Trump: Mezi pres takimin e dytë me Putinin

Presidenti i SHBA, Donald Trump, në një klimë komentesh të zhurmshme që shkaktoi samiti i tij i parë këtë javë me presidentin e Rusisë, la të kuptohet se ai mund të takohet përsëri me Vladimir Putinin.

Zoti Trump, duke komentuar në Twitter, e quante samitin e së hënës në Helsinki “një sukses të madh, përveç armikut të vërtetë të popullit, mediat e lajmeve të rreme”.

“Mezi pres takimin tonë të dytë, që të fillojmë zbatimin e disa prej shumë çështjeve të diskutuara, duke përfshirë ndalimin e terrorizmit, sigurinë për Izraelin, mospërhapjen e armëve bërthamore, sulmet kibernetike, tregtinë, Ukrainën, paqen në Lindjen e Mesme, Korenë e Veriut dhe më shumë …” shkruan Presidenti Trump.

Në një tjetër cikël komentesh të enjten në mëngjes, presidenti amerikan akuzonte mediat kryesore të vendit se ishin “të dëshpëruara për të parë një konfrontim të madh me Rusinë, madje një konfrontim që mund të çonte në luftë”.

Nga ana e tij, Presidenti Putin po fajëson forcat politike brenda Shteteve të Bashkuara se u përpoqën për të minuar samitin e tij me homologun amerikan, transmeton VOA.

Në komentet e para publike lidhur me takimin e tij me Presdentin Trump, zoti Putin u tha diplomatëve rusë: “Ne shohim se ka forca në Shtetet e Bashkuara të cilat janë të gatshme të sakrifikojnë sipas qejfit marrëdhëniet ruso-amerikane, t’i sakrifikojnë ato për ambiciet e tyre në një betejë të brendshme politike në Shtetet e Bashkuara”.

Presidenti rus tha se do të ishte “naive të mendohet se problemet” midis superfuqive më të mëdha bërthamore në botë “do të zgjidheshin brenda pak orësh”. Por ai tha se “rruga drejt ndryshimeve pozitive ka filluar gjithsesi. Është e rëndësishme që më në fund u arrit të bëhej një takim në shkallë të plotë, duke na lejuar që të flasim drejtpërdrejt dhe do të shohim se si gjërat do të ecin më tej”.

Zoti Putin gjithashtu la të kuptohet se bisedimet e së hënës çuan në “marrëveshje të dobishme”. Nga Shtëpia e Bardhë apo nga zyrtarë të tjerë të administratës nuk ka pasur hollësi për ndonjë marrëveshje të tillë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button