Rreziqet e përditshmërisë dhe pse Kollorado nuk është terrorizëm

Vrasja e fundit makabër në Kollorado të Shteteve të Bashkuara na perkujtoi edhe një herë vrazhdësinë e rreziqeve me të cilat ballafaqohemi, duke e rritur kështu edhe më tej arsyen për frikën, që shpesh herë del nga kontrolli dhe humb kuptimin. Sot, si edhe përgjatë historisë njerëzore, nuk ka shtet, shoqëri ose bashkësi në botë që mund të jetë e sigurtë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha vendet. Shtetet e Bashkuara, India, Norvegjia, Indonezia, Gjermania dhe vendet e Lindjes së mesme janë vetëm disa prej vendeve që automatikisht asocojnë në aktet terroriste përgjatë pesëdhjetë viteve të fundit. Qartë, asnjë rajon i botës nuk është imun nga aktet që realisht, nuk mund të parandalohen me siguri të plotë, pa dallim sofistikimit teknologjik ose aftësisë së kundërzbulimit. 

Me thjeshtësimin e argumenteve, masakra e Kollorados lidhet me qëndrimin liberal për posedimin e armëve në Shtetet e Bashkuara, që mbështetet me raportimet se dorasi është furnizuar me municion të sasive të jashtëzakonshme në mënyrë ligjore – përmes internetit. Por, është plotësisht e gabueshme të njëjtësohet liria e posedimit të armëve me rrezikun real dhe vrasjet mizore që tashmë përsëriten rregullisht. Ndërkohë që posedimi i armës lejohet me Amendamentin II të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, e njëjta lejohet edhe në Zvicër, ku shkalla e krimit është shumëfish më e ulët se në Amerikë. Andaj, posedimi i armatimit nuk e implikon detyrimisht rritjen e vrasjeve.   

Më afër nesh, sulmi terrorist në Burgas ishte një përkujtim tjetër për rreziqet ekzistuese, pothuajse duke u përputhur me përvjetorin e sulmit terrorist në Norvegji, që është i pakrahasueshëm në nivel botëror dhe për më tepër, e vë në dyshim bindjen që disa shtete janë më të sigurta se shtetet tjera, ku vendet si Izraeli dhe SHBA rregullisht kategorizohen në grupin e dytë. Kjo sërish e dëshmon konstatimin që pa dallim nga përgatitja profesionale, parashikimi i rreziqeve ose niveli i përgatitjes, sulmet terroriste mund të ndodhin kudo dhe kurdo. Në rastin e fundit, mbetet të shihet se kush qëndron pas sulmit në Bullgari, që mbase mund të ndihmojë në kapjen e autorëve ose parandalimin e sulmeve tjera të mundshme. 

Gjatë periudhës së kaluar, trajtimi i këtyre dy rasteve e ngriti pyetjen se pse disa prej tyre klasifikohen si sulme terroriste kurse të tjerat jo. Prej autorëve të ndryshëm nga përkatësi të ndryshme fetare, parashtrohet pyetja se çka e dallon rastin në Norvegji nga Kolloradoja dhe mos ndoshta përkatësia racore ose fetare e të dyshuarit e përcakton veprën si akt terrorist ose jo. 

Në fakt, në detin e mbi 200 definimeve të terrorizmit, ekziston një përkufizim i qartë që pranohet nga ekspertët, pa dallim kundërshtimeve që vazhdimisht debatohen në qarqet akademike. Kështu, sipas përkufizimit të Departamentit të Shtetit, sulmi terrorist është ‘akt i dhunës së paramenduar dhe me motive politike, që ushtrohet nga grupet subnacionale ose klandestine ndaj qëllimeve jo-luftarake, zakonisht për të ushtruar ndikim mbi ndonjë audiencë të caktuar’. Kjo do të thotë që nevojiten disa elemente për klasifikimin e veprës terroriste, duke filluar nga dorasi ose aktorët, të cilët e shfrytëzojnë dhunën kundër civilëve, për të arritur një efekt të caktuar në opinionin e gjërë – me motiv politik. 

