Thaçi: Marrëveshja përfundimtare duhet të jetë në mes dy vendeve sovrane

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit të zhvilluar dje në Bruksel lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, deklaroi se marrëveshja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në mes dy vendeve sovrane, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Thaçi në një konferencë për media mes tjerash ka folur për takimin e djeshëm në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky takim i zhvilluar në nivel presidentësh ka qenë një takim i radhës në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar dhe lehtësuar nga BE-ja.

Thaçi vlerësoi se nuk është e lehtë të bisedohet me një president si Vuçiç, siç tha ai, i cili deklaron se “Kosova është pjesë e Serbisë dhe zemra e Serbisë”.

“Pozicionet janë shumë të largëta mes vete. Ky pozicion i presidentit të Serbisë Vuçiç është larg realitetit. Njerëzit mund të mendojnë se është në presion të opinionit publik atje por si liderë ne kemi obligim të qartësojnë opinionin tonë në pajtueshmëri me realitetet që kemi. Kosova është vend sovran dhe i pavarur. Kushdo që vjen në pushtet në Serbi duhet ta kuptojë këtë dhe pozicioni i Prishtinës është i qartë. Marrëveshja përfundimtare duhet të jetë në mes të dy vendeve sovrane”, tha Thaçi.

Sipas tij, pavarësisht vështirësive dhe situatave shumë të komplikuara në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ende ekziston vullneti që ky proces të vazhdojë. Ai shtoi se në katër apo gjashtë muajt e ardhshëm duhet të arrihet marrëveshja përfundimtare e njohjes reciproke në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi thekson se asnjë marrëveshje në mes dy vendeve nuk duhet të jetë e përkohshme por përfundimtare, duke punuar siç tha ai, që të mos biem pre e zërave populiste, nacionaliste dhe politikave ditore.

Ai u shpreh se vazhdimi i “status quo”-së dhe mos arritja e një marrveshjeje finale me Serbinë ka motiv destabilizimi për vendin. “Më mirë është të vazhdojë dialogu e të negociojmë se sa t’i ndodhë dikujt ndonjë incident qofshin shqiptarë apo serbë”, tha presidenti i Kosovës.

Në pyetjen e gazetarëve lidhur me të drejtat e serbëve të Kosovës, presidenti Thaçi u përgjigj duke theksuar se “të drejtat e tyre janë të garantuara edhe me Planin e Ahtisaarit të vitit 2007” dhe nënvizoi se “janë më të afirmuarat se të çdo komuniteti në Evropë”.

“Kosova shumëetnike është vizioni i së ardhmes evropiane. Pse jemi në dialog apo në negociata? Jemi për hir të së ardhmes evropiane sepse është mesazh i qartë i lidershipit evropian se pa normalizim të raporteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pa fqinjësi të mirë dhe pa i tejkaluar problematikat që këto vende i kanë, nuk mund të lëvizin asnjëra drejt BE-së. Dhe, për Kosovën në këtë rast as drejt perspektivës në NATO”, u shpreh Thaçi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button