Kur dyert hapen

“Dyert e NATO-s janë dhe do të mbeten të hapura. Ne e përshendesim marreveshjen historike të arrirë muajin e kaluar mes Athinës dhe Shkupit, dhe sot u dakorduam ta ftojmë qeverinë e Shkupit t’i fillojë bisedimet për aderim në NATO. Sapo të mbarojnë procedurat nacionale të implementimit të marrëveshjes për emrin, ky shtet do të anëtarësohet në NATO si anëtari i tridhjettë.” Kjo ishte deklarata e Jens Stoltenbergut, Sekretatit Gjeneral të Organizatës e cila për ne simbolizon perëndimin dhe drejt së cilës ka qenë i drejtuar gjithmonë synimi ynë i përhershëm.

Deklarata e Stoltenbergut është e qartë dhe precize, duke mos lënë hapësirë për anjë lloj mëdyshje. Të gjitha deklaratat e tij gjer më tani kanë qenë të tilla, të qarta, me fjalë gati të vizatuara për ata që nuk kuptojnë ose shtirren sikur nuk kuptojnë.

E para, ai flet për atë që dyert e NATOs janë të hapura dhe gjithmonë mbesin të hapura. Dhe ne e dime mirë që këto dyer gjithmonë kanë qenë të hapura për ne, por fatkeqësisht, për dekada me rradhë ne ishim të mbyllur para atyre dyerve të hapura. Nuk ka pasur asnjë qeveri në Maqedoni që nga pavarësimi i saj në vitin 1991 e cila oficialisht ka qenë kundër integrimit në NATO. Me fjalë, këtë gjë e kemi dëshiruar vite me rradhë. Me punë, jo edhe aq shumë. 10 vite me rradhë Gruevski fliste oficialisht për integrim në NATO ndërsa pas perdes bënte gjithçka kundër këtij integrimi. Tani partia e tij vazhdon të bëjë të njëjtën gjë. Mickoski punon haptazi që marrëveshja për emrin të dështojë, ndërsa kur e pyesin se si do e integrojë vendin në NATO pa një marrëveshje të tillë ai thotë se është njeri serioz. Sjellja e tij është tërrësisht joserioze, e papërgjegjshme dhe e dëmshme për këtë proces të cilin me shumë mund e arritëm.

E dyta, për dallim prej integrimit në UE ku morrëm premtim se do të mund të hapim bisedime verën e ardhshme, në NATO ftesa për të hapur bisedimet u dha që tani, ndërsa akti final i anëtarësimit do të ndodhë pas implementimit të plotë të marrëveshjes për emrin. Stoltendberg është më se i qartë: vendi DO TË ANËTARËSOHET sapo të mbarojnë procedurat nacionale të implementimit të marrëveshjes për emrin. Nuk flasim më për mundësi, flasim për moment konkret kur anëtarësimi do të ndodhë. DO të ndodhë NËSE jemi të zgjuar. Nëse nuk jemi të zgjuar do të mbesim në gjumë të përjetshëm, jashtë NATOs, jashtë BE-së dhe jashtë perëndimit.

Nuk e di a duhet të ketë mesazh më të qartë se kaq kur flasim për referendumin që duhet të mbahet në vjeshtë. Çdo njeri me arsye të shëndoshë mund t’i kuptojë fjalët e Stoltenbergut. Ai disa herë e ka përsëritur rëndësinë e rezultatit të referendumit. Dhe kjo është e kuptueshme. Kur njerëzit duhet të zgjedhin mes asaj se a pajtohen ta plotësojnë emrin e shtetit me qëllim të integrimit  në NATO dhe në BE ose nuk pajtohen dhe dëshirojnë të mbesin edhe më tej në izolim dhe pa perspektivë, atëherë sigurisht që rezultati i tillë ka rëndësi të madhe. Sepse shteti mund të ketë një udhëheqës që nuk ka dilema për këto punë, por me rëndësi është edhe mënyra se si mendojnë qytetarët.

Prandaj, tani sërisht të gjithë sytë janë kthyer nga ne. Të gjithë presin të shohin a jemi vërtet për integrim në NATO apo i kemi vetëm fjalë boshe. A duam vërtet të ecim para apo jemi të lumtur në këtë izolim. Çfrarë duam në fakt ne?

Këtë do të kemi mundësi ta deklarojmë ditën kur do të mbahet referendumi. Ndërsa deri atë ditë kemi të drejtë të festojmë nga pak sepse po na hapen dyert dhe po na ofrohen shanse që asnjëherë nuk i kemi pasur kaq afër, sepse nuk kemi dashur ti kemi afër, sepse kemi lejuar të jemi të mbyllur ndaj atyre shanseve. Dhe ja, vjen dita kur shansi vjen sërish, dhe prej neve varet a do ta kapim apo do të vazhdojmë të jetojmë edhe më tej në mizerje dhe izolim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button