Liberalizimi i vizave për Kosovën, Tanja Fajon: S’ka më arsye për justifikime

Eurodeputetja e raportuesja për liberalizimin e vizave me Kosovën në Parlamentin Europian Tanja Fajon shpjegon për Deutsche Welle hapat e mëtejshëm pas dritës së gjelbër të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave, përcjell Top Channel.

Deutsche Welle: Komisioneri europian për migrimin, Dimitris Avramopoulois bëri të ditur së fundmi në Bruksel se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna për liberalizimin e vizave. Çfarë nënkupton ky vendim pozitiv për Kosovën tani?

Tanja Fajon: Komisioni Europian njeh dhe vlerëson përpjekjet e autoriteteve të Kosovës. Ky është një hap shumë pozitiv dhe i rëndësishëm për Kosovën. Me ofrimin e dritës finale të gjelbër, Komisioni hap rrugën e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. Ky konstaton qartë, se Prishtina përfundimisht i ka përmbushur kushtet e mbetura. Tani topi është në duart e Parlamentit Europian dhe qeverive të vendeve të BE për ta pranuar këtë. Unë i uroj të gjithë përgjegjësit në Kosovë dhe shpresoj sinqerisht, se Prishtina do të vazhdojë të sjellë rezultate të mira.

Deutsche Welle: A mendoni se mund të dalin pengesa të tjera gjatë këtij finishi?

Tanja Fajon:Unë pres që qeveritë e vendeve të BE të reagojnë me përgjegjshmëri. Pra që të ndjekë rekomandimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave me qytetarët e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur. E njëjta gjë vlen edhe për Parlamentin Europian.

Deutsche Welle: Ka gjasa që ndonjë vend anëtar të mund të bllokojë këtë liberalizim?

Tanja Fajon:Nuk ka më arsye për justifikime apo vonesa. Nga ana tjetër këshilla ime për politikanët e Kosovës është të vazhdojnë përpjekjet e tyre dhe dialogun me Brukselin dhe kryeqytetet e BE për të marrë mbështetje të fuqishme dhe besimin e tyre. Ky është çelësi për suksesin. Kosova nevojitet të ruajë kredibilitetin dhe të ndërtojë aleanca të fuqishme me vendet e BE dhe institucionet e saj.

Deutsche Welle: Si e prisni vendimin e Parlamentit Europian?

Tanja Fajon:Në Parlamentin Europian, unë si raportuese për liberalizimin e vizave me Kosovën do ta japë për votim vendimin menjëherë pas pushimeve të verës në Komitetin LIBE (Komiteti i Parlamentit Europian për Çështjet e Lirive Civile, Drejtësisë dhe të Brendshme). Në javën e fundit të gushtit, unë pres që kolegët të ndjekin rekomandimin tim. Ne kemi punuar shumë në këtë drejtim dhe çdo hap është i rëndësishëm. Nëse gjithçka zhvillohet siç është planifikuar, ne do ta kemi votën në plenum me shumë gjasa në shtator. Kjo është ajo që dëshiroj e synoj. Kosova e meriton liberalizimin e vizave, veçanërisht të rinjtë meritojnë perspektiva më të mira.

Deutsche Welle:Kur mendoni do të jetë pas kësaj data më e mundshme e udhëtimit të qytetarëve të Kosovës pa viza në zonën e Shengenit?

Tanja Fajon:Çdo hap është i rëndësishëm, siç e thashë. Jemi shumë afër raundit final. Kjo nënkupton të shtojmë forcat të gjithë, por së pari e sidomos me plotësimin e të gjitha kritereve. Kjo është garancia më e mirë për të siguruar udhëtimin e lirë pa viza të qytetarëve të Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur. Dëshira ime personale është, që të mund të themi në fund të këtij mandati të Parlamentit Europian dhe në fund të mandatit tim si raportuese për liberalizimin e vizave për Kosovën se ia dolëm mbanë. Kjo do të ishte një situatë, ku të gjitha palët kanë fituar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button