Intervistë me Ibër Dearin: fëmijët në publik, regjisorë të ardhshëm në skenë (FOTO)

Bën jetë mes Kumanovës dhe Nju Jorkut, i pari vendi i lindjes, i dyti vendi i triumfit me çmime.

I ri në moshë, por me një numër të madh filmash të lënë pas vete. Dhe jo vetëm aq, ai së fundmi udhëhoqi shfaqjen e parë për fëmijë në Kumanovë “Mbreti Gjumash”. Vitin e kaluar u njoh për opinionin për çmimet që i rrëmbeu në Festivalin e Filmit në Nju Jork, ku këtë vit kaloi në gardë më të lartë, atë të jurisë.

Ibër Deari ka lindur në vitin 1990 në Kumanovë të Maqedonisë. Është regjisor, skenarist dhe producent. Në artin filmik u bë i njohur me “City Screams (2015)”, “TOKA (2016)” dhe “A long way Home (2017)”. Ka studiuar në akademinë e filmit ESRA.

Se si nisi gjithçka që lidhet me filmin dhe teatrin, si mund të funksionojë një artist pa përkrahje financiare institucionale, në çfarë niveli është filmi në Maqedoni nëse krahasohet me atë në Amerikë, dhe çfarë ndodh me artistë me vlerë, përderisa antivlera gjithnjë dhe më shumë përkrahet, të gjitha këto i shtjellon Ibër Deari në intervistën më poshtë.

Portalb: Çfarë e karakterizoi këtë vit Festivalin e Filmit në Nju Jork (IFFY-n)?

Kishte konkurrues të shumtë, dhe kjo e  ka bërë të vështirë përzgjedhjen e filmave, ngaqë nuk mund të përfshiheshin të gjithë, sepse numri i ishte i kufizuar.

“Festivalet janë punë e rëndësishme, jo për çmimet që sjellin, por për kontaktet dhe përvojat që shkëmbehen”, tha Ibër Deari.

Vazhdon rrëfimin: IFFY është një festival i madh i cili ndodh dhe zhvillohet me një vend të rëndësishëm, siç është Nju Jorku. Këtë vit, ishte edicioni i shtatë, dhe si të nominuar ka pasur filma nga ato të metrazhit të shkurtër, për të vazhduar me ata të metrazhit të gjatë. Nuk u anashkaluan as dokumentaret e gjata. Kur ke shumë filma nga e gjithë bota, ke shumë kultura dhe ide të ndryshme. Ishte përvojë e mirë, dhe shpresoj të zgjat edhe më tej.

Nju Jorku dhe Shkupi janë në largësi prej 12 orë udhëtimi me aeroplan. Njëra rrethohet nga deti, e tjetra gjendet në zemrën e Ballkanit. E vetmja gjë që i ndërlidh është diversiteti kulturor, por jo në të njëjtën masë, sepse në Nju Jork fliten 800 gjuhë, e në Maqedoni pesë. I pari ka dalje në Oqeanin Atlantik Verior, e tjetri nuk ka dalje as në det. Ato dallohen edhe nga madhësia territoriale dhe dendësia e popullatës. Por këto nuk janë të vetmet dallime ndërmjet këtyre dy emrave. Një dallim i madh, sipas Ibër Dearit është edhe niveli i zhvillimit të kinematografisë.

Ibër Deari

Portalb: Pasi që i përjeton këto diversitete, ndoshta edhe brenda një dite, si arrin të “mbijetosh” në relacionin Nju Jork  – Kumanovë?

Mundohem të adaptohem, pa marrë parasysh në çfarë ambienti apo kushte punoj. Duhet ta kuptojmë se ne nuk jemi një vend ku filmi është industri. Duhet të kemi parasysh se vështirësitë janë të mëdha, por ne duhet të vazhdojmë, fillimisht duke motivuar veten, vetëm që të realizojmë filma.

Portalb: Në këtë situatë kontradiktore, a nuk është e vështirë të motivosh veten, kur kihet parasysh se institucionalisht vetëm tre filma shqiptarë janë financuar?

Në Maqedoni është e vështirë jeta e një qytetari, llogarit pastaj ajo e një regjisori. Sigurisht që është e vështirë, pasi që jemi numër i vogël regjisorësh shqiptarë, dhe shumica e projekteve ndahen në mënyrë jo korrekte, por kjo nuk duhet të më ndalojë së bëri filma. Mungon mbështetja nga institucionet dhe vetë shteti, prandaj gjithë filmat që kam realizuar deri më sot kanë qenë zero buxhet shtetëror. Kam bërë shumë kërkesa për fonde dhe përkrahje financiare për udhëtimet e mia nëpër festivale, pasi që kam prezantuar Maqedoninë, por çdo herë më janë kthyer negativisht. Kjo nuk do të jetë gjithnjë kështu, do të ndryshojë në të ardhmen. Në fund të ditës, pasi jetojmë në këtë vend dhe me këto kushte, duhet të përgatitemi të mbijetojmë.

“Nëse e duam kinematografinë, do të gjejmë mënyra dhe metoda që të krijojmë filma dhe të bëjmë art”, Ibër Deari.

Filmi dhe Nju Jorku nuk janë të vetmet që të karakterizojnë Ibër Dearin. Bashkërisht me kolegët e tij, muaj më parë, për herë të parë, me vetiniciativë, në formën e shfaqjes teatrale për fëmijë, sollën veprën e autorit nga Kosova, Jeton Neziraj – “Mbreti Gjumash”. Sot, kur shohim qindra fëmijë nga Kumanova dhe rrethina, që shijojnë artin e tyre, është ndjesi e veçantë, jo vetëm për trupën teatrore, por edhe për mësueset, të cilat për herë të parë shohin kënaqësi artistike te nxënësit e tyre.

“Fëmijët janë publiku i ardhshëm. Por jo vetëm kjo, shfaqja mund të jetë edhe nxitje që ndokush nga ato nesër të jetë regjisor, aktor apo edhe dramaturg”, Ibër Deari.

Portalb: Si ndiheni kur shihni këto fotografi të fëmijëve deri sa hynë nga dera e Teatrit për të parë shfaqjen “Mbreti gjumash”?

Qëllimi im ishte që të realizojmë një shfaqje për fëmijë, që të përjetohet kënaqësia dhe magjia e teatrit edhe nga fëmijët. Kjo u bë në bashkëpunim me kolegët. Në fillim konkurrova në Ministrinë e Kulturës, por siç edhe është bërë praktikë, nuk gjeta përkrahje financiare. Nuk deshëm të dorëzohemi, dhe me aq mundësi sa kishim, vendosëm ta sjellim në skenë “Mbretin gjumash”. Kjo shfaqje kishte rëndësi shumë të madhe për ne, sepse për herë të parë fëmijët erdhën në Teatrin e Kumanovës. Që shfaqja të jetë sa më e pranishme të fëmijët, aktorët kanë shkuar edhe në shkolla.

 “Mbreti gjumash” – nga më të veçantët

Ibër Deari: Kohës së fundit kisha lexuar shumë tekste për fëmijë, dhe “Mbreti gjumash” ishte njëri nga më të veçantët, që po të isha fëmijë, dhe i njëjti të ishte shfaqje, do të isha kënaqur duke e shikuar. Duke e pasur parasysh se është vepër e Jeton Nezirajt, fillimisht e kontaktova atë, dhe pasi që na dha leje dhe ndihmë, e realizuam si shfaqje teatrore për fëmijë. Ka personazhe shumë interesante dhe që i përshtaten periudhës fