АNALIZË: Funksionarët flejnë “të qetë” – nuk ka kush t’i kontrollojë!

Depolitizim i Komisionit për parandalimin e korrupsionit, por edhe rritje e kompetencave në pjesën represive. Pas paralajmërimeve nga Ministria e Drejtësisë se janë duke u bërë përgatitur ndryshime ligjore për ta ndryshuar modelin aktual të punës dhe kompetencat e këtij komisioni, disa ekspertë vlerësojnë se ky organ, i cili është hallkë kyçe në luftën kundër korrupsionit, e ka humbur thelbin, qëllimin, por dhe imazhin e saj, shkruan analiza javore e Portalb.mk.

Funksionarët flejnë “të qetë” – nuk ka kush t’i kontrollojë…

Katër muaj pa kryetar dhe ekip të kompletuar me anëtarë “funksionon” Komisioni për parandalimin e korrupsionit, institucion i cili jo vetëm që duhet ta kontrollojë punën e funksionarëve, por ka edhe kompetenca të gjera në segmente të tjera në luftën kundër korrupsionit. Kështu, ky komision duhet të veprojë në lidhje me disa ligje të rëndësishme për këtë segment – Ligjin për parandalimin e korrupsionit, Ligjin për mbrojtjen e bilbilfryrësve (denoncuesve), Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesave dhe Ligjin për lobim.

“Komisioni për anti-korrupsion nuk i përmbushin pritjet për të cilat u formua në vitin 2003 vit, dhe me kalimin e kohës, roli dhe funksioni i tij u humbën plotësisht. Në formë siç është i vendosur tani, nuk ka asnjë arsye që të ekzistojë, kot harxhohen para për financimin e tij. Nga këndvështrimi i obligimeve dhe kompetencave ligjore, në pjesën parandaluese, komisioni ka kompetenca të mjaftueshme, por duhet të ngrihet çështja sa i përket kompetencave në pjesën represive. Mendoj se nevojitet përforcim i kompetencave në pjesën represive, që nënkupton shkëmbim më të madh të informatave dhe bashkëpunim me institucionet e tjera, para së gjithash me Prokurorinë publike dhe Drejtorinë për të hyra publike. Mu këto dy institucione janë të rëndësishme për epilogun, gjegjësisht për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit”- shpjegon për “Portalb”-in, Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit për parandalimin e korrupsionit.

Në periudhën që kaloi, fletat anketuese të funksionarëve, publikimi dhe mospublikimi i tyre ishin disa nga çështjet më kontestuese në publik.

“Ne tani jemi në një situatë të heqim dorë nga një institucion që duhet të jetë sinonim i transparencës. Le ta mbyllim këtë çështje një herë e përgjithmonë. Kjo do të thotë se të dhënat nga fletat anketuese janë publike sipas ligjit dhe ky është thelbi, gjegjësisht nuk duhet të shkelet parimi që këto fleta anketuese janë publike. Ne kemi një gjendje ku vazhdimisht rrënohet thelbi i institucionit, qëllimi i ekzistimit të tij” deklaroi para do kohësh për “Portalb”-in njëri nga ish-kryetarët e Komisionit shtetëror, Dragan Malinovski.

Nga Ministria e Drejtësisë paralajmëruan se ndryshimet ligjore me të cilat do të ofrohet model i ri i komisionit, me kompetenca të shtuara. Sipas ministreshës, Renata Deskoska, ndryshimet ligjore janë të nevojshme për t’u realizuar, para së gjithash, depolitizimi i komisionit, e pastaj edhe rritja e kapacitetit dhe funksionalitetit të tij.

“Qëllimi është të krijohen mekanizma që praktikisht do t’i japin mundësi Komisionit kundër korrupsionit që të jetë organ ekspert i njerëzve me integritet, të cilët do të jenë në gjendje ta kryejnë funksionin e tyre dhe gjithsesi, do t’i jepen baza ligjore të cilat do të japin kompetenca të zgjeruara në kryerjen e autorizimeve të tij. Korrupsioni nuk është vetëm pranimi i kompensimeve në para të gatshme apo i dhuratave, por korrupsion është mungesa e të gjitha llojeve të ndikimeve në vendimmarrje, e kjo është veçanërisht e rëndësishme për gjyqësinë, pasi që për të është paraparë në mënyrë të rreptë se duhet të gjykojnë bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Maqedonisë, mirëpo, për fat të keq, kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu në periudhën e kaluar”, tha ministresha Deskoska,

Ekspertët thonë se nevojiten ndryshime ligjore, por paralajmërojnë se faktori kryesor për funksionalitetin e komisionit është departizimi dhe depolitizimi i tij.

