Fiat iustititia, pereat mundus

Kur u nënshkrua Marrëveshja për emrin u kuptua që kemi vendosur të bëhemi shtet serioz. Shtet serioz i cili kërkon të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së. Edhe miqtë tanë strategjikë në NATO dhe në BE na trajtojnë tani më si shtet serioz. Në NATO na thane qe sapo ta implementojmë marrëveshjen e emrit do të bëhemi anëtari i 30të i saj. Në BE na thanë që pasi ta implementojmë këtë marrëveshje dhe ta reformojmë gjyqësinë, administratën publike dhe shërbimet e sigurisë do të hapim negociatat e aderimit. Mesazhe më të qarta se kaq nuk ka. Tani është koha që të vërtetojmë se këtë punën e integrimit e kemi vërtet seriozisht dhe jo sa për sy e faqe. Dhe ngadalë por sigurtë jemi në këtë proces të vërtetimit. Gjykatat kanë sjellë një sërë vendimesh të cilat tani më vlejnë të citohen si të drejta.

Ju kujtohet me siguri që kohë më parë, në rastet e ngitura nga PSP, gjykatësit e shkallës së parë i veçuan bisedat e përgjuara “bombat” si prova të palejuara pasi qe e thyekan të drejtën e privatësisë së personave të përgjuar. Gjykata e Apelit solli më vonë një sërë vendimesh ku qartësoi që e drejta individuale për privatësi nuk mund të jetë më e forte se sa interesi i përgjithshëm për ndjekjen e krimit dhe me këtë lejoji përdorimin e “bombave” si prova në procedurën penale. Ishte hera e parë që interesi i përgjithshëm për të ndjekur krimin të përmendet si kriter për lejimin e provave.

Kohë më pare Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ngriti akuzë për ngjarjet e 27 Prillit dhe rasti udhëhiqet si “Rrezikim terrorist i rendit kushtetues”. Akuzë serioze por e përshtatshme pikërisht për ato vepra që ndodhën atë ditë. Për më tepër, në rastin e vrasjes në tentativë të asaj dite ndaj deputetit Ziadin Sela të akuzuarit morën dënim me gjithsej 81 vite burg. Të gjithë të involvuarit e kuptuan se të qenit edhe thjesht prezentë në atë sulm ndaj parlamentit është gjëja më e paarsyeshme që kanë bërë ndonjëherë në jetë, e për të cilën pasojat janë të rënda.

Muajin e kaluar, në rastet e PSP “Tenk” dhe “Treqind” një funksionar i mëparshëm shtetëror mori gjithsej 15 vite burg sepse e kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare. Javën e kaluar, biznesmeni Sead Koçan mori 6 vite burg në rastin “Trust” si dhe vendim për konfiskim të pronës në vlerë prej 17 milionë eurosh. Këto vendime tregojnë qartë që krimi nuk ia vlen, se në fund humbet edhe liria, edhe pasuria.

Gjërat kanë filluar të bëhen serioze sepse gjyqësia seriozisht ka filluar të funksionojë. Kështu duken reformat në gjyqësi, kështu duket ndjekja e mirëfilltë e kriminalitetit të jakave të bardha. Për këtë gjë flet BE kur thotë që duhet ta reformojmë gjyqësinë. Reformimi i gjyqësisë do të thotë që ata për të cilët ka prova se kanë kryer vepra penale, të bartin përgjegjësinë dhe dënimin. Kështu duket kur drejtësia fillon të funksionojë.

Dhe është e qartë që kjo dikujt nuk i pëlqen, sepse e ka kuptuar se kjo punë tani më nuk është shaka. Prandaj edhe kërkon të bëjë të pamundurën për të fituar pak amnisti, qoftë direkte qoftë indirekte. Kështu Mickoski thotë që nuk di gjë se partia e tij paska dërguar që javën e kaluar propozim për ndryshimin e Kodit penal me qëllim të uljes së dënimeve për veprat penale kundër detyrës zyrtare dhe kundër sistemit zgjedhor si dhe shkurtim të afateve për parashkrimin e këtyre veprave. Me këtë kërkesë do të mundësohej që të gjithë funksionarët e lartë të akuzuar në rastet e PSP të shpëtonin nga burgu për shkak të parashkrimit të veprave të tyre, ose edhe po të dënohej ndonjëri, të dënohej me dënime simbolike. Dhe është e qartë që Mickoski dhe VMRO-DPMNE nuk e kanë shumë hallin as te financimi i partive politike e as tek qeveria e Përzhinës, nuk e kanë as ngenë e patriotizmit të madh që e shesin sepse i gjithë patriotizmi i vërtetë i tyre shprehet në këtë kërkesë për ndryshim të Kodit Penal me të cilën në fakt kërkohet amnisti indirekte për të gjitha veprat që ndiqen nga PSP. Në vend se të shkëputen dhe distancohen nga kriminaliteti i së kaluarës, Mickoski dhe VMRO-DPMNE zhyten edhe më thellë në të.

Por e kanë gabim nëse mendojnë se me kushtëzime të tilla do të mund të marrin atë që e kërkojnë për shefat e tyre në hije. Ne kemi vendosur të bëhemi shtet serioz. Kemi nënshkruar një marrëveshje serioze dhe seriozisht hapërojmë drejt integrimit në NATO dhe BE. Për tu integruar aty duhet seriozisht të ballafaqohemi me kriminalitetin dhe jo ta amnistojmë të njëjtin. Ndryshe nuk integrohemi dot kurrë dhe mbesim ne mesin e shteteve jo-serioze të cilat bota ka kohë që i ka harruar.

Kështu, thënia e vjetër latine Fiat iusticia, pereat mundus – Le të bëhet drejtësia, sikur edhe bota të shkatërrohet, nuk ka qenë asnjëherë kaq kuptimplote.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button