Ministri Dimitrov pritet nga kryeparlamentari i Kosovës Veseli dhe kryeministri Haradinaj

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Dimitrov, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Kuvendi i Kosovës, thuhet se në takim me ministrin Dimitrov, kryeparlamentari Veseli ka theksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të kultivuar më tej frymën e bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Maqedoninë, në funksion të fqinjësisë së mirë dhe synimeve të përbashkëta euro-atlantike.

Veseli ka shprehur besimin se liberalizimi i vizave për Kosovën, zgjidhja e çështjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe shumë sfida tjera që tashmë po gjejnë zgjidhje, janë sinjal i mirë për të ardhmen evropiane të Ballkanit.

“Kreu i Kuvendit tha autostrada “Arbën Xhaferi” e cila lidh Prishtinën dhe Shkupin, do ta lehtësojë komunikimin e qytetarëve dhe shkëmbimet tregtare, ndërsa theksoi nevojën që edhe Maqedonia të përfundojë pjesën e saj”, bëhet e ditur në njoftim.

Nga ana e tij, kryediplomati i Maqedonisë, Dimitrov, ka shprehur nevojën e kultivimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke iu dhënë një shtysë të fuqishme avancimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe ndërparlamentare.

Ministri Dimitrov, gjatë ditës është pritur në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Haradinaj.

“Gjatë këtij takimi u bisedua rreth rëndësisë së zhvillimit ekonomik dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë”, bëhet e ditur në njoftimin nga Kryeministria e Kosovës.

Haradinaj, ka theksuar se dy shtetet ndajnë aspiratat e njëjta për anëtarësim në BE dhe në NATO, duke shtuar se, “E ardhmja e gjithë Ballkanit Perëndimor është në NATO dhe në BE”

“Marrëveshja për emrin është një lajm i mirë për rajonin. E përgëzojmë Maqedoninë për këtë të arritur, që e promovon një frymë të re të bashkëpunimit ndërfqinjësor. Ne kemi nevojë për mbështetjen e Maqedonisë nëpër proceset integruese të Kosovës dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, siç do të ofrojmë mbështetjen tonë për proceset ndërkombëtare të shtetit fqinjë”, ka thënë Haradinaj.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Dimitrov, i cili gjatë takimit ka përgëzuar kryeministrin kosovar për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian, duke vlerësuar të arriturat e Kosovës në të gjitha fushat.

Kujtojmë se Dimitrov është takuar edhe me homolgun e tij kosovar, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button