Mbi letërsinë në gjuhën e tjetrit, miqësitë dhe jeniçerizmin

Për miqtë e shkrimeve të mia po sjell një pjesë të dialogut të bërë me mjeshtrin e prozës narrative Luan Starovën, autorin e Sagës së mirënjohur ballkanike, të përbërë prej 15 romaneve, të përkthyera në dhjetra gjuhë të botës. Lexim të këndshëm!

F.S.: Markesi thotë: Në cilëndo pjesë të botës gjendem, unë e shkruaj gjithnjë romanin kolumbian, latinoamerikan! Ju jeni shkrimtar shqiptar që një pjesë të romaneve e keni shkruar në gjuhën maqedonase. Sipas mendimit Tuaj, ç’është ajo që e bën një vepër t’i takojë një kulture nacionale/ etnike: gjuha, tema, personazhet, bota e shpërfaqur në vepër…?

L.S.: Secili autor është fati i vetvetes. Nuk ekziston përkatësi e pastër ideale! Fenomeni nacional-etnik ka qenë gjenerator i letërsive nacionale në periudhën e krijimit të shteteve kombe, veçmas në periudhën e rilidjes. Përgjatë një periudhe tjetër letërsia u mposht prej imperativeve nacionale të letërsive ballkanike.

Gjatë periudhës së realizmit socialist letërsia u bë ideologjikisht nacionale. Autorët i përmbaheshin rreptësisht këtij, izolimi të imponuar. Sot kur më nuk ekzistojnë kufijtë e dikurshëm, dominojnë përcaktimet multikulturore dhe intertekstuale. Megjithatë, autori gjer në fund të jetës së tij mbetet në thelb i lidhur për gjuhën e tij amtare, kurse kjo gjendje parake mbetet edhe atëherë kur shkruan në gjuhë tjetër.

Është e vërtetë se një pjesë e romaneve të Sagës ballkanike, që trajtojnë par excellence temat shqiptare, janë shkruar në gjuhën maqedonase, gjuhën e shkollimit tim fillor dhe të mesëm. Në rastin tim, kur shkruaj në gjuhën maqedonase, në tekst ndjehet struktura trupore e prezencës së nënës, por edhe kur shkruaj në gjuhën shqipe, gjatë gjithë kohës frikësohem të mos e dëshpërroj gjuhën amtare. Kjo sigurisht është drama e qëndresës multikulturore. Në këtë pikë nuk jam shembulli i vetëm në letërsinë e pasur disashekullore shqiptare.

Klasiku shqiptar i Rilindjes dhe romantizmit të hershëm evropian, Arbëreshi Jeronim de Rada, që u shkollua në gjuhën italiane dhe u bë i famshëm me poemën e tij Këngët e Milosaos, të shkruar në të folmen arbëreshe, me tekst paralel në gjuhën italiane, arriti ta kodifiojë gjuhën shqipe para se të ndodhte kjo në Shqipëri.

Në rastin tim nuk ka ekzistuar paraprakisht ndonjë strategji e caktuar, por thjesht i kam mbetur besnik situatës dhe fatit tim. Vallë kjo nuk mund të jetë letërsi?

F.S.: Kam përshtypjen se u keni mbetur përjetësisht besnik miqësive që i kujtoni edhe në Sagën ballkanike. Qysh në vitin 1971, libri Juaj i parë me udhëpërshkrime titullohej Njerëz dhe ura (me të fituat çmimin e qytetit të Shkupit), vazhduat rrugën me librin voluminoz Miqtë, për të shkruar më pas librin me ese Afrime (me të cilin fituat çmimin 11 Tetori), pastaj studimin mbi Faik Konicën dhe romanet e Sagës ballkanike. Përshtypje të veçantë lënë miqësitë që e kanë pasuruar jetën Tuaj prej gazetari, shkrimtari, përkthyesi dhe diplomati. Në këtë kuadër është shumë i rëndësishëm romani Juaj Ambasadat e reja, në të cilin përshkruhet miqësia me mendimtarin e mirënjohur të kohës sonë Edgar Morenin, si dhe me disa shkrimarë të tjerë të mëdhenj të letërsisë frenge, si: Andre Freno (prej tij keni përkthyer nga frëngjishtja në gjuhën shqipe një përmbledhje poetike), Robert Male, Ezhen Gilvik (poezitë e të cilit gjithashtu i keni përkthyer nga frëngjishtja në gjuhën shqipe). Romani shpërfaq dhe raportet Tuaja diplomatike me Fransoa Miteranin, Zhak Shirakun, Filip Segenin, Robert Badenterin, Lionel Zhospenin dhe letërkëmbimet me disa personalitete të larta të jetës shoqërore e kulturore franceze…

