Merkel: Vrasjet e NSU-së “njollë e errët” në historinë e Gjermanisë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar se vrasjet e grupit terrorist neo-nazist Nëntoka Nacional Socialiste (NSU) janë “një njollë shumë e errët” në historinë e Gjermanisë dhe premtoi se do të vazhdojnë përpjekjet për zbulimin e fakteve në lidhje me këto vrasje, raporton Anadolu Agency (AA).

Merkel komentet i bëri gjatë konferencës së saj vjetore për media, mes kritikave të rënda nga familjet e viktimave të terrorit të ekstremit të djathtë.

“Si mund të ndodhin akte të tilla të tmerrshme, të komplikuara dhe të mos zbulohen me kohë nga autoritetet përkatëse dhe të mos mund të zgjidhjen një kohë të gjatë. Pa dyshim, kjo është një njollë shumë e errët në historinë e Gjermanisë. Nuk mund të mbyllet thjesht si kapitull”, tha Merkel.

NSU midis viteve 2000 dhe 2007 vrau 8 emigrantë turq, një shtetas grek dhe një polic gjerman, por vrasjet gjatë kohë qëndruan të pazgjidhura.

Pas një gjykimi pesë-vjeçar, një gjykatë e Mynihut javën e kaluar shqiptoi dënimin e përjetshëm të vetmes anëtare të mbijetuar të grupit Beate Zschape dhe u dha dënime të lehta 4 të dyshuarve të tjerë, të cilët i dhanë mbështetje grupit terrorist, por familjet e viktimave shprehën pakënaqësi me vendimin dhe thanë se gjykimi ka lënë shumë pyetje kyçe pa përgjigje.

Familjet po ashtu kritikuan ashpër kancelaren Merkel për mosrespektimin e premtimit që ajo bëri katër vite më parë për të zbuluar të gjitha faktet rreth vrasjeve të NSU-së.

Gjatë gjykimit pesë-vjeçar, Zschape nuk pranoi të jepte ndonjë informacion mbi NSU-në dhe u përpoq të fajësonte dy kolegët e saj të vdekur.

Deri në vitin 2011, policia e Gjermanisë dhe shërbimet e inteligjencës hodhën poshtë çdo motiv racor për vrasjet dhe u trajtuan familjet emigrante si të dyshuar, duke i pyetur ata lidhur me lidhjet e dyshuara me grupet mafioze dhe trafikantët e drogës.

Ndërsa zbulimet e fundit kanë treguar se agjencia vendase e inteligjencës e Gjermanisë kishte dhjetra informatorë që kishin kontakte me të dyshuarit e NSU-së, zyrtarët këmbëngulën se nuk kishin informata paraprake rreth celulës terroriste NSU dhe rolit të dyshuar të saj në vrasje.

Megjithatë, autoritetet në shtetin federal qendror gjerman Hessen së fundmi kanë vendosur të mbajnë disa dokumente sekrete për 120 vjet, duke nxitur spekulime të mëtejshme rreth lidhjeve të mundshme të NSU-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button