KËSHTU E KA JETA

Çdo natë zgjohem nga dy a tri herë. Më drejt nuk zgjohem, po më zgjojnë. Djembrëma në orën tre  më zgjon një zhurmë motori. Ngrihem, kuptohet njëherë e shaj e tevona afrohem te dritarja. Qielli është i mbuluar me re të plumbta. Re vjeshte në korrik. Në rrugë – qetësi. Por, jo shumë kohë. Përsëri ia jep ai motori i mallkuar rreth ndërtesës sonë. Duhet një minut e më shumë që zhurma e tij trishtuese të fundoset në terrin e natës. Ai thyen qafën, po me vete e merr edhe gjumin tim.

Ndoshta është më mirë të them se largimi i motorit me zhurmën e tij e hap atë boshllëkun i cili e thërret vetminë të të mundojë me barrën e padurueshme të njëmijë e një halleve që ke. Ulem. Një herë vijnë dilemat: a do të mundem me këto para që i fitoj ta eci me dinjitet rrugën jetësore që kam përpara, apo do të mbetem në gjysmën e saj ku ngrihet binaja e tmerrshme e varfërisë me dyer të hekurta ku nuk ka vend për dashuri? Sillu e mbështillu, nuk e kam sigurinë. Ka luhatje marramendëse politike në këtë vend.

Kjo punë më shqetëson. Përsëri ngrihem. E marr një libër të vjetër të një autori serb që flet për fshatrat shqiptare në rrethin e Tetovës, një gjeografi e cila në kohë të Jugosllavisë së kralit do të jetë shtrirë deri kah Hani i Elezit në verilindje. Që në faqet e para çdo fjali në këtë libër është e mbushur me ferra gënjeshtrash e shovinizmi. E hedh tutje, ndonëse një mendje më thotë se duhet ta lexoj, madje se duhet të lexoj çdo gjë nga grumbulli i pafund i librave të propagandës serbe ku glorifikohen serbët e poshtnohen shqiptarët. Kështu duhet, sepse, ma thotë mendja se ne ende pak e përciptazi e njohim propagandën serbe. Po kujt t’i them? Institucionet tona të cilat janë themeluar për këtë punë i kanë dyert e mbyllura me drynin e rëndë të neglizhencës e të heshtjes. Po bre, më del kjo shprehje si psherëtimë. E lëshoj televizorin. Dua t’i shpor mendimet me ngjyrën e reve të kësaj kohe. Në TV një lajm i mirë, më në fund. Futbollistët e vegjël që bashkë me trajnerin e tyre kanë mbetur të ngujuar në një shpellë nga uji e balta e rrëmetit, kanë nisur të nxirren. Katër syresh janë shpëtuar.

Aksioni për shpëtimin e tyre do të vazhdojë nesër. Ka zot, them, i lehtësuar dhe i gëzuar. Më shkon mendja te ata fëmijë të cilët me ditë të tëra kanë qenë në atë perin e hollë që e ndan jetën prej vdekjes, e tash po i kthen jeta në prehrin e saj. Një gëzim më kaplon. Pastaj, dalëngadalë drita i hedh rrezet e para të dobëta në dhomë. Ndërkohë një lukuni qensh ia jep të lehurit në kor. E dëgjoj vajin e një vajze të vogël. Vishem shpejt e dal. Ora shtatë. Jashtë qetësi. Kanë mbetur vetëm gjurmët e qenëve në rrugët e përbaltura. I pyes kalimtarët për rastin. Jo, jo, s’ka qenë vetëm vajza, më thonë. Ka pasur njerëz të rritur aty. I kanë larguar shpejt qentë. Shyqyr, shyqyr… them dhe nisem të kthehem në shtëpi. Para meje një njeri vrapon me osten në dorë. Py ky? i pyes njerëzit. I ndjek retë, më thonë. Disa hapa më tutje, afër hyrjes, një njeri tjetër i pret drurët e parkut para ndërtesës. Po pse? Të gjithë heshtin, përveç njërit që e mëson prerësin ku të godasë me sëpatë.

Kthehem në shtëpi, mirëpo tash mëngjesi e ka lënë mjaft larg agimin pas vetes. Dielli duket në një boshllëk midis reve. Ka ecur dy-tre hostenë nga malet e lindjes. Vonë është. Më duhet të dal të blej bukë. Në shitore ende komentohet fitorja e Kroacisë kundër Rusisë në Kampionatin botëror  të futbollit. E ka merituar Kroacia, thonë. Çfarë lojtarësh ka!… S’ka si Luka Modriçi!… Përzihem edhe unë në bisedë. Vonohem. Njerëzit në shtëpi e presin bukën ulur në tryezë.

E çoj bukën në shtëpi. Me të hyrë brenda, bie zilja e telefonit të shtëpisë. Është një vajzë nga ato firmat që shesin gjëra të ndryshme për nevoja personale e familjare. Më ofron diçka. Do të vijë në shtëpi ta reklamojë mallin e tyre. I them se i kam ato që i shesin ata. Ajo insiston të vijë. ngul këmbë. Në fund merremi vesh të vijë një ditë tjetër. Në fund ulem edhe unë në tryezë. Përsëri telefoni. A e pe një emision të TVSH-s për Nexhmije Pagarushën të bërë për nder të tetëdhjetë e pesë vjetorin e lindjes? mezi e dëgjoj zërin e kushëririt nga Suedia.  Jo. Ooo paske humbur një emision të shkëlqyeshëm! thotë ai me emocion.  Besoj se nesër mund ta gjesh në jutub, më ngushëllon. Më erdhi shumë keq për këtë emision. Pse s’më kërkove kur filloi emisioni? e pyes. Mendova se e ke ditur, ma kthen. Çfarë  mund të bëj? Do ta shikoj në jutub. Po e di se nuk përjetohet si shikimi i drejtpërdrejtë.

Ndërkohë njerëzit më presin në tryezë. Hetohet nervoza e tyre. Megjithatë bëjnë sabër. Ashtu e kërkon tradita. Kanuni. Ka mbetur ende diçka nga drejtësia kanunore. Po. Diçka. Vetëm diçka. Po në çdo çast mund të shpërthejë nervoza dhe llava e saj ta ngulfasë edhe atë “diçka”.

Pas buke shpërdahemi. Secili pas punës së vet.

Pastaj afrohet mbrëmja. Dhe, pas saj nata. Përsëri më zgjon ai me motorin. Më vonë përsëri lehin qentë. Kurse në mëngjes dëgjohet sëpata. Përsëri i presin drutë. Përsëri ndodhin do cikërrima që i dikton jeta.

Ai njeriu që i ndjek retë sot e ka nervozuar qiellin. Sot ra shi me bubullima. Kurse rrufeja ka rënë afër atij njeriut. Ai për fat të mirë shpëtoi, por e hëngër shtylla elektrike, pak më larg prej tij, e cila u dogj si letër.

Kështu e ka jeta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button