Intervistë me Dritëro Kasapin: efektiviteti i teatrit – vija ndarëse mes Maqedonisë dhe Suedisë

Është me prejardhje nga Shkupi i Maqedonisë, ku edhe mbaroi studimet në Fakultetin e Artit Dramatik. Që nga viti 2001 vepron në Evropë, ndërkaq nga 2005-ta vendoset në Suedi. Para disa ditëve u emërua drejtor i Teatrit Kombëtar të Suedisë, post të cilin do ta kryejë nga nëntori i 2018-s. Emërimi i tij si drejtor në një teatër me repertor prej 30 shfaqjes erdhi natyrshëm, si rezultat i punës së tij dydekadëshe si regjisor. Megjithëse i natyrshëm, marrja e një posti prej drejtori nuk do të thotë vetëm pozitë, por mundësi e re e krijimit të një rrëfimi të ri teatror të Evropës dhe Suedisë.

Bëhet fjalë për Dritëro Kasapin, për ndjekësit e rubrikës së kulturës njihet si njëri ndër themeluesit e Qendrës Teatrore të Fëmijëve.

Si rezultat i veprimtarisë së gjatë artistike apo teatrore, regjisori Dritëro Kasapi, duke bërë një krahasim mes Suedisë dhe Maqedonisë, vlerësoi se sa i takon nivelit profesional, kastës së artistëve, regjisorëve dhe financave, këto dy shtete nuk dallojnë njëra me tjetrën. Ajo çfarë i dallon, është efektiviteti teatror. Në Suedi është më i madh, e në Maqedoni më i vogël.

 Portalb: Depërtimi në një shtet të huaj nuk është i lehtë. Si arritët të bëheni drejtor i një teatri?

E vërtetë se nuk është i lehtë depërtimi. Si drejtor i Teatrit Kombëtar të Suedisë do të bëhem prej 1 nëntorit, kurse për momentin jam zëvendësdrejtor i teatrit të Stokholmit. Deri te emërimi im si drejtor, ka ardhur shumë natyrshëm, si rezultat i veprimtarisë sime prej regjisori në atë teatër.

Emërimi si drejtor – rritje e këndvështrimit teatror

Emërimi im si drejtor, më jep hapësirë që të krijojë repertorin tim, dhe jo vetëm të mendoj për atë që mund ta bëj si regjisor, vetëm me një shfaqje. Kjo më jep mundësi që të mendoj në një këndvështrim më të gjerë, pasi që mbulohen rreth 30 shfaqje në vit, të cilat unë do të kem përgjegjësi t’i zgjedh tematikat, artistët, regjisorët dhe aktorët që do të punojnë.

Kur më propozuan si drejtor i Teatrit Kombëtar të Suedisë, unë e pranova, sepse më interesonte hapësira që të krijohet si drejtor. Fillimisht e mora si nder që mu bë, pasi mu mundësua që të konkurroj, por nga ana tjetër e njëjta është edhe zhvillim i veprimtarisë sime.

Fakti se them se emërimi im si drejtor i Teatrit Kombëtar të Suedisë erdhi shumë natyrshëm, është edhe ajo se unë ka gjatë kohë që merrem me teatrin. Ja mund të potencoj fakti se unë jam ndër themeluesit edhe të Qendrës Teatrore të Fëmijëve, kështu që kjo është diçka shumë e natyrshme për mua.

Portalb: A jeni person që luftoni për pozitë?

Unë nuk jam bërë drejtor për shkak të drejtorllëkut, siç mund të mendojnë shumica në Maqedoni. Ajo çfarë më intereson nuk është pozita, por mundësia për të krijuar art skenik. Teatri ku jam emëruar është një teatër i madh, ka 30 shfaqje në vit, me forma të ndryshme teatrore. Gjithashtu synoj që të tregoj një rrëfim të ri, se çfarë është Suedia dhe Evropa e re. Cili është identitetit kulturor evropian i Suedisë? Cilat janë temat dhe idetë aktuale dhe problematike dhe të cilat duhet të debatohen?

Maqedonia dhe Suedia kanë nivel të njëjtë të artistëve

Sa i takon nivelit të artistëve dhe regjisorëve nuk ka dallim. Dallimi është në mënyrën se si i qasen punës. Çfarë tema përzgjedhin për të hedhur në skenë. Dhe këtu dallohen, sepse janë dy kontekste të ndryshme kulturore, me histori teatri dhe populli të ndryshme. Dhe duhet të kemi parasysh, se ajo çfarë artistët në Maqedoni i preokupon, nuk është e njëjta që i preokupon në Suedi.

Ffektiviteti i teatrit – vija ndarëse mes Maqedonisë dhe Suedisë

Pjesë nga shfaqja “Hamleti”

Këtu është dallimi më i madh. Në Suedi ka art të laramanë, aq sa me një fjali nuk mund të përshkruhet niveli zhvillimit teatror suedeze, aq sa nuk mund të përshkruhet veprimtaria teatrore e Maqedonisë. Sigurisht se ka dallime edhe në resurse. Atje institucionet funksionojnë në mënyrë tjetër, shumë më efektive. Por nuk do të thotë se ka më shumë mjete, por kanë më shumë efektivitet.

Si regjisor, ka hedhur një numër të madh të shfaqjeve në skenën teatrore të Suedisë. Më së shumti u vlerësua “Hamleti” i Shekspirit. Pas emërimit të tij si drejtor, Kasapi u takua edhe me ministrin e Kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi, për të parë mundësitë e shkëmbimit të përvojave Maqedoni – Suedi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP