Gjithçka gati për Samitin e nesërm Trump-Putin në Helsinki

Në kryeqytetin e Finlandës, Helsinki, nesër do të mbahet takimi historik në mes të presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, ndërsa Samiti është organizuar nën masa maksimale të sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Samiti do të mbahet në Pallatin Presidencial në Helsinki, ndërsa nikoqiri i takimit të parë të Trumpit me Putinin do të jetë presidenti finlandez Sauli Niinisto.

Është parashikuar një takim dypalësh pas të cilit do të ketë një drekë pune dhe më pas Trump dhe Putin së bashku do t’u drejtohen gazetarëve.

Samiti, sipas paralajmërimeve, duhet të zgjasë rreth katër orë, ndërsa në rend dite do të jenë shumë tema, përfshirë edhe marrëdhëniet SHBA-Rusi, akuzat për përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, situata në Siri, procesi i denuklearizimin, aktivitetet ushtarake ruse në Ukrainë, aneksimi i Krimesë dhe çështja e Koresë së Veriut.

Presidenti amerikan Trump përpara samitit ka thënë se Putinin nuk e konsideron si armik, por një konkurrent, dhe do të kërkojë që Rusia t’i ushtrojë presion Korenë së Veriut për të ndihmuar këtë vend që të futet në procesin e denuklearizimit. Ai do t’i kërkojë Putinit t’i japë fund ndihmës ekonomike dhe blerjes së fshehtë të thëngjillit verikorean.

Kërkesat tjera që do të bëjnë Trump Putinit janë vazhdimi i përpjekjeve për të zgjidhur krizën siriane, largimin e Iranit nga ky rajon, vazhdimin e denuklearizimit në përputhje me marrëveshjen nga koha e Luftës së Ftohtë dhe një mbështetje më të madhe të Rusisë në luftën kundër terrorizmit në botë.

Nga ana tjetër, pritjet kryesore të Putinit nga homologu Trump janë normalizimi i marrëdhënieve ruso-amerikane dhe heqja e sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë për krizën në Ukrainë.

Sipas paralajmërimeve, Putin do të përpiqet të bindë Trumpin në legjitimitetin e aneksimit rus të Krimesë dhe nga ai do të kërkojë edhe njëherë të deklarohet qartë dhe publikisht se Rusia nuk ishte e përfshirë në zgjedhjet e fundit presidenciale të SHBA-së.

Kolumnistja e gazetës britanike “Guardian”, Natalie Nougayrede shkruan se presidenti rus Putin do të jetë ai që do të përfitojë nga samiti i nesërm në Helsinki.

“Vetëm një njeri do të jetë fitues. Nuk do të jetë njeriu që i pëlqen të shkojë në fusha të golfit, por ai që pëlqen të fotografohet gjatë ngasjes së kuajve në Siberi”, shkroi Nougayrede.

Analisti politik nga Institutit amerikan Brookings, Pavel K. Baev konsideron se samiti i nesërm mes Trumpit dhe Putinit është një ngjarje e cila ngjallë mjaft shpresë dhe frikë por se nuk priten përparime në zgjidhjen e çështjeve më të nxehta për të cilat do të flasin të dy presidentët.

“Si rezultat i samitit do të kemi gjeste të paspecifikuara dhe premtime boshe”, tha Baev.

Kjo nuk është hera e parë që udhëheqësit e SHBA-së dhe ish-Bashkimit Sovjetik, ose Rusisë së re, takohen në Helsinki. Kryeqyteti i Finlandës ka qenë pritës i tre takimeve të tilla. Në vitin 1975 në Helsinki u takuan Gerald Ford dhe Leonid Brezhnev në Helsinki. George Bush dhe Mikhail Gorbachov u takuan në vitin 1990, ndërsa në vitin 1997 në Helsinki u takuan Bill Clinton dhe Boris Jelcin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button