KROACIA

Kroacia, ky shtet i vogël me katër milionë banorë, me ishuj dhe bregdet të bukur, shkëlqeu në Botërorin e futbollit. Kishte lojtarë cilësorë, skuadër vetëmohuese e të disiplinuar, një përzgjedhës që, para çdo loje, konsultohej me kolegët e tij.

Kroacia nuk arriti rastësisht në majën e futbollit botëror. Ajo ka shkollë të mirë futbolli dhe klube të nivelit europian. E ka të zhvilluar basketbollin, hendbollin, vaterpolon, tenisin apo atletikën. Ka medalje kampionësh në këto disiplina.

Kroacia është pavarësuar nga Jugosllavia federale në vitin 1991. Bashkë me Slloveninë kanë qenë dy republikat më të zhvilluara në federatë. Himni i Kroacisë së pavarur titullohet: “I bukur është atdheu ynë”. Kroatët e duan atdheun e tyre, pavarësisht se ku jetojnë. Ata kanë pasur një lëvizje të fuqishme kombëtariste në emigracion, kryesisht djathtiste. Shumë emigrantë kroatë janë vrarë nga shërbimet sekrete jugosllave.

Në Kroaci respektohen luftëtarët për pavarësi, por ata nuk kanë bërë karrierë politike. Kroacisë nuk i ka munguar elita ndikuese në shoqëri. Një elitë e aftë, profesioniste, e përgjegjshme. Falë saj është pjesë e BE dhe e NATO-s, ka standard të lakmueshëm jetese, ka turizëm dhe ekonomi të zhvilluar, sistem rrugor modern, ka aeroporte e porte, ka kompani për prodhimin e veturave elektronike apo të celularëve.

Kroatët kanë temperament mesdhetari. Janë të zjarrtë, gjithsesi. Janë krenarë me përkatësinë e tyre. E mbrojnë gjuhën. Kanë vetëdije pro europiane. Kanë ndjenjë të theksuar për jetën e përbashkët. Në Kroaci respektohen ligjet. Një kryeministër i korruptuar është në burg.

Shqiptarët bëjnë tifo për Kroacinë për shumë shkaqe. Një pjesë e shqiptarëve, që dikur ishin pjesë e të njëjtit shtet, kanë qenë tifozë të skuadrave kroate. Ka mijëra shqiptarë që jetojnë në Kroaci. Arbanasit e Zarës janë një komunitet i vendosur aty në fillim të shekullit XVIII, ndoshta më herët. Ata kanë dhënë emra të shquar në muzikë, sport, shkencë, politikë. Ka pasur nga ky komunitet kardinalë e admiralë, akademikë e profesorë, ministra, diplomatë e kryetarë bashkish. Nga viti 1910 e kanë klubin e futbollit “NK Arbanasi”, që garon në kategoritë rajonale.

Shqiptarët dhe kroatët kanë lidhje të shumta përgjatë historisë. Ka shumë personalitete shqiptare që kanë vepruar aty. Lidhjet janë edhe të mëvonshme. Kroatët, në armiqësi me regjimin serb, kanë pasur të njëjtën kauzë sikurse shqiptarët. Shumë shqiptarë, veçanërisht nga Pollogu, kanë biznese në Kroaci. Ka shumë shqiptarë që kanë lindur dhe janë rritur aty. Në kombëtaren kroate ka pasur edhe shqiptarë: Kujtim Shala dhe Ardian Kozniku. Shumë të rinj shqiptarë, që nuk merakosen se çfarë ka ndodhur përgjatë historisë, e duan Kroacinë për lojën e futbollit, për lojtarët që luajnë në ekipet më të mira europiane.

Kroatët kanë ditur ta reklamojë vendin e tyre. Kryetarja plot sharm, u bë ikona e Botërorit. Një imazh imponues dhe simpatik. Kroatët punojnë për imazh. Para disa vitesh, gjatë një manifestimi kulturor, në një qytet bregdetar shqiptar, poetët kroatë kishin sjellë edhe material propagandues për bregdetin kroat. Derisa lexonin poezi në sfond shfaqeshin pamje të bukura nga bregdeti kroat…

Fitoret vijnë kur e do atdheun. Botërori nuk është fitore vetëm për futbollin kroat, por edhe për shoqërinë kroate. Kroatët kanë më shumë vetëbesim. Ata kanë ditur ta shfrytëzojnë këtë energji për të mirën e kombit dhe shtetit të tyre. E kanë shfrytëzuar sepse kanë ndjenjë për jetën e përbashkët…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button