertën e pushtetit për të arritur marrëveshje që opozita t’i thotë popullit “të dalë të votojë në referendumin për çështjen e emrit, sipas bindjeve të tyre”.

Ky është epilogu i takimit të sotëm të liderëve i cili zgjati rreth nëntë orë në Klubin e Deputetëve, ku morën pjesë, kryeministri Zoran Zaev, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, raporton Portalb.mk.

Pas takimit, kryeministri Zoran Zaev, akuzoi liderin e opozitës, Hristijan Mickoski se ai nuk e pranoi ofertën për referendum, pasi që qëllimi i tij është që të kërkojë amnisti për ish funksionarët e lartë të partisë, të cilët akuzohen për vepra të rënda.

“Hristijan Mickoski nuk arriti që ta njohë momentin. Në vend që t’i bashkëngjitet trenit për BE dhe NATO, ai zgjodhi që të ngelet në palën e errët të historisë. Duhet që të gjithë ta kenë të qartë se Mickoski gënjen kur thot se për VMRO-DPMNE-në ka qenë më me rëndësi zgjedhja e KSHZ-së, ligjeve për partitë politike, për Qeveri, dhe se lufton për referendum të ndershëm. Mickoski u përpoq që t’i mbulojë qëllimet e tija të vëreta. Pasi që e pa se nuk ka gjasa që të negociojë për amnesti direkte dhe indirekte, ai zgjodhi që të mos ketë marrëveshje”, tha Zaev,duke shtuar se nuk do të ketë amnisti.

LEXO: Marrëveshja e Përzhinës, ja çfarë përmban

Megjithatë, kryeministri tha, edhe pse ata i pranuan ofertat e opozitës për të gjitha çështjet e hapura dhe përkundër kësaj, opozita s’e pranoi ofertën e tyre, ata “kanë dhënë fjalë dhe të gjitha ata që janë marrë vesh do të zbatohen”.

Nga ana tjetër, Mickoski, shprehu kënaqësi sa i përket marrëveshjeve të arritura, ndërkaq tha se për t’u zbatuar referendumi ata kanë dy kushte, gjegjësisht në njërën ku ata kanë më tepër dallime, është formulimi i fjalisë, që sipas tyre duhet të jetë vetëm me një kuptim.

“Në pjesën e parë të bisedimeve patëm marrëveshje dhe përshëndesim, ndërkaq në pjesën e dytë kishim dallime sa i përket çështjes së referendumit. Folëm për detajet e referendumit dhe rreth pyetjes eventuale. Ne i përfaqësojmë interesat e qytetarëve. Kërkesat tona për referendum janë dy, e para është që pyetja e referendumit të jetë me një kuptim, si dhe prej numrit të përgjithshëm të qytetarëve të dalin 50+1%, ndërkaq prej tyre 50+1% të votojnë “për” ose “kundër” – kjo për ne do të thotë referendum i suksesshëm”, tha Mickoski.

I pyetur nëse do ta bojkotojnë referendumin, ai tha se tani për tani kjo çështje është hipotitike, andaj nuk dha përgjigje. Në fund Mickoski tha se “të gjitha çështjet janë të hapura”.

Pas takimit, lideri i BDI-së, Ahmeti tha se takimi ka qenë pozitiv në pjesën e parë, ndërkaq në pjesën e dytë ka qenë zhgënjyes.

“Qeveria dhe opozita kanë gjetur zgjidhje, Qeveria u tërhoq nga pozicionet fillestare në interes të shtetit dhe opozitës që ta kërkojë atë që e kërkonte. Pozita i ka mbrojtur interesat shtetërore. Dallimet janë në pyetjen e referendumit. Kuptohet se rrjedha e referendumit do të varet edhe nga pyetja e cila do të parashtrohet. Në këtë rast, dua të theksoj se të gjithë ne duhet t’i vendosim interesat shtetërore përpara interesave partiake. Vlerësoj se në këtë situatë opozita duhet që t’i lë para gjithçka interesa shtetërore”, tha Ahmeti.

Kryetari i BESËS, Kasami, deklaroi se e përshëndesin arritjet e marrëveshjes për financimin e partive politike dhe marrëveshjes për organizimin e zgjedhjeve me qeveri teknike, ndërkaq thirri që të gjithë partitë të punojnë për referendum të suksesshëm.

“E përshëndesim arritjen e marrëveshjes. Për referendumin shpresoj që të gjitha partitë të punojnë që ai të jetë i suksesshëm, ndërkaq qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre për BE dhe NATO”, tha Kasami.

Ndryshe, ky është takimi i tretë i liderëve për të konkretizuar çështjen e referendumit. Liderët nuk paralajmëruan takim të radhës.

 

Zaev dhe Mickoski: Për disa çështje jemi marrë vesh, për të tjerat bisedimet vazhdojnë (VIDEO)

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button