Lider – kjo fjalë e madhe

Takimi i liderëve që u mbajt dje në Klubin e Deputetëve ku përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në kuvend biseduan për çështjen e referendumit rreth emrit të shtetit u ndërpre për disa çaste kur njëri nga udhëheqësit vendosi ta lëshojë takimin të cilin ai e quajti “të ashtuquajtur”. Mickoski ka funksionin e liderit të partisë më të madhe opozitare në vend, VMRO-DPMNE. Ai u zgjodh në krye të kësaj partie me shpresë se do të arrijë ta udhëheqë dhe ta kthejë të njëjtën në skenën politike. Ajo që ai po bën momentalisht është udhëheqja e partisë së tij drejt humnerës por edhe tentimi që gjithë shteti ta ndjekë në rrugën e tij drejt asaj humnere. Një lider duhet të udhëheqë subjektin e vet politik por edhe shtetin opozitën e të cilit e përfaqëson drejt perspektivës dhe jo drejt shkatërrimit dhe zhdukjes. Lider është fjalë e madhe dhe jo secilit i shkon.

I dëgjova argumentet që Mickoski i dha duke u përpjekur të sqarojë pse e lëshoi takimin e mbrëmshëm. Tha që qenka shumë i revoltuar pse nuk janë thirrur edhe partitë të cilët kanë vetëm një përfaqësues në Kuvend. Menjëherë pas kësaj tha që ka kërkuar nga kryeministri Zaev që deri të hënën të organizojë takim të ri liderësh ku do të jenë të përfaqësuara vetëm katër partitë më të mëdha të pushtetit dhe opozitës. Tani cilën pjesë të kësaj deklarate kontradiktore ta besojmë? Atë ku Mickoski shpreh revoltë se jo të gjitha partitë janë përfaqësuar apo atë ku ai kërkon përfaqësim të më pak partive në takim?! Sidoqoftë, takimi të cilin ai e ka kërkuar do të mbahet sot në orën 12:00, të shohim cili do të jetë arsyetimi i rradhës për kapricet që po shpalos Mickoski, kaprice që na kushtojnë kohë të çmuar, në një periudhë kur koha është resursi më i vlefshëm që e kemi.

Mickoski tha edhe që nuk do të bisedojë për referendum e as për formimin e KQZ-së para se të sqarohen çështjet tjera të marrëveshjeve me LSDM-në. Thotë që insiston që Ligji për financimin e partive politike të kalojë në kuvend. Për këtë ligj partitë politike veç më janë dakorduar dhe i njëjti është në procedurë parlamentare. Por Mickoski kërkon edhe diçka tjetër. Kërkon atë që ai dhe VMRO e quajnë qeveri e Përzhinës. Me fjalë tjera kërkon që ngjashëm si në vitin 2016, para zgjedhjeve të dorëhiqet Ministri i Punëve të Brendshme dhe funksionarët tjerë më të lartë shtetërorë dhe zgjedhjet ti organizojë opozita. Opozita e pa-reformuar e Mickoskit. Ajo opozitë e cila kur ishte në pozitë e pamë çfarë bëri për të mos e lëshuar pushtetin me 27 Prill 2017. Ajo opozitë e cila ende nuk është distancuar as nga dhuna e asaj date për të cilën kërkon amnisti, e as nga kriminaliteti i VMRO-DPMNE-së i cili ndiqet nga PSP. E tani Mickoski kërkon që pikërisht kjo opozitë e pa-reformuar të na i organizojë dhe zbatojë zgjedhjet e reja kurdo që të mbahen ato. Dhe me këtë kërkesë e kushtëzon formimin e KQZ-së. Kjo është po aq e papranueshme sa edhe kërkesa për amnisti të të involvuarve të 27 Prillit me të cilën kërkesë Mickoski e kushtëzon mos-bojkotimin e referendumit.

Me fjalë të tjera, nuk duhet shumë inteligjencë e lartë për t’u kuptuar qëllimi i hapur i Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së për ta bllokuar procesin e zbatimit të Marrëveshjes për emrin dhe me këtë, për ta bllokuar ardhmërinë evropiane dhe veri-atlantike të shëtit. Dhe tani qeveria ka dy zgjidhje: të luajë lojën e Mickoskit dhe t’ia besojë atij dhe VMRO-DPMNE-së ardhmërinë e vendit kur qartazi sheh tendencën e bllokimit të saj, ose të ndërmarrë hapat që mund të ndërmarrë në drejtim të formimit të KQZ-së, zbatimit të referendumit konsultativ për emrin dhe ndryshimeve pasuese kushtetuese.

Liderët janë zgjedhur për të udhëhequr pikërisht në kohëra turbulente si këto. Liderët nuk zgjidhen për të bllokuar por për të çarë rrugën përpara. Lider është fjalë e madhe dhe jo gjithkujt i ka hije. Të qenit lider i suksesshëm është diçka që vlerësohet me më shumë qetësi nga gjeneratat e ardhshme. Gjeneratat e ardhshme që do të jetojnë në një shtet anëtar në NATO e në BE do ta japin vlerësimin e tyre rreth liderëve të tashëm. Më intereson shumë si do të arsyetohet Mickoski para atyre gjeneratave për atë se u mundua t’i mbajë larg perspektivës së tyre evropiane dhe t’i afrojë me lindjen. A do të mund të gjejë atëherë arsyetim për këto veprime që tani po i bën?!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button