“Nëse ndodh që figura të ekspozuara politike, ish-deputetë apo funksionarë shtetërorë të jenë anëtarë të Komisionit për parandalimin e korrupsionit, atëherë nuk mund të flasim për reforma të vërteta. Nevojiten njerëz “pa njolla” në karrierë, që nuk janë të komprometuar, por ekspertë të pavarur, të cilët nuk janë të ngarkuar politikisht dhe të cilët aspak nuk kanë qenë pjesë e pushtetit legjislativ apo ekzekutiv” – thotë ish-anëtari i Komisionit, Arif Musa.

Nga qeveria paralajmërojnë se ndryshimet ligjore do të sigurojnë depolitizimin e organit që është i rëndësishëm për luftën kundër korrupsionit.

“Qëllimi është të krijohen mekanizma që praktikisht do t’i japin mundësi Komisionit për antikorrupsion që të jetë organ ekspert i njerëzve me integritet, të cilët do të jenë në gjendje ta kryejnë funksionin e tyre dhe gjithsesi, do t’i jepen baza ligjore të cilat do të japin kompetenca të zgjeruara në kryerjen e autorizimeve të tij” – konsideron ministresha Deskoska.

Sipas raportit më të fundit që është në dispozicion në punën e Komisionit kundër korrupsionit, në vitin 2016 janë ngritur gjithsej 13 iniciativa për inicim të procedurës, një iniciativë për inicimin e procedurës për shkarkimin e personit përgjegjës për shkak të mospërmbushjes së kushteve të definuara me dispozitat ligjore dhe 12 iniciativa për inicimin e procedurës për shkarkim nga kryerja e autorizimeve dhe detyrave publike për personat që kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore, gjegjësisht, i kanë tejkaluar kufijtë e kompetencave dhe detyrave të tyre, interesin e tyre personal e kanë vënë para interesit publik. Në vitin e njëjtë janë shqiptuar 20 qortime publike ndaj personave zyrtarë, të cilët pas paralajmërimeve të KSHPK-së, nuk hoqën dorë nga kryerja e funksioneve të shumta që i kanë kryer në të njëjtën kohë, transmeton Portalb.mk.

“Në vitin 2016 janë formuar 63 lëndë, dhe KSHPK-ja ka vepruar në lidhje me gjithsej 277 lëndë nga fusha e parandalimit të korrupsionit, nga të cilat janë zgjidhur 122 lëndë. Nga fusha e konfliktit të interesave, në KSHPK janë formuar gjithsej 78 lëndë, dhe prej tyre janë përfunduar 57 lëndë. Përveç kësaj, në këtë vitin, KSHPK-ja ka vepruar edhe në lidhje me 81 lëndë të tjera nga vitet e mëparshme, nga të cilat 53 janë mbyllur, ndërsa 28 janë lëndë që punohen në vazhdimësi” – thuhet në raportin vjetor të Komisionit mbi punën e tij në vitin 2016.

Ekspertët konsiderojnë ky komision duhej t’i kishte duart përplot me punë gjatë viteve të kaluara, dhe si shembull e marrin projektin “Shkupi 2014”, i cili tani është pjesë e disa hetimeve. Pothuajse katër muaj Komisioni për anti-korrupsion është pa kryetar dhe pa anëtarë, pasi në muajin mars u zbulua raporti skandaloz nga revizioni i brendshëm, i cili tregoi se disa anëtarë kanë dorëzuar dokumente të rrejshme të udhëtimit për të marrë shuma më të mëdha për shpenzimet e udhëtimit, por u zbulua edhe shpenzimi i pavend i parave të buxhetit. I pari dorëheqje dha kryetari i Komisionit, Goran Milenkov, e pas tij këtë e bënë edhe anëtarët e tjerë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button