Mbi një milion udhëtarë përmes aeroportit të Shkupit dhe Ohrit për gjysmë viti

Nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit dhe Aeroportit të Ohrit “Shën Apostol Pali”, në gjashtë muajt e parë të vitit, janë transportuar 1.041.583 udhëtarë, që paraqet rritje vjetore prej 21 për qind, në krahasim me gjysmën e parë të vitit të kaluar, njoftoi sot TAV Maqedoni,koncesionar i aeroporteve në Shkup dhe në Ohër.

Në periudhën e njëjtë, nga janari deri në qershor të këtij viti numri i fluturimeve në të dy aeroportet e Maqedonisë ka arritur 9.033, me rritje vjetore prej 16 për qind.

“Përderisa aeroportet evropiane kanë rritje mesatare në numrin e udhëtarëve prej 6,1 për qind në vitin 2018, TAV vazhdon të shënojë norma të larta dyshifrore në qarkullimin e pasagjerëve në aeroportet e Maqedonisë. Ky trend pozitiv në rritjen e qarkullimit ajror, e konfirmon potencialin e madh të cilin e ka tregu i aviacionit në Maqedoni. Do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje maksimale për zhvillimin e aeroporteve në Shkup dhe në Ohër, me tërheqjen e linjave të reja ajrore dhe zgjerimin e rrjetit të destinacioneve, në bashkëpunim me të gjitha institucionet kompetente shtetërore”, deklaroi Alper Ersoj, drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedoni.

Siç potencojnë nga kompania, rritja e qarkullimit të udhëtarëve me 21 për qind, që TAV Maqedoni e regjistroi nga janari deri në qershor të këtij viti, e tejkalon edhe rritjen mesatare të aeroporteve të vendeve të cilat nuk janë anëtare të BE-së, e cila është 12,5 për qind në pjesën e parë të vitit 2018.

Destinaconet më të shpeshta sipas qarkullimit të udhëtarëve në gjashtë muajt e parë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit janë: Stambolli, Cyrihu, Bazeli, Vjena, Malme dhe Bratisllava.

Në krahasim me pjesëmarrjen e linjave ajrore në trafikun e udhëtarëve, Viz er transporton numër më të madh të udhëtarëve me 63,3 për qind pjesëmarrje në treg, ndërsa më pas janë Turkis erlajns me 8,1 për qind, Austrian erlajns me 5,1 për qind, Gjermania flug me 4,6 për qind, Edelvajs me 3,8 për qind, Kroacia erlajns me 3,1 për qind, Pegasus erlajns me tre për qind.

Nga TAV Maqedoni presin që rritja e trafikut ajror të vazhdojë me ritëm të ngjashëm edhe deri në fund të vitit, duke pasur parasysh pesë destinacionet e reja të cilët u hapën në aeroportin e Shkupit dhe të Ohrit në fillim të sezonit veror për vitin 2018.

Në fillim të muajit të kaluar LOT Polish erlajns hyri në tregun e Maqedonisë, me fluturime midis Shkupit dhe Varshavës, ndërsa në aeroportin e Ohrit ishin hapur këto destinacione sezonale: Stamboll, Ajndhoven, Talin dhe Varshavë.

TAV Maqedoni paralajmëroi linja ajrore të re nga Ohri deri në Vjenë, e cila do të vendoset në nëntor të vitit 2018.

Aeroporti ndërkombëtar i Shkupit është i lidhur me 38 destinacione, të cilat shërbehen nga 13 linja ajrore. Aeroporti i Ohrit “Shën Apostol Pali” ka tre linja të rregullta ajrore të cilat funksionojnë gjatë gjithë vitit dhe tetë destinacione sezonale, të cilat shërbehen nga 11 linja ajrore.

Në fund të muajit skadon afati për dorëzimin e ofertave ndaj thirrjes së Ministrisë të Transportit dhe Lidhjeve për zgjedhjen e linjës ajrore për linja ajrore më të lira me subvencione nga shteti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button