Koçan u dënua me gjashtë vjet burg, ndërsa Aviroviq me tre vjet, do t’ju konfiskohet pasuria prej 17 milionë euro (VIDEO)

12:40 – Gjykatësja Lidija Trajkovska-Zimbovska, e cila është kryetare e këshillit gjyqësor për lëndën “Trust”, e shpalli aktgjykimin për të akuzuarit në këtë rast, transmeton Portalb.mk.

I akuzuari i parë i rastit Sead Koçan është dënuar me gjashtë vjet burg për vepër penale “Keqpërdorim të procedurës për thirrje publike, ndarje të marrëveshjes për furnizim publik ose partneritet publiko-privat”, ndërsa i akuzuari Vasilije Aviroviq, i cili nuk ishte i pranishëm në sjelljen e aktvendimit me arsyetim se nuk ndjehet mirë, për veprën e njëjtë penale është dënuar me tre vjet burg.

I akuzuari i tretë Safet Vatiq u lirua nga akuza, gjegjësisht vepra për të cilën akuzohej nuk është vepër penale sipas ligjit.

Gjykatësja shtoi se firmat nga arkat e firmave “Sileks” dhe “Transmet”, të cilat janë përgjegjëse për veprën penale duhet të paguajnë 2 milionë denarë gjobë të cilat duhet t’i paguajnë në afat prej 30 ditësh.

Koçan ka marrë ndalesë që për tre vjet të jetë menaxher i ndonjë organi menaxhes të ndonjë firme, ndërsa Aviroviq të nënshkruajë marrëveshje për furnizime publike në emër të dikujt tjetër.

Gjykata gjithashtu vendosi që t’u konfiskohet pasuria prej 17 milionë eurove që do të kthehen në buxhetin shtetëror.

Prokurori i Prokurorië Speciale Publike (PSP), Gavrill Bubevki tha se janë të kënaqur nga vendimi i gjykatës për konfiskim, sepse për herë të parë konfiskohet pasuri në lartësi të shumës së plotë të tenderit. Sipas Bubevskit, tashmë janë siguruar 90 për qind që duhet të konfiskohen në pasuri të tundshme dhe të patundshme.

Video: Alsat M

Të akuzuarit Sead Koçan, Vasilije Aviroviq dhe Safet Vatiq para Gjykatës seancën e kaluar u shprehën se nuk ndjejnë faj për veprën për të cilën akuzohen.

Koçan në fjalët përfundimtare tha se nuk ndjehet fajtor, sepse nuk ka pasur kurrfarë qëllimi të shkelë ndonjë ligj.

“Pranë të thatit digjet edhe i njomi”, tha Koçan dhe shtoi se qëllimi i vetëm  ka qenë  të jenë konkurrent në treg dhe të sigurojë punë për të punësuarit e tij dhe familjet e tyre.

Ai potencoi se  nuk i ka kontrolluar dokumentet  për këtë rast para se t’i nënshkruajë, edhe pse si menaxher ka pasur obligim të tillë.

“Si menaxher, edhe pse e kam pasur të obliguar t’i kontrolloj të gjitha dokumentet para se t’i nënshkruaj, nuk e kam bërë këtë duke besuar fuqishëm në ekipin tim”, tha Koçan.

Edhe Aviroviq në fjalët përfundimtare u shpreh se nuk ndjehet fajtor për veprën për të cilën akuzohet. Sipas tij, akuza është e pabazë dhe plotësisht e ka rrezikuar gjendjen e tij shëndetësore.

I akuzuari Vatiq në fjalët përfundimtare, gjithashtu, tha se nuk ndjehet fajtor dhe pret  të miratohet shfajësimi.

Përfaqësuesja e “Transmet” SHPK Shkup, Sabina Alomeroviq tha se përfshihet në fjalët përfundimtare të avokatëve mbrojtës të personit juridik dhe në tërësi qëndron pas tyre. Ajo potencoi se pret aktgjykim shfajësues për personin juridik “Transmet” SHPK Shkup.

Avokati Jovan Joanidis, i cili është përfaqësues  i personit juridik “Sileks nemetali ST” tha se Gjykata në mënyrë korrekte e ka udhëhequr  procedurën e tërësishme dhe pret të sillet aktgjykim shfajësues për të gjithë.

Sipas tij në këtë lëndë nuk ka elemente të veprës penale për të cilën ngarkohen të gjithë të akuzuarit.

PSP kërkoi tre të akuzuarit të dënohen, ndërsa firmat “Transmet SHPK Shkup dhe “Sileks nemetali ST” përmes konfiskimit të kthejnë në buxhetin shtetëror 17 milionë euro.

Përveç kërkesës për konfiskim të pronës, PSP vendosi  të akuzuarin e tretë në këtë rast Safet Vasiq ta përndjekë për ndihmë dhe e tërhoqi akuzën për firmën e tij “Vatio” SHPK Studeniçan.

Sipas akuzës, të dyshuarit kanë formuar konzorcium dhe me dokumente të rrejshme kanë marrë tender për gërmimin e zgjyrës në REK Bitola.

Fjalët përfundimtare në “Trust”, Koçan: Jam përpjekur t’ju siguroj punë punëtorëve të mi

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP