Zaev: NATO vendosi të na dërgojë ftesë për t’u bërë anëtarja e 30-të e Aleancës

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, para takimit të programit punues që mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s në Bruksel, deklaroi se NATO ka vendosur t’i dërgojë ftesë Maqedonisë që të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Nga sot Maqedonia shkon vetëm përpara, ndërsa qytetarët kanë edhe një sukses të madh. Urime Maqedoni. NATO vendosi të na dërgojë ftesë për t’u bërë anëtarja e 30-të e Aleancës. Morën ftesën për t’u bëra aleat i vendeve më të fuqishme anëtare në botë. Kjo është ftesë për anëtarësim të plotë në alencën udhëheqëse për paqe dhe siguri në skenën ndërkombëtare”, deklaroi kryeministri Zaev.

Ai tha se “pamë edhe një ditë tjetër të madhe, duke i arritur qëllimet tona të përbashkëta strategjike, shpresat dhe ëndrrat tona të përbashkëta”.

Zaev porositi qytetarët e Maqedonisë që të vazhdojnë përpara me vendimin e ardhshëm të madh, siç tha ai, kur “përsëri do të themi po për të ardhmen tonë, po për ardhmërinë e Maqedonisë”.

Gjatë ditës së djeshme dhe të sotme në Bruksel po mbahet Samiti i NATO-s. Dje u zhvillua takimi i Këshillit veri-atlantik të NATO-s në nivel të shefave të shteteve dhe qeverive të 29 vendeve anëtare të Aleancës, ndërsa sot është duke u mbajtur takimi i Këshillit veri-atlantik të NATO-s në, po ashtu në nivel të shefave të vendeve dhe qeverive, por me kombet partnere operacionale të përhershme dhe me ato potenciale.

Pas takimit të djeshëm, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO varet nga qytetarët e këtij vendi. Ai theksoi se qytetarët nëse mbështesin marrëveshjen e arritur me Greqinë për emrin, atëherë vendi do të jetë anëtarja e 30-të e NATO-s, në të kundërtën një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Ne qartë kemi deklaruar se pas përfundimit të procedurave të brendshme, përfshirë edhe ndryshimin e Kushtetutës dhe zbatimin e marrëveshjes, atëherë FYROM-i do të jetë vendi i 30-të anëtar i NATO-s me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut, por nuk do të bëhet anëtare nëse nuk e ndryshon emrin e saj. Është një zgjedhje e thjeshtë dhe varet nga qytetarët e FYROM-it të vendosin për zgjidhjen”, deklaroi dje Stoltenbeg.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button