L.S.: Duke shkruar me vetë jetën, rrugës kam takuar shumë miq, që, gjatë rinisë, u bënë pjesë imja. Kohën e gazetarisë e shënon miqësia me tregimtarin dhe romansierin Zhivko Çingo, i cili gjatë viteve të 60-ta më njoftoi me kritikun e madh shqiptar, sot akademikun, Ali Aliun, që gjithashtu më njoftoi me disa krijues të gjeneratës së tij nga Kosova, si: Ali Podrimja, Fahredin Gunga, Azem Shkreli, Rahman Dedaj, Anton Pashku (veprat e këtyre krijuesve i kam përkthyer nga gjuha shqipe në maqedonishte). Ali Aliu më ka njoftuar edhe me shumë shkrimtarë e poetë nga Shqipëria, si: Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Visar Zhiti, Zija Çela etj. Miqësitë e mia me letrarë u pasuruan në kohën e studimeve pasuniversitare në Zagreb dhe gjatë përgatitjes së doktoraturës. Prej kësaj periudhe mbeti miqësia me eseistin e kalibrit evropian Predrag Matvejeviqin, mentorin e disertacionit tim. E fortë qe dhe miqësia me kolegun romansier dhe ambasador, Nikolla Kovaçin, me të cilin kemi ndarë ditët e jashtëzakoshme të misionit tonë në Paris. Këtu bëjnë pjesë edhe takimet në Strugë dhe Paris me Izet Sarajliqin, miqësia me përkthyesin dhe njeriun e jashtëzakonshëm Mato Marosin, me poetin slloven Tomash Shalamunon dhe shumë të tjerë

F.S.: Te Librat e Babait, por jo vetëm aty, ju shkruani për jeniçerët dhe jeniçerizmin dhe paralajmëroni romanin që do t’i kushtohet tërësisht kësaj problematike. Këtë fenomen njerëzit e ndërlidhin kryekëput me Perandorinë osmane. Në paraqitjet tuaja publike keni folur për shumëdimensionalitetin e jeniçerizmit, madje edhe për jeniçerizmin intelektual. A mund të shpjegoni disa detaje të fenomenit në fjalë?

L.S.: Instrumentalizimi i tjetrit, më së shpeshti për qëllime lufte, nëpërmjet asimilimit, përkatësisht humbjes së identitetit, ekziston qysh herët, shumë përpara Perandorisë osmane. Ajo haset edhe në Përandorinë romake (garda pretoriane), në Perandorinë bizantine e Ruse, në Andaluzi, Egjipi, Indi etj. Për shkak të antagonizmave dhe dallimeve fisnore që nga koha e Perandorisë romake e bizatine, Ballkani ishte vendi i përshtatshëm, që sulltan Orhanit të dytë (1334), përkatësisht Perandorisë pushtuese osmane, ia lejoi krijimin e ushtrisë së parë jeniçere (turqisht Yeni çeri dmth. Policia e re), të përbërë kryesisht prej fëmijëve të krishterë, të cilët u zunë rob ose u rekrutuan dhunshëm (nga një nga pesë fëmijët në familje), sipas ligjit të asokohshëm osman defshirmesë.

Pas konvertimit të detyrueshëm në islam, ata bëheshin pjesëtarë të ushtrisë osmane, kurse vinin prej gjithë familjeve të krishtera ballkanike (shqiptare, greke, bullgare, serbe, bullgare, rumune etj.), si dhe nga familjet jashtë Ballkanit (polake, ukrainase, hungareze, ermene, ruse…). Në memorjen evropiane, jeniçerët kujtohen për brutalitetin e tyre, dhunën dhe terrorin, për ndikimin që patën në forcimin e Perandorisë osmane. Ata ishin instrumenti kryesor i pushtimeve osmane. Fundi i jeniçerizmit shënoi dhe fillimin e fundit të Perandorisë osmane.

Në opusin tim letrar tema e jeniçerizmit është e përhershme (në romanet Librat e Babit, Koha e dhive, Udha e ngjalave, Kështjella rej hiri…), kurse tash e tridhjetë vjet po mbledh material dhe planifikoj të shkruaj një roman të plotë antropologjik me tëmën  e jeniçerëve të Ballkanit. Romani në fjalë do të mbështetet në tezën se të gjithë popujt e Ballkanit e kanë kaluar fazën e jeniçerizmit, se të gjithë, më herët apo më vonë, kanë qenë të shënuar me kodin e përbashkët të jeniçerizmit. Në Perandorinë osmane institucioni i jeniçerizmit ishte instrumenti i pazëvendësueshëm i pushtetit dhe jetëgjatësisë së dinastisë pushtetare. Prej 26 vezirëve të mëdhenj me prejardhje të njohur, 11 ishin shqiptarë, 6 grekë dhe të tjerë dhe vetëm 5 turqë. Jeniçerizmi si sistem e mbronte sulltanin, krijonte elitën e përkryer dhe besnike dhe paraqiste instrument të fuqishëm të pushtetit të centralizuar dhe homogjen të Ballkanit. Me kalimin e kohës jeniçerizmi u shndërrua në një forcë të trishtueshme, në një organizëm  që përfshiu gjithë poret e Perandorisë. Kësisoj jeniçerizmi kaloi nga forca në antiforcë.

Jeniçerët nuk u dëshmuan vetëm në fushën e betejave, por nisën të shtrijnë pushtetin edhe mbi vetë Perandorinë. Kjo qe faza e jeniçerizmit intelektual në Perandori. Jeiçerizmi mori fund në vitin 1826, kur e përjetoi fundin tragjik, por jeniçerizmi mbeti prezent si fenomen, jo vetëm në Ballkan dhe në hapësirat e pushtuara nga Perandoria osmane, po edhe më gjerë në Evropë. Nuk është e rastit që në enciklopedinë e Emil Litresë, shjegimi bashëkohor i fjalës jeniçer është: satelit i një fuqie të madhe që zbaton urdhërat e saj!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button