Post factum – debatet rreth ndryshimit të emrit, dhe çështja shqiptare

Fill pas përhapjes së lajmit për përafrimin e qëndrimeve të dy palëve (asaj greke dhe maqedonase) në lidhje me çështjen e emrit, nëpër masmedia ‘u ndezën’ debatet e flakta përkitazi me këtë çështje. E, tashmë që marëveshja u nënshkrua dhe u bë realitet, këto debate sa vijnë e bëhen edhe më të flakta.

Ajo që kam për qëllim këtu, nuk janë debatet e ‘kampit’ maqedonas në lidhje me ndryshimin e emrit si dhe çështjen e identitetit, por kam për qëllim debatet brenda ‘kampusit’ shqiptar përkitazi me çështjen e emrit, në veçanti, si dhe çështjen shqiptare, në përgjithësi.

Ndonëse këto dy çështje të lartëpërmendura (çështja e emrit dhe çështja shqiptare) takohen në shumë pika, si në aspektin historik dhe civilizues, poashtu edhe në atë gjeografik, strategjik, politik, ekonomik dhe kulturor, mirëpo, rrethanat dhe realiteti i hidhur imponojnë të bërit dallim në mes tyre, edhe atë, si vijon:

  1. Aktit të nënshkrimit të marrëveshjes për ndryshimin e emrit, si akt politiko-juridik në mes dy shteteve sovrane, në suaza të real-politikës dhe konstelacioneve gjeo-strategjike bashkëkohore; dhe
  2. Realitetit të dhimbshëm të shqiptarëve të maqedonisë, realitet ky i cili është i lidhur ngushtë me kauzën shqiptare në Ballkan në përgjithësi, si dhe padrejtësitë e njëpasnjëshme që i janë bërë këtij populli, prej kohëve më të vjetra, e deri më sot.

Përkitazi me çështjen e parë, mendoj se: biseda dhe debati i cili do të duhej të zhvillohej në momente dhe rrethana të këtilla, do të duhej të jetë bisedë dhe debat logjik, jo emocional; gjegjësisht, debat, i cili, për bazë dhe piknisje do të kishte real-politikën, rrethanat gjeo-strategjike aktuale, qasjen graduale, zgjidhjen hap-pas-hapi, caktimin e prioriteteve, si dhe krijimin e parakushteve dhe rrethanave të volitshme për një qasje serioze ndaj realitetit historik dhe civilizues, realitet ky, i cili, herët apo vonë, do të duhet të ndriçohet. Përndryshe, çdo debat tjetër me elemente bajraktaro-patriotike dhe politiko-pupuliste do të ishte debat shterp, dhe nuk do ti kontribonte kësaj çështjeje as për së afërmi e as për së largëti.

Një gjë të këtillë e them për shumë arsye, edhe atë:

  1. Çështja e emrit, për shkak të rrethanave aktuale gjeo-strategjike, është shndërruar në çështje me interes global, me ç’rast, i ka tejkaluar kufijtë dhe sferën rajonale dhe ndër-etnike. Andaj, për fat të keq, roli ynë në këtë çështje është dytësor.
  2. Po të vazhdonte gjendja statike në të cilën qëndroi vendi për gati tre dekada rradhazi, jo vetëm që nuk do të ndryshonte asgjë në drejtim të asaj që ëndërrojnë debatuesit ambiciozë, porse, vazhdimi i një situate të tillë do të na thellonte edhe më tej në kriza të reja, pasojat e të cilave do të ishin të paparashikueshme.
  3. Nën hijen e rrethanave dhe kushteve ekzistuese të ‘klimës së tendosur’ politike, ekonomike dhe sociale, si dhe nën hijen e nacionalizmave, shovenizmave dhe albanofobisë që po mbretëron, në një artmosferë të këtillë, të vërtetat faktike si dhe realitetet historike dhe civilizuese jo vetëm që instrumentalizohen dhe falsifikohen, por të njejtat edhe sakrifikohen dhe viktimizohen.
  4. Nën hijen e kësaj gjendje të mjerueshme politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe arsimore në të cilën gjenden shqiptarët, si dhe nën udhëheqjen e lidershipit aktual shqiptar, ne rrezikojmë të humbim edhe atë status të cunguar që e kemi, e lere më të realizojmë ndonjë ëndërr të kahmotshme.
  5. Nën hijen e anatemimit, stigmatizimit, demonizimit, diskriminimit, akuzimit, shantazhimit, burgimit, migrimit, si dhe gjitha llojeve tjera të padrejtësive të cilat ushtrohen ndaj shqiptarëve, gjëja e fundit që mund të shpresohet dhe pritet është përmirësimi i statusit të tyre etnik dhe shtetformues.
  6. Marë parasyshë faktin se, marëveshja e re për emrin bën dallim ndërmjet identitetit etnik dhe atij shtetëror, me ç’rast, termi ‘maqedonas’ nuk është përkatësi shtetërore, por vetëm përkatësi etnike, ndërsa të gjithë qytetarët e vendit do të jenë ‘qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut’; një akt i këtillë i de-etnizimit të shtetit dhe shndërrimit të tij nga një shtet monoetnik në shtet multietnik, hap rrugën që shqiptarët të fitojnë të drejtën e tyre të natyrshme si popull shtetformues. Madje, referendumi i cili do të organizohet për çështjen e ndryshimit të emrit, është momenti më i volitshëm që duhet të shfrytëzohet për zgjidhjen e këtij statusi shtetformues të shqiptarëve në Maqedoni brenda kornizave kushtetutare, duke përfshirë këtu edhe simbolet e shtetit. Mirëpo, sa do të shfrytëzohet një shans i këtillë, është çështje tjetër.

Andaj, duke marë për bazë këtë që u tha, konstatoj se: një zgjidhje jo-optimale, siç është zgjidhja dhe marëveshja në fjalë, është më e mirë se sa mungesa e çfarëdo zgjidhjeje.

Për më tepër, këtë konstatim e nxjerr nga bindja dhe shpresa se, mbase, procesi i integrimeve, i cili pritet të inicohet pas ndryshimit të emrit, do të krijojë bazë dhe dinamikë për krijimin e institucioneve të mirëfillta, si dhe do të ofrojë mundësi dhe mekanizma për korrektimin e padrejtësive historike në baza të mirëfillta institucionale, larg nga të pavërtetat, falsifikimet, shtrembërimet dhe padrejtësitë; me ç’rast, të drejtat etnike shqiptare do të mund të harmonizohen përmes standardeve europiane; por, kuptohet, e gjithë kjo, në saje të ndërmarrjes së iniciativave të duhura, hapave të nevojshëm, dhe kryerjes së detyrave dhe obligimeve të domosdoshme në këtë drejtim; ngase, integrimi nuk sjell rezultate vetvetiu, por nevojitet punë.

E, sa i takon çështjes së dytë, them se: padyshim, çështja politike, kulturore, historike dhe civilizuese e shqiptarëve të maqedonisë (duke përfshirë këtu kauzën shqiptare në Ballkan në përgjithësi), jo vetëm që nuk ka përfunduar, por e njejta ende nuk është hapur mirëfilli. E, për një realitet të këtillë të hidhur, shkaqet, faktorët dhe fajtorët janë të shumtë, si të jashtëm, poashtu edhe të brendshëm.

Në mesin e shkaqeve, faktorëve dhe fajtorëve të jashtëm, do të kisha veçuar:

  1. Padrejtësitë historike kumulative që u janë bërë shqiptarëve në përgjithësi në shekujt dhe dekadat e fundit.
  2. Politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve që në kohën e ish-Jugosllavisë.
  3. Vazhdimi i politikave shoveniste dhe antishqiptare në periudhën post-jugosllave.
  4. Mungesa e një platforme të qartë dhe vullneti të mirëfilltë të ndërkombëtarëve për zgjidhjen përfundimtarë të çështjes shqiptare në Maqedoni.

Në mesin e shkaqeve, faktorëve dhe fajtorëve të brendshëm, do të kisha veçuar:

  1. Dështimi i faktorit shqiptar në krijimin e kohezionit kombëtar.
  2. Dështimi i popullit shqiptar të Maqedonisë në konsolidimin e rradhëve si dhe artikulimin e kërkesave të tij.
  3. Dështimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoni në përfaqësimin e mirëfilltë të popullit dhe artikulimin e kërkesave të tij.

Si rezultat i këtyre faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm, populli shqipëtar në Maqedoni, përgjatë rrugëtimit të tij gati tre dekadësh të tranzicionit, jo vetëm që u ndjejt i tradhëtuar nga ana e fqinjve të tij bashkështetas / bashkëvendas, miqve të tij ndërkombëtar, si dhe vëllezërve të tij të gjakut (Shqipëria dhe Kosova), ai poashtu e gjeti vehten ‘peng’ të vetvetes, edhe atë, me fajin e vet, duke lejuar menaxhimin e fatit të tij nga një shtresë politikanësh dhe udhëheqësish injorantë dhe të korruptuar, të cilët, jo vetëm që nuk ju interesonte e kaluara e këtij populli, por të njejtët, me veprimet e tyre, kishin filluar ta rrënojnë edhe të tashmen dhe të ardhmen e tij.

Kështu, kjo shtresë e ‘kalbur’ e cila ‘menaxhoi’ dhe ende vazhdon të ‘menaxhojë’ me historinë, të drejtat si dhe kauzën e këtij populli në përgjithësi sikur të jenë pronë e tyre private, e njejta shtresë ka nxjerr në ‘shitje’ çdo interes shqipëtar, duke përfshirë në këtë ‘ofertë të majme’ edhe vet popullin e këtyre trevave; me ç’rast, si rezultat i ikjes së rinisë dhe trurit shqiptarë drejt metropoleve botërore në kërkim të një jete më të mirë, ato pak troje shqiptare që kanë mbetur tashmë kanosen nga rreziku i de-popullimit! Madje, një situatë e këtillë e mjerueshme vazhdon të dominojë deri në momentet e shkrimit të këtyre rreshtave.

Nën hijen e kushteve dhe rrethanave të këtilla, si dhe në mungesë të shpresave dhe perspektivës për të tashmen dhe të ardhmen, zgjidhja dhe alternativa e vetme është që, ky popull, para së gjithash, të vetëdijesohet, ta merr çështjen e tij në duart e veta, dhe të filloj dalëngadalë të hapërojë drejt përmirësimit të kushteve dhe rrethanave të së tashmes, duke krijuar vizion dhe parakushte për të ardhmen. E, kur të arrihet një pozicion i këtillë, atëherë, me siguri do të ‘piqen’ kushtet për rishikimin e historisë, rishkrimin e saj, si dhe të mësuarit nga e njejta dhe mospërsëritja e gabimeve.

Së këndejmi, fati jonë, para se të mvaret prej çfarëdo procesi politik dhe integrues, ai mvaret nga vetëdija, vullneti dhe angazhimi ynë personal për të ndryshuar gjendjen tonë të gjithmbarshme kah më e mira.

Ndryshimi nuk vjen, por ai duhet të nis nga vetvetja jonë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button