Shkup, para gazetarëve turq shpalosen mundësitë e investimeve në Maqedoni

Oda Ekonomike Turko-Maqedonase (MATTO) sot në Shkup organizoi aktivitet për promovimin e Maqedonisë si qendër e investimeve, biznesit dhe turizmit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin që u organizua në kuadër të vizitës së Shoqatës së Gazetarëve të Ekonomisë nga Turqia morën pjesë ministri i Ekonomisë i Maqedonisë Kreshnik Bekteshi, ministri pa resor përgjegjës për investime të huaja, Adnan Qahil, kryetari i MATTO-s Ajdovan Ademovski, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Ekonomisë Celal Toprak dhe delegacioni shoqërues, si dhe përfaqësues të firmave anëtare të MATTO-s dhe gazetarë të ekonomisë nga Turqia dhe vendi.

Ministri pa resor Qahil tha se një nga synimet më të rëndësishme të Qeverisë së Maqedonisë është zhvillimi ekonomik, duke shtuar se Maqedonia ndodhet në një pozitë tepër të rëndësishme.

Qahil rikujtoi se Maqedonia ka Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me Turqinë, Bullgarinë, Ukrainën dhe shtete të tjera.

“Në periudhën e fundit, nga 11 firmat që kanë investuar në zonën e lirë, pesë kanë ardhur nga Turqia”, tha Qahil.

Ai theksoi se qëllimi i tyre është që ekonominë me vendet fqinje dhe vendet e tjera ta ngrenë në nivele edhe më të larta, ndërsa duke iu referuar mundësive dhe avantazheve të investimit në zonën e lirë, ai u shpreh se disa taksa përjashtohen për një periudhë deri në dhjetë vite.

“Kemi një Maqedoni që ka një derë drejt Evropës, infrastrukturë të mirë dhe gjendet në situatë të mirë politike”, deklaroi Qahil, duke shtuar se qeveria ofron mbështetje të ndryshme financiare në fusha të ndryshme për investitorët.

Sipas tij, Maqedonia në të ardhmen do të jetë një vend i rëndësishëm në fushën e ekonomisë.

“Qeveria e Maqedonisë ofron çdo lloj shërbimi për investitorët e huaj që vijnë nga jashtë, veçanërisht nga Turqia”, tha Qahil, ndërsa shtoi se në të ardhmen do të inkurajojnë prodhimin, pasi, sipas tij, prodhimi është i nevojshëm për zhvillimin e një vendi.

Ndërkaq, ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Kreshnik Bekteshi, në fjalën e tij theksoi se Maqedonia është një vend i vogël që po ecën përpara nga dita në ditë dhe stabilizohet, duke theksuar se vendi pritet të marrë ftesë për anëtarësim në NATO javën e ardhshme.

Bekteshi vuri në dukje se si një qeveri e re, ata kanë filluar të punojnë për një plan të ri për të inkurajuar investime të reja.

“Ne kemi zona ekonomike në Republikën e Maqedonisë, por në të njëjtën kohë kemi krijuar një program, një plan për rritje ekonomik, ku do të ofrojmë të njëjtat mundësi për kompanitë tona dhe kompanitë e huaja”, tha Bekteshi.

Ai u bëri thirrje gazetarëve turq të ekonomisë që qëndrojnë në Maqedoni të përçojnë përvojat e tyre në Turqi, duke shpresuar të krijojnë një imazh më të mirë për Maqedoninë dhe që investimet e Turqisë në vend të rriten në të ardhmen.

Ministri Bekteshi theksoi se Maqedonia ofron përfitime të shumta për fillimin e bizneseve, duke vënë në dukje se përmes investimit në Maqedoni, të gjitha kompanitë turke mund të hyjnë në tregjet evropiane dhe botërore.

Kryetari MATTO-s, Ajdovan Ademoski, në fjalën e tij tha se institucioni që drejton është një urë midis Maqedonisë dhe Turqisë, duke theksuar se shtetet e Ballkanit kanë rëndësi strategjike për investimet e Turqisë.

“Duke i patur parasysh marrëdhëniet familjare që kemi me Republikën e Turqisë, ne duam të paraqesim vendin tonë në nivelin më të mirë në Turqi dhe të ftojmë të gjithë investitorët që duan të investojnë jashtë vendit, që destinacioni i parë të jetë Maqedonia”, tha Ademovski.

Ai vuri në dukje se me themelimin e MATTO-s, në mënyrë drastike janë rritur investimet që kapin vlerën prej rreth një miliard e 800 milionë dollarëve, ndërsa shkëmbimi i mallrave ka shkuar në rreth 400 milionë dollarë.

Ademovski informoi se Turqia si investitor i huaj në Maqedoni është në vendin e pestë, kurse sipas shkëmbimit të mallrave, ajo është në vendin e tetë.

Ai u bëri thirrje politikanëve t’i realizojnë edhe në plan ekonomik marrëdhëniet e mira midis dy vendeve, duke shtuar se tendenca është që shkëmbimi tregtar i tanishëm prej 400 milionë dollarëve të arrijë në një miliardë dollarë.

Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Ekonomisë nga Turqia, Toprak, tha se Maqedoninë e konsideron sikurse vendin e tij.

“Do të ndihemi shumë të lumtur nëse kjo mbledhje kontribuon sado pak në zhvillimin e investimeve. Kjo mbledhje është projekt që ka lindur nga biseda mes dy miqve. Të gjithë do të jemi të lumtur që tregtia dhe ekonomia të ndërtohet mbi themelet e miqësisë”, tha Toprak.

Pas fjalimeve, firmat me investime në Maqedoni si City Plaza Holding, Halkbank, TAV, Cevahir Holding, Erak Grup, LİMAK dhe SÜTAŞ, realizuan prezantime përmes të cilave shpalosën përvjoa dhe rekomandime.

Në aktivitetin që realizohet në Maqedoni nga 5 deri më 8 korrik, morën pjesë përfaqësues të afër 16 mediave turke, përfshirë edhe agjencinë shtetërore të lajmeve AA.

Vizita e gazetarëve të ekonomisë nga Turqia ka për qëllim promovimin e Maqedonisë para opinionit turk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button