Japoni, ekzekutohet lideri i sektit famëkeq

Së bashku me gjashtë anëtarë të tjerë, në Japoni është ekzekutuar Shoko Asahara, lideri i sektit Aum Shinrikyo, përgjegjës për sulmin me gaz sarin në metronë e Tokios në vitin 1995 që shkaktoi vdekjen e 13 personave dhe helmimin e 6.000 të tjerëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi nga Ministria e Drejtësisë, në të cilën thuhet se 63 vjeçari Asahara, emri i vërtetë i të cilit është Chizuo Matsumoto, është ekzekutuar së bashku me gjashtë antëarë të tjerë të grupit, thuhet në një lajm të agjencisë së lajmeve Kyodo.

Siç njoftohet, Asahara është ekzekutuar me varje për shkak të sulmit me gaz sarin dhe akteve të tjera.

Ndryshe, në metronë e Tokios sulmi ndodhi më 20 mars të vitit 1995, kur anëtarët e sektit shpërndanë gazin që mbanin në çanta plastike, duke lënë të vdekur 13 persona dhe duke helmuar 6.000 të tjerë.

Lideri i Aum Shinrikyo u kap nga autoritetet në vitin 1995, ndërsa në vitin 2004 u dënua me vdekje pas shpalljes fajtor për 13 krime.

Sekti ishte pranuar si organizim fetar në Japoni në vitin 1989, duke filluar të fitojë mbështetës në mbarë botën.

Me kalimin e kohës, Aum Shinrikyo u shndërrua në sekt apokaliptik, duke filluar aktet me idenë se bota do të shkatërrohet si pasojë e luftërave globale dhe do të mbijetojnë vetëm anëtarët e sektit.

Asahara kishte dhjetra mijëra ithtarë në botë.

Sekti më vonë është shpallur si organizatë terroriste në shumë vende.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button