Mandela, lideri i lirisë, përkujtohet në 100 vjetorin e lindjes

Lideri legjendar i jugafrikanëve, Nelson Mandela, i cili u bë i njohur si “lideri i lirisë dhe pajtimit” në botë, sot përkujtohet në 100 vjetorin e lindjes, shkruan Anadolu Agency (AA).

I lindur në rajonin Mvezo të provincës Eastern Cape më 18 korrik të vitit 1918 si i biri i një prijësi fisnor, Mandela jetën ia kushtoi luftës kundër regjimit të aparteidit i cili parashihte supremacinë e bardhë dhe kauzës për liri në mënyrë që të çdo individ i shoqërisë, i bardhë apo i zi, të jetojë i barabartë.

Në vend të urrejtjes, Mandela përqafoi edhe të bardhët pas triumfit ndaj aparteidit, fakt ky që konsiderohet si shkaku më i rëndësishëm që lidershipi i tij fitoi admirim nga e gjithë bota.

I emëruar si Rolohlahla Dalibhunga, Mandelas iu vu emri Nelson nga ana e mësuesit të tij në ditën e parë në shkollë, si traditë e asaj periudhe.

Në periudhën në vijim, ai u shqua me rezistencën e tij kundër racizmit. Mandela mori dënimin e parë në luftën e tij shumëvjeçare kur u largua nga shkolla për shkak të një bojkoti që e organizoi gjatë viteve shkollore. I diplomuar në fakultetin e drejtësisë pas një arsimimi në distancë, Mandela hapi një byro të avokatisë së bashku me Oliver Tambo, avokatin e parë zezak në vend.

Lideri legjendar për herë të parë në moshën 25 vjeçare iu bashkangjit Kongresit Nacional Afrikan (ANC), i cili mbronte luftën për barazi të popujve jo të bardhë ndaj të bardhëve. Së bashku me shokët e ngushtë Walter Sisulu dhe Oliver Tambo, ai themeloi forumin rinor të ANC-së dhe u bë kryetar i tij.

Në vitet e 50-ta, kur racizmi u bë më i ashpër, Mandela mbronte idenë e organizmit më militant, ndërkohë që filloi të ketë rol më aktiv brenda partisë. I burgosur disa herë për shkak të pikëpamjeve të tij, Mandelas iu ndaluan aktivitetet politike nga ana e qeverisë.

Masakra në Sharpville

Në një protestë të organizuar pas shpalljes së ANC-së si ilegale në vitin 1960, 69 protestues u vranë nga ana e policisë.

Lëvizja e rezistencës, e cila u rrit edhe më shumë pas kësaj ngjarjeje që u bë e njohur si “Masakra në Sharpville”, u shtyp përmes dhunës së forcave të sigurisë, të cilat burgosën mijëra persona.

Pas masakrës, Mandela hoqi dorë nga rezistenca pasive. Ai u arrestua me t’u kthyer në Afrikën e Jugut nga një udhëtim të cilin e kishte realizuar për të mbledhur armë dhe ndihma financiare. Ai u akuzua për nxitje të popullit dhe përpjekje për të rrëzuar qeverinë, duke u dënuar me burgim të përjetshëm në lëndën e njohur si “Rinova” në vitin 1964.

Në kujtesën e njerëzve u rrënjos deklarata e tij e paharruar gjatë procesit gjyqësor: “Unë kam përvetësuar idealin e një shoqërie demokratike dhe të lirë, në të cilën të gjithë njerëzit jetojnë së bashku në harmoni dhe me mundësi të barabarta. Ky është ideal për të cilin unë dua të jetoj dhe ta arrij, por, nëse duhet, edhe vdes për të”.

Liria e arritur pas 27 viteve

Për ta vuajtur dënimin, Mandela fillimisht u dërgua në burgun ishullor në “Robben Island” nën masa të larta të sigurisë, ndërsa pas 18 viteve u transferua në burgun Pollsmoor në Cape Town.

Emri i Mandelas u dëgjua në botë pas përhapjes së reagimeve kundër racizmit në vitet e 80-ta në saje të një fushate ndërkombëtare të inicuar nga miku i tij Oliver Tambo, me ç’rast Mandela u bë simboli i luftës për liri.

Pas 27 viteve prapa grilave, Mandela u lirua më 11 shkurt të vitit 1990 si rezultat i presioneve të rritura nga jashtë.

Lideri i parë zezak i vendit

Mandela mori pjesë në zgjedhjet e para demokratike në Afrikën e Jugut dhe më 1994, u bë presidenti i parë zezak i vendit.

Pas zgjedhjeve në të cilat morën pjesë jugafrikanë nga të gjitha përkatësitë, Mandela filloi detyrën me lutjet e të krishterëve, muslimanëve, hebrenjve dhe hindusëve.

Në kabinetin e tij, Mandela i dha detyrën e zëvendëskryeministrit Frederick Willem de Klerk, kryeministrit të fundit të regjimit racist, duke theksuar se në vendin e tij do të mbizotëronte paqja dhe jo urrejtja.

Mandela dhe de Klerk fituan Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1993 për luftën për paqe dhe barazi.

Mandela, i cili nuk kandidoi pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar, në vitin 1999 ia dorëzoi detyrën e presidentit bashkudhëtarit të tij në luftën për liri, Thabo Mbeki.

Më vonë, Mandela ia dedikoi jetën projekteve për përgjegjësi sociale. Ai luftoi kundër sëmundjes AIDS, e cila ishte shkaku themelor i varfërisë në vend dhe i vdekjes së të birit të tij, duke i vazhduar në ndërkohë aktivitetet përmes fondacionit të tij për përparimin e Afrikës së Jugut në çdo fushë.

Mandela ishte baba i gjashtë fëmijëve nga tre martesa. Ai ndërroi jetë më 5 dhjetor të vitit 2013 pasi gjendja e tij shëndetësore kishte filluar të përkeqësohet më 2011.

Me rastin e ditëlindjes së 100-të të Mandelas, i cili në histori mbeti i njohur si “simbol i lirisë”, në tërë botën do të organizohen aktivitete të ndryshme dhe simpoziume.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button