Kroacia dhe arti i tetë

Sot është mbrëmja e finales së Botërorit, e kompeticionit të sportit më të popullarizuar anekënd rruzullit tokësor. Këto ditë me siguri në të gjitha viset e botës, temë kryesore është pikërisht kjo ndeshje, me biseda të gjithfarëlloji: parashikime, parandjenja, dëshira, vënie bast, dikush e merr si politike, dikush si ekonomike, etj…por, në përgjithësi thonë: megjithatë, topi është i rrumbullaktë dhe në mejdan përballen dy skuadra me nga 11 lojtarë.
Unë personalisht, këtë ndeshje kështu e kuptoj:
Kroacia, ky vend i vogël ballkanik, i sapo dalë nga një gjendje kataklizmatike, ka ndjekur mitin e Feniksit për të mbërritur (për një kohë të shkurtë) në shumë shembuj të vërtetuar historikisht, atë të Termopileve, të Marathonës dhe të Lekës së Madh.
Nga kjo Kroaci, mund të mësojmë shumë gjëra, por dy prej tyre janë më evidente. E para, të kaluarën, sado e hidhur të jetë, nuk duhet ta marrim vetëm si “frymëzim” për të krijuar elegji, mallikime dhe vaje, por edhe si motivim në përshpejtimin e ndërtimit të Ardhmërisë; dhe e dyta, vetëm të bashkuar arrihet në kulmin e lavdisë.
Dhe ndonëse ka zëra se brenda këtij vendi ka patur antagonizma ndërmjet kroatëve dhe dalmatëve, ata edhe këtë fenomen që ngjante me një cipë të hollë ndarjeje, e tejkaluan, për ta përceptuar si një simbiozë.
Kjo Kroaci, i ka magjepsur të gjithë sportdashësit, nga italianët që i kam këtu afër e deri edhe te armiqtë e saj të dikurshëm, serbët. Këtë e vërtetojnë deklaratat e telekronistit të famshëm Milojko Pantiç, ku pos tjerash thotë:”Populli sportdashës serb, është me Kroacinë, përveç udhëheqësisë kokezane ultra shoviniste dhe ndjekësit e verbuar të saj..”
Unë futbollin kroat e dua për shumë arsye, për kompaktësinë, bukurinë, forcën, ritmin, sinkronizimet, improvizimet,…
E dua sepse, pikërisht tash kur disa ngjarje të shëmtuara që filluan të depërtojnë në këtë sport, aq sa shumica me të drejtë, e indinjuar filloi të largohet, këta të rinj jo vetëm që ia kthyen shkëlqimin futbollit, por me estetikën e lojës së tyre, ata këtë sport janë duke e afruar më artet e bukura, që unë do ta quaja…
ARTI I TETË.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button