Elementi i fundit është pikërisht edhe arsyeja se pse masakra në Kollorado nuk definohet si terrorizëm. E vërtetë, ekziston sulmi mbi civilët e pafajshëm, por mungesa e motivit të definuar politik dhe efektit që duhet të arrihet e dallon atë nga aktet tjera terroriste. Për krahasim, Anders Breivik trajtohet si terrorist, pikërisht për shkak të motivit të shpallur për aktin barbar, që sipas tij, do ta aktualizonte problemin që i kanoset Norvegjisë dhe Evropës nga shoqëria multikulturore. Në mënyrë të ngjashme trajtohet edhe sulmi në Burgas, ku duke u bazuar në përvojën e sulmeve të kaluara ndaj caqeve izraelite, vepra definohet si terrorizëm meqë supozohet të ketë një qëllim dhe motiv të caktuar, që duhet dëshmuar pas arrestimit të autorëve. 

Përdorimi i gabuar ose i gjeneralizuar i nocionit në fjalë nuk e ndihmon luftimin ose identifikimin e tij. Përkundrazi – përkufizimi i formësuar sipas dëshirës vetëm që shkakton më tepër huti, duke nxitur supozime të gabueshme. Kjo mund të ilustrohet me sulmin terrrorist në Norvegji, që ndonëse fillimisht u supozua të ishte vepër e terroristëve me motive fetare islamike, faktet e dëshmuan të kundërtën shumë shpejtë. E njëjta ndodh edhe me definimin e gabueshëm të veprave terroriste, që realisht nuk janë të këtilla, duke krijuar mosbesim dhe përfundimisht, duke e rritur frikën tashmë të lartë. 

Për ta kuptuar më mirë efektin e përdorimit joadekuat të nocionit terrorizëm, vlen të përkujtohemi në vrasjen e fundit dhe të pandriçuar afër fshatit Smillkovcë. Vepra që u definua si terrorizëm njëzëri nga Ministria e punëve të brendshme dhe shumica e mediave, nuk i ka elementet e lartëcekura, meqë mungon motivi i definuar politik dhe veçoria kyçe e qëllimit për krijimin e frikës mbi opinionin e gjerë. Pa këto elemente, ajo mbetet vetëm si vrasje ose ekzekutim, që njëqind ditë më vonë mbetet e pazbuluar. Ky rast edhe një herë e përballi Maqedoninë me mbështjellen e lirshme të vrasjeve dhe akteve kriminele si terrorizëm, njëjtë si edhe me Vreshtat e Rashtakut, kur gjashtë shtetas pakistanezë dhe një indian u ekzekutuan nga forcat policore, si pjesë e luftës së deklaruar kundër terroristëve islamikë. Ndërkohë që motivet për definimet e luhatshme vijëzohen lehtë, nënkuptohet momenti i krijuar psikologjik përmes mediave kur proklamohen rreziqe nga sulmet terroriste. 

Përfundimisht, mbetet pyetja se sa Maqedonia është e gatshme për parandalimin ose luftimin e terrorizmit – atij real dhe jo veprave që mbeten nën dyshim ose që motivohen nga natyra politike. Duke gjykuar nga e kaluara, rasti i Vreshtave të Rashtakut përfundoi si fiasko e natyrës së ulët, për demonstrim të orientimit pro-perëndimor pas sulmeve teroriste më 9/11. Rasti tjetër i përshkruar si terrorizëm mbetet në sirtaret e gjyqësorit, duke e pritur epilogun e atyre që mbesin të arrestuar, por edhe të premtimeve për kërkim të përgjegjësisë politike nga Ministresha e punëve të brendshme për deklaratat e shpejtuara. Me besimin e ulët institucional dhe dështimet e cekura, për më tepër edhe pa epilog gjyqësor, është plotësisht e natyrshme të pritet përgjegjësi superiore në nivel institucional dhe shtetëror, të paktën përmes evitimit të manipulimeve të trajtuara, ku edhe mediat kanë rolin e tyre. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button