Deputetët e qyteteve tjera do të mund të marrin banesë me qira në Shkup deri më 300 euro

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë duhet të vendosin se a do të udhëtojnë nga vendbanimi i tyre për të shkuar në punë apo do ta marrin banesë me qira në Shkup. Nëse vendosin të jetojnë në Shkup në banesë, qiranë më së shumti do të mund ta paguajnë 300 euro në muaj, shkruan NOVA TV, transmeton Portalb.mk.

Detajet për propozimin e tillë, për të cilin janë dakorduar edhe deputetët e pushtetit dhe të opozitës, do të rregullohen me vendim të veçantë me të cilin do të konfirmohet lartësia e qirasë.  Sipas ligjit për funksionar të emëruar, ministrat qeveritarë kanë të drejtë të marrin banesë me qira në Shkup deri më 400 euro në muaj, zëvendësministrat deri më 300 euro, ndërsa drejtorët deri 250 euro.

Burimet e Kuvendit për NOVA TV thonë se numri më i madh i deputetëve që jetojnë jashtë Shkupit, janë pajtuar të jetojnë në Shkup në banesë me qira sesa të udhëtojnë.

Ata deputetë që do të vendosin të udhëtojnë, do të marrin harxhime rrugore më të ulëta. Me ndryshimet e ligjit për deputetë që janë miratuar nga Komisioni për sistem politik, parashikohet ulje 30 për qind e çmimit shitës për një litër lëndë djegëse, sipas kilometrës së kaluar në 20 për qind.

Sipas çmimeve aktuale, një litër benzinë kushton 73 denarë, ndërsa deputetët, në vend se të marrin 22 denarë për litër siç ishte deri tani, për çdo kilometër të kaluar do të marrin 15 denarë. Ose, nëse një deputet kalon 100 kilometra deri në Kuvend dhe 100 kolimetra tjera për t’u kthyer në shtëpi, për një deputet dhe për një ditë do të merren para nga buxheti prej 300 denarëve.

Buxheti vjetor për harxhime rrugore të Kuvendit përfshin 1 300 000 euro. Me uljen e harxhimeve rrugore, sipas burimeve të Kuvendit, pritet që harxhimet të ulen për rreth 40 për qind.

Ulja e harxhimeve rrugore vjen pas reagimeve të ashpra të opinionit për shumat e larta që u paguheshin deputetëve. Hulumtimi i SCOOP tregoi se për një muaj janë paguar rreth 40.000 euro. Në të njëjtën periudhë në Slloveni, për harxhime rrugore, por edhe për harxhime të tjera , një deputeti i janë paguar 36.000 euro, në Bullgari 19.000 euro, në Kroaci 14.000 euro dhe në Kosovë vetëm 6.000 euro. Për vitin 2017, shumë më të lartë për harxhime rrugore ka marrë deputeti nga Struga, Alija Kamberovski nga Partia për të Ardhme Evropiane – 12.847 euro, deputetja e LSDM-së, Mira Stojçevska na Manastiri, e cila për nëntë muaj ka marrë 11.736 euro, dhe Liljana Zaturovska nga VMRO-DPMNE-ja e cila ka marrë 11.435 euro.

Kryetari i Komisionit për sistem politik, Aleksander Kiracovski tha se tani më nuk do të ketë hapësirë për keqpërdorim të parave nga obliguesit tatimor.

Sipas këtyre llogarive, deputetë që kanë marrë 100 mijë denarë në muaj për harxhime rrugore, tani sipas ligjit të ri do të marrin rreth 60 mijë denarë. Edhe atë, do të duhet ta justifikojnë me llogari fiskale për derivatin e harxhuar dhe vendpagesën e paguar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button