Maqedoni, çdo e treta grua viktimë e dhunës në familje

Mbi 90 për qind e viktimave në Maqedoni janë gra dhe kjo nënkupton se një në tre gra është viktimë e dhunës në familje, tregojnë statistikat e fundit të hulumtimit të zhvilluar nga sektori joqeveritar, raporton Anadolu Agency (AA).

Raporti në fjalë u prezantua në Parlament në debatin publik me temën “Plani i veprimit për zbatimin e Konventës për parandalimin dhe luftimin kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në Republikën e Maqedonisë në vitin 2018”.

Ministrja e Punës dhe Politikë Sociale, Mila Carovska në debatin e sotëm tha se angazhimi aktual i Maqedonisë ishte i drejtuar në trajtimin e problemit të dhunës në familje dhe si rezultat i presionit nga shoqatat që angazhohen për çështjen e të drejtave të grave dhe rekomandimet e organeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, u krijua një kornizë ligjore për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

“Jam e sigurtë se të gjithë së bashku, secili nga ne do të japë maksimumin që për 5 vitet e ardhshme të kemi shërbime në gjithë rajonin, por gjithashtu një sfidë e madhe mbetet amendamenti i legjislacionit që unë pres ta kemi vitin e ardhshëm”, ka thënë Carovska.

Natasha Boshkova, këshilltare e koalicionit “Margjinat”, tha se konventa paraqet një nga instrumentet më të fuqishme ndërkombëtare për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe ofron një sërë masash që shteti duhet të ndërmarrë për përmirësimin e mbrojtjes kundër dhunës gjinore.

“Plani i veprimit ka tri aktivitete kryesore, harmonizimin e legjislacionit ekzistues me konventën, apo ndryshimin e ligjeve që nënkupton përputhjen e standardeve me konventën, të parapara me aktivitetet për mbrojtjen dhe parandalimin, si dhe aktivitete parandaluese që duhet të ndërmerren nga ministritë dhe qeveria në mënyrë që të ndërhyjë në rast të dhunës”, tha Boshkova.

Plani kombëtar për veprim dhe zbatim të Konventës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një dokument strategjik i Qeverisë së Maqedonisë që përcakton aktivitetet, institucionet kryesore, treguesit dhe afatet kohore për përkthimin e dispozitave të Konventës në legjislacionin kombëtar për periudhën 2018-2023.

Objektivi kryesor i planit aktual është hartimi, zbatimi dhe koordinimi i një politike gjithëpërfshirëse kombëtare për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button