“Dita e Drurit”, Prokuroria ende nuk i heton keqpërdorimet e mundshme

Prokuroria Themelore Publike, nuk ka asnjë përgjigje në lidhje me atë se a kanë hapur ndonjë procedurë për hetimin e keqpërdorimeve eventuale që mund të jenë bërë me aksionin e njohur në opinion si Dita e Drurit i cili u shfuqizua nga Qeveria e Maqedonisë në nëntor të vitit të kaluar, shkruan Portalb.mk.

“Qeveria që nga shkurti e ka shqyrtuar dhe e ka miratuar informatën e Ndërmarrjes Publike për Menaxhim me Pyjet e Maqedonisë – Shkup, për harxhimin e të gjitha mjeteve financiare për zbatimin e Aksionit “Dita e Drurit – mbille ardhmërinë” që nga fillimi i aksionit deri në vitin 2016. Për të gjitha informatat dhe detajet tera mund të drejtoheni deri te Prokuroria Publike”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë.

Megjithatë, edhe pse Portalb.mk, përpara një jave ka dërguar kërkesë për marrjen e përgjigjes në lidhje me atë se deri ku është procedura për vërtetimin e keqpërdorimeve eventuale apo përgjegjësinë për mossuksesin e projektit, deri më tani ende nuk kemi marrë përgjigje.

Për aksionin e Ditës së Drurit qeveria paraprake e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ka  harxhuar 17.8 milionë euro, ndërkaq nga drunjtë e mbjella kanë mbijetuar vetëm 21% prej tyre. Nga ana tjetër, Qeveria ka mbjellë edhe palma, me vlerë prej gjysmë milionë euro, por asnjë prej tyre nuk ka mbijetuar.

“Niveli mesatar i suksesit për sipërfaqen e përgjithshme të pyllëzuar prej 12.869 hektarësh është 21%, që është një përqindje e vogël, duke pasur parasysh se pyllëzimi konsiderohet i suksesshëm atëherë kur mbijetesa e fidanëve është ndërmjet 50% dhe 60%, në përputhje me standardet e vendosura në pylltari”, theksohet në raportin e Revizionit të titulluar “Efikasiteti i masave, politikave dhe projekteve për mbrojtjen e pyjeve në Maqedoni”, i cili e analizon situatën me mbrojtjen e pyjeve, por edhe problemet me të cilat u përballen institucionet kompetente nga viti 2015 deri në vitin 2017.

Aksioni “Dita e drurit – mbjelle ardhmërinë e tënde”, filloi në gusht të vitit 2007, kur këngëtari i operës Boris Trajanov nxiti një projekt për mbjelljen masive të fidanëve në vendet e zhveshura dhe të shkretuara.

Derisa ka qenë në opozitë, LSDM-ja, vazhdimisht e ka kritikuar këtë projekt duke e cilësuar si aksion që nuk ka efekt, por se bëhet për qëllime që funksionarët e VMRO-DPMNE-së të fitojnë tenderë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button