ANALIZË: Boshatisen Lindja dhe Perëndimi – punësimi dhe martesa, arsyet kryesore për migrim!

Numri i qytetarëve që migrojnë brenda vendit po rritet, sipas të dhënave zyrtare të Entit Statistikor, vendin e kanë lëshuar më shumë se 424 njerëz, shumica prej të cilëve prej 25 deri në 39 vjeç. Më shumë se gjysma nuk duan ta deklarojnë arsyen pse largohen nga Maqedonia, kurse ata të cilët janë deklaruar, si motive kryesore i përmendin arsyet familjare, punësimin jashtë vendit, arsimimin dhe martesat, shkruan analiza javore e Portalb.mk.

Gjermania, Italia, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara – destinacionet më tërheqëse

Maqedonia Perëndimore dhe Lindore kryesisht përballen me eksodin emigrues. Sondazhi i fundit nga Enti Statistikor tregon se sipas numrit të qytetarëve  që kane emigruar në vitin 2017, kryeson komuna e Gostivarit nga ku kanë ikur 39 vetë, komunën e Dellçevës e kanë lëshuar 23 vetë dhe komunën e Jegunovcës, 24 persona. Lufta për një jetë më të mirë është një nga motivet kryesore për emigrim jashtë vendit.

“Për të tretin vit radhazi punoj në Itali, jam transportues, vozis kamion. Edhe vëllai im punon me mua. Ne punojmë nga gjashtë muaj, kthehemi në Maqedoni zakonisht në verë dhe pastaj  kthehemi në Itali. Shumë të rinj nga ky rajon, me pasaporta bullgare, kanë shkuar në Evropë, shumica prej tyre në Itali”, thotë një i ri nga rajoni i Dellçevës.

Sipas hulumtimit të kryer nga Enti shtetëror i statistikave, punësimi është një nga arsyet më të rëndësishme që njerëzit largohen nga Maqedonia. Kështu, 80 prej tyre nuk dëshironin të përgjigjen se cila është arsyeja për migracionin jashtë vendit, 29 kanë deklaruar se largohen për shkak të arsyeve familjare, 21 për shkak të punësimit, 6 për shkak të martesës dhe 5 thonë se largohen nga vendi për shkak të arsimimit.

Statistikat bëjnë me dije se vitin e kaluar vendin e kanë  lëshuar 424 persona, 141 prej tyre ishin shtetas të Maqedonisë dhe 283 ishin të huaj.

“Duhet të bëjmë dallimin midis këtyre shifrave të publikuara nga statistikat shtetërore dhe pasqyrës së vërtetë të migracionit. Në vend nuk ka të dhëna reale mbi migrimin, ose të dhëna të cilat i posedojnë institucionet. Këto që  tani i ka publikuar Enti shtetëror i statistikave është numri zyrtar i qytetarëve të regjistruar dhe të çregjistruar, por jo edhe ata të cilët zyrtarisht nuk janë regjistruar se emigrojnë, kurse numri tyre është shumë më i madh se ajo që e kemi tani si të dhëna”, – thotë statistikani Donço Gerasimovski, një nga ish-drejtorët e Entit statistikor për Portalb.mk.

Destinacionet më tërheqëse për qytetarët e Maqedonisë janë vendet evropiane dhe Amerika. Kështu, 40 persona emigruan në Gjermani, 42 në Amerikë, në Itali dhe Austri 11 persona, në Zvicër 14.

Gjermania është një nga vendet ku largohen profesionistët, veçanërisht nga shëndetësia. Të dhënat e publikuara nga Oda e mjekëve ishin shqetësuese, sipas të cilave vetëm nga Tetova, rreth 80 mjekë kanë kërkuar vërtetime për largim jashtë vendit.

“Nuk mund të themi se vetëm të rinjtë po largohen, por vendin e  lënë edhe specialistë me përvojë, njerëz që kanë kontribuar shumë gjatë në punën e tyre në sistemin shëndetësor në Maqedoni”, thotë Dr. Ylber Besimi, nënkryetar i Odës së mjekëve.

Sipas nivelit të shkollimit, Maqedoninë janë duke e lëshuar pothuajse të gjitha profilet, edhe kuadrot me përgatitje të lartë  dhe ata me të ulët. Të dhënat tregojnë se vitin e kaluar janë larguar 19 persona me shkollim fillor, 35 me arsim të mesëm, 8 persona kanë qenë me shkollim të lartë, e ka pasur edhe doktorë shkencash që janë larguar. Rreth dhjetë njerëz që migruan jashtë nuk kishin arsimim apo kishin vetëm arsim fillor.

Mungesa e të dhënave të sakta dhe të plota mbi numrin e qytetarëve në Maqedoni, sipas ekspertëve, ndikon dukshëm në besueshmërinë e të gjithë treguesve të tjerë, si ekonomikë ashtu edhe politikë.

“Në rastin e migrimeve të jashtme, problemi i madh është mungesa e të dhënave të sakta për numrin e qytetarëve të larguar, dhe kjo ndikon edhe mbi të dhënat për vlerësimin e popullsisë. Kështu, nëse nuk e dimë numrin e përgjithshëm të të shpërngulurve, atëherë edhe parametrat për lëvizjet e tjera duhet të analizohen me rezervë. Për shembull, si e llogarisim PBB-në për kokë banori nëse nuk e dimë numrin e saktë të banorëve. Që nga viti 2002, nuk kemi bërë vlerësim të popullsisë sipas komunave, gjegjësisht në disa komuna popullsia nuk është numëruar fare, e nga ana tjetër kemi programe zhvillimi në nivel lokal – në bazë të të cilave të dhëna janë bërë ato?”- thotë statistikani Gerasimovski dhe shton:

“Është interesante, për shembull, se këshilltarët komunalë marrin kompensime, në mes tjerash, duke u bazuar edhe në numrin e banorëve të komunës, e siç thashë, nuk kemi një vlerësim të ri të numrit të qytetarëve nëpër komuna. Pra, pa të dhëna të besueshme nuk mund të flasim për besueshmërinë e parametrave të tjerë.”

Por në Maqedoni rritet edhe numri i qytetarëve që migrojnë brenda vendit. Vetëm vitin e kaluar, 6.704 qytetarë migruan nga një qytet në tjetrin, ndërsa 2.258 veta kanë migruar brenda komunës ose qytetit të njëjtë. Në vitin 2017, në kryeqytet kanë migruar 2.506 banorë nga komunat e tjera dhe sipas numrit të banorëve të rinj, rritje ka në komunat e Aerodromit, Karposhit, Gazi Babës. Nga ana tjetër, për nga numri i qytetarëve të cilët e kanë lënë komunën e tyre dhe kanë shkuar për të jetuar në ndonjë komunë tjetër, në vitin 2017, me përjashtim të Shkupit, kryeson Manastiri, të cilin e kanë lënë 206 persona, Gostivarin e lëshuan 189 persona, Kumanovën 195, Prilepin 202 dhe Tetovën 214.

Ekspertët theksojnë se këto janë të dhëna për qytetarët e regjistruar që kanë emigruar, pa marrë parasysh se a kanë shkuar jashtë vendit ose kanë bërë migrim të brendshëm, kurse situata në realitet, duke i pasur parasysh personat e paregjistruar, është krejtësisht ndryshe.

Maqedonia, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, është e detyruar të bëjë regjistrimin e popullsisë. Herën e fundit ky operacion është kryer në vitin 2001, ndërsa përpjekja për regjistrim të popullsisë në vitin 2011 dështoi dhe përfundoi si “rast” i Prokurorisë Speciale Publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button