E vërteta që duhet të argumentohet

Më thotë një mik dje:

“Ne kemi histori të pasur”! Unë ia kthej:

“Po ku e ditke ti”?!

“E di”, thotë, “këtë e dinë të gjithë”. Unë i rrudh supet, e lëviz kokën në shenjë mospajtimi, Kurse ai më shikon me një nervozë që i del nga sytë që nisin t’i nxjerrin xixa dhe nga fytyra që i bëhet limon e verdhë. Pastaj i them:

“A flasim pa emocione”?

“Flasim”, thotë

“Ku i mbështet ti këto konstatime”?

“Këto që po t’i them unë, i di çdo shqiptar”… insiston ati.

Dhe kështu ne të dy biseduam gjatë. U ndalëm veçmas në periodën e Mesjetës. Unë i thosha se kjo periodë është ende e errët për historinë tonë. Ai ma kthente se gjërat dihen. Në fund unë qetë i thashë:

“Or mik që nga viti 1740 kur në Bibliotekën Propaganda Fides të Vatikanit Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova (kryepeshkop i Shkupit e zbuloi Mesharin e Gjon Buzukut, i rralli shqiptar ka qenë në arkivat e pasura të Vatikanit, të kërkojë dokumente që flasin për historinë tonë. Të rrallët kanë shkuar edhe në arkivat e Raguzës, të Venedikut, të Stambollit, të Vienës, të Parisit, të Londrës…”

“Çka ka atje”?…

“Ka aq shumë dokumente, sa po t’i renditësh bëhen kilometra e kilometra”.

“Po ne e kemi gjuhën tonë dokument të mjaftueshëm për studime”…

“Gjuhën”?

“Po”…

“Një pjesë e madhe e fjalëve tona shqipe po vdesin nëpër fshatrat që po mbeten pa njerëz… Ne jemi i vetmi popull që kemi dy shtete që kemi mbetur me një fjalor prej 40.000 fjalësh. Në këtë numër fjalësh ka terminologji staliniste, tash e dalë nga përdorimi… Në këtë drejtim jemi të fundit në Evropë”…

“E çfarë bëkan gjithë ato institute, çfarë bëjnë dy akademi shkencash”?

“Pyetje kjo për shtetin shqiptar. Me të vërtetë nuk e di se çfarë bëjnë”?!

”Çfarë do të kishe bërë ti, po të të pyeste dikush lidhur me këtë çështje”?

“Do t’u jepja bursa shtetërore studentëve të talentuar që t’i studiojnë greqishten e vjetër, greqishten e periodës bizantine, latinishten e vjetër, latinishten mesjetare, sllavishten e vjetër, osmanishten, arabishten, persishten, po edhe armenishten. Natyrisht edhe gjuhën dhe letërsinë shqipe”…

“Pastaj”?

“Pastaj do t’i hapja dyert e instituteve të historisë dhe të gjuhës e letërsisë shqipe e do t’i punësoja… Me rroga të mira… që të kem mundësi të kërkoj rezultate pune prej tyre”.

“Thua”?

“Pa tjetër. E vërteta duhet të dokumentohet. Nuk është e vërtetë ajo që thirret vetëm në shkrimet e shteteve fqinje që shpeherë kanë bërë flasifikime të historisë dhe në vend se t’i shërbejnë të vërtetës i kanë shërbyer propagandave shoviniste”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button