Ballkani do të bëhet me Qendër të sofistikuar shkencore për trajtimin e kancerit

Ballkani po bën përgatitjet e fundit për të themeluar një qendër shkencore dhe mjekësore, në të cilën në mënyrë të sofistikuar përmes teknologjive më bashkëkohore do të bëhet trajtimi i sëmundjes së kancerit përmes terapisë me protone dhe jone të rënda, raporton Anadolu Agency (AA).

Për këtë qëllim, në Shkup ka filluar mbledhja e tretë e Komitetit Drejtues të Institutit Ndërkombëtar për Teknologjitë e Qëndrueshme të vendeve të Evropës Juglindore, ku po bisedohet për jetësimin e kësaj qendre.

Sanja Damjanoviq, ministre e Shkencës e Malit të ZI, njëherësh kryesuese me Komitetin Drejtues, sqaroi se ky projekt është inicuar vitin e kaluar dhe bëhet fjalë për një projekt të madh rajonal, për themelimin e të ashtuquajturës Qendër Rajonale të Përsosmërisë, ku pas dy takimeve të mbajtura në Sofje dhe Tiranë, kompetentët përzgjodhën terapinë me protone dhe jone të rënda të cilat sot paraqesin instrumentin më të suksesshëm të trajtimit të kancerit.

Takimi në Shkup, tha ajo, ka për qëllim të diskutojë fazën përgatitore, pasi paraprakisht kanë arritur sukses në skenën politike dhe shkencore, meqë tërë rajoni njohu rëndësinë e këtij projekti.

Ministrja malazeze thotë se rajoni po përballet me problemin e “shpërnguljes së trurit”, por shpreson se ky projekt të rikthejë shkencëtarët e Ballkanit në vendlindjet e tyre.

“Pikërisht ky projekt, pra infrastruktura e bazuar në teknologjitë më bashkëkohore do të mundësojë jo vetëm mbajtjen e njerëzve më të mirë të rajonit, por edhe të kthejmë njerëzit të cilët kanë braktisur vendet tona”, tha ajo, për të shtuar se 50 për qind e kohës së këtij instituti do të shpenzohet për trajtim të të sëmurëve, ndërsa gjysma tjetër në punë kërkimore.

Në botë tha ajo, ekzistojnë vetëm 12 projekte të tilla, nga të cilat në Evropë janë katër.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Arbër Ademi, nga ana e tij tha se themelimi i këtij instituti do të sjell përfitime për tërë rajonin, prandaj në këtë drejtim do të jenë edhe propozimet e Maqedonisë për jëtësimin e këtij instituti.

“Aktualisht jemi në fazën e bisedimeve për jetësimin e kësaj qendre dhe pak rëndësi ka se ku do të ndodhet e njëjta. Ajo që ka rëndësi, është se të gjitha vendet, komuniteti akademik dhe shkencor dhe praktikantët do të keni vendin e tyre në këtë institut”, tha Ademi.

Herwing Schoper inicues i projektit tha se i njëjti mes tjerash synon edhe të bëjë bashkë politikën, sepse siç tha, 15 vite më parë kishte propozuar një projekt të tillë për Lindjen e Mesme të quajtur “Sezame”.

Schoper thotë se projekti funksionoi mirë, për të shtuar se bashkëpunimi i mirë në shkëncë, mund të rezatojë edhe në politikë, që ishte rasti me Lindjen e Mesme, ku projekti bëri bashkë Izraelin, Palestinën, Egjiptin, por edhe Iranin, politikanë të të cilave vende ulen në të njëjtën tavolinë dhe qetë bisedojnë për projektin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP