Veliaj: Teatri i ri, 8 herë më i madh në tokën ekzistuese

Godina e re e Teatrit Kombëtar do të jetë një vepër spektakolare, me hapësira disa herë më të mëdha se ndërtesa ekzistuese. Gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen në Rrugën e Kavajës për shtimin e korsive të dedikuara për biçikletat, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se një nga arsyet pse teatri po sulmohet kaq shumë, lidhet me shembujt e deritanishëm, ku çdo projekt i nisur nga qeveria dhe bashkia është kurorëzuar me sukses.

“Arsyeja pse teatri po sulmohet kaq shumë është e thjeshtë: e dinë që po iu fut një pune qeveria e bashkia, do ta “qajnë” atë punë, siç me këndin e lojërave te Liqeni, Parkun Olimpik, Bulevardin e Ri, Sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri etj. Në fakt, kjo është një përpjekje e dëshpëruar e ca kalamajve që drejtojnë sot opozitën, të cilët e dinë që teatri i ri do të jetë një vepër spektakolare, 8 herë më i madh në tokën e vet, e sigurisht, do të marrë çmime. Ata i druhen faktit që për 4 vite nuk bënë asgjë në Tiranë dhe e dinë që gjëja tjetër ku qeveria e bashkia do vërë dorë, do jetë një mrekulli. Kjo i shqetëson”, tha Veliaj, transmeton Gazeta-Shqip.com.

Kryebashkiaku komentoi sulmin e pakuptimtë të opozitës ndaj arkitektit danez, Bjarke Ingels, një nga më të mirët në botë në fushën e arkitekturës. “Jam i ndërgjegjshëm që në Tiranë ka politikanë me rezidencë në Holandë, por ama sillen si ballkanas 500 vite të prapambetur. Kur një ‘politikan holandez’ i thotë një arkiteti danez s’të lë të futesh në Shqipëri, i ngjan një kalamani të llastuar të një lagje tipike tironse, që nuk lë askënd të vijë nga lagjja tjetër e të luajë tek lagjja e tij. Fatkeqësi e opozitës, që ka kalamaj për drejtues, ndërkohë fat për Tiranën që është zgjuar nga gjumi, që ka një qeveri e një bashki në krye të punëve për të ecur përpara. Siç po vazhdojmë me korsitë e biçikletave, do vijojmë me teatrin e ri, me korsitë e dedikuara të autobusëve, me ndërhyrjet në Ujësjellës”, tha Veliaj.

Ai shtoi se ndihet i keqardhur nga politikanët me rezidencë në Holandë, që shohin vetëm hallin e tyre. “Kanë vetëm hallin e tyre; rezidencën e kanë në Holandë, shtëpinë në Holandë, fëmijët i rrisin në Holandë dhe kur ne mundohemi ta bëjmë sadopak Shqipërinë si Holanda e Danimarka, këta sillen si fëmijë”, tha Veliaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button