FSHESA

“Jashtësia e shëndoshë fillon nga brendësia e njeriut”.

Robert Urich

Para do ditësh isha në spitalin më të madh publik të Maqedonisë, në poliklinikën “Nënë Tereza” për të vizituar një mik dhe me të shkelur në hapësirat oborrtare të saj, i dëshpëruar sa s’bën, të të ftohet jeta: mbeturina gjithandej, n’kosh e jashtë tyre, në rrugë, në trotoare, pet shishe, kanaqe, letra, mbetje medicianle e çka jo tjetër. Në një institucion që duhet të frymojë higjienë, pastërti, dëlirësi, kulturë publike. Hallqarje me pacientin dhe bisedë me vetëveten: “Mjerët ne ku na sjellin kur sëmuremi!” Vjen për t’u shëruar apo për t’u infektuar, për t’u bërë më keq. Rasti nr. 2: Vetëm 500 metra larg shtëpisë sonë, në mbrëmje, thuajse çdo natë tym e erënaja nga më të pakëndshmet, nga më të gërditshmet që vijnë nga bregu i lumit, pranë liqenit artificial të Treskës. Qe një vit e ca ë shkruajmë, postojmë foto e shkrime në rrjete sociale dhe asnjë masë e ndërmarrë. Mbetjet e Karposhit e Gjorçes dhe nga katër e anët e Dervenit përfundojnë në Sarajin tonë të falur të bukur hyjnisht dhe të prishur njerëzisht. Rasti i tretë: një i ri, student imi, nga Kopanicë tregon se si në fshatin e tij në mënyrë të organizuar është sjellë dhe është lëshuar një tufë qensh endacakë që gjezdisin ka t’u teket, si kafshë që janë dhe rrezikojnë qytetarët, në veçanti fëmijët. Shembulli negativ i radhës: Kolltukë, vaska pranë kontenjerëve. Njëra nga komunat shqiptare shpall dënime për ata që kapen në flagrancë. Zoti e di se do japë rezultate. Fol hoxhallarët n’Ramazan, përmend fjalë profetike për “pastërtinë si gjysma e besimit” dhe ndryshime, shumë pak, thuajse fare. Godit me fjalë, tërheq vërejtjen, ilustro me versete, kot. Shqiptari prapë shtëpinë e bën mbi kanal, mbi jaz, bërllokun e gjuan në lug ose pranë lumit. Sa ma larg shtëpisë.  Para do ditëve po shikoja që në autostradën Shkup-Tetovë sektori gjegjës sërish vendoste gardh teli, që ndër vite është humbur pa nam e pa nishan. Ishalla mbetet aty sepse qentë kanë qenë sebep i shumë aksidenteve‎.

Dhe titulli: Fshesa. Këtë emër Fjalori i Shqipes e përkufizon si “tufë melekuqesh të thata a bimësh të tjera barishtore ose tufë degësh të holla të disa shkurreve, të qepura e të lidhura bashkë dhe me një bisht, që përdoret për të fshirë shtëpinë, oborrin, rrugën etj.” Pas vizitës së përmendur më sipër, nga mediat mësuam për një grup të rinjsh nga shkollat e mesme të qytetit holandez Roterdam, 2231 kilometra larg kryeqytetit tonë, që kishin ardhur të fshijnë dhe pastrojnë mbetjet e shkapërderdhura para spitalit të fëmijëve në Qendrën Klinike të Shkupit, të ndryshojnë “panoramën e jokulturës” të mbeturinave të hedhura nëpër rrugicat dhe barishtoret e këtij institucioni shëndetësor. Na treguan fshesën. Këta nxënës fshinë, pastruan, bojatisën dhe i regulluan katet e kësaj qendre klinike. E gjithë kjo ndërhyrje e jashtme, projekt i OJF-së holandeze “Out of Area”. Njëri nga aktorët e këtjij projekti i është drejtuar një gazetari vandas me këto fjalë: “Fotografoni dhe publikoni ju lutem. Shihni se në çfarë mjedisi shërohen fëmijët!” Një profesor nga mesi i hollandezëve na kishte dhënë një leksion që duhet ta dimë: “Pa marrë parasysh zhvillimin e procedurave burokratike, nuk duhet të lejoni që të ketë kaq mbeturina… Duhet të ngrihet  vetëdija dhe të mos hidhen gjëra në shportat e plota.” Në vitin 2013 gjatë një konference qëndrova në Roterdam dhe ç’të them, si t’ua përshkruaj kulturën e kologjike të banorëve të tij? Gjelbërim, drunj, lule, shtëpi të vjetra që shkëlqenin, liman e ura mbresëlënse. Mendja dhe dora e njeriut i ka bërë. S’kanë zbritur nga qielli.

E ne, qytetarët e Maqedonisë, ne shqiptarët? Si ka mundësi që të kemi arritur në këtë shkallë teposhtëze etike: edhe ata që hedhin edhe ata që nuk i menaxhojnë si duhet këto institucione, që mes tjerash duhet të kenë parasysh edhe rendin. Të gjithëve na duhet një fshesë e mendësisë, një “bisht netlle”, siç i themi ne këndej. Dhe bishti bashkë me fshesën kanë ardhur nga qoshi tjetër i kontinentit. A ka më turp se sa dikush të t’i mësojë praktikisht normat higjienike, në oborrin tënd. Mungesë kulture qytetare, njerëzore, fetare, elementare. Mungesë bontoni. “Nëntë të dhjetat e sëmundjes mund të pengohen përmes mendimit të drejtë dhe higjienës!” – thotë Henry Miller. Japonezët pas ndeshjes me Belgjikën në “Russia 2018”, në fakt pas emocioneve të disfatës, tribunat e stadiumit i kishin pastruar vetë, gjithçka kishin futur në qeska, i lanë siç i kishin gjetur. Ndërsa futbollistët e të njëjtës skuadër, zhveshtoren, më mirë se një kompani pastrimi, dhe kishin ngritur porosinë mbi tavolinë “Spasibo” (Falemnderit). Disiplina është pasqyrë e personalitetit të një njeriu, e identitetit dhe shkallës civilizuese të një populli. Fshesa na duhen o njerëz!  Që t’i fshijmë turpet tona që i bëjmë vetë, me vetëdije. Mos bëhemi francezë, se vijnë hollandezët!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Ktu te ne fshesa nuk kryn pun, po aj “bishti i fsheses” qe e kishe cek i nderuar profesor. Sanksione dhe vetem sanksione. Ndoshta pas 10 vite rresht me sanksione do t’del ne pah vetdija njerzore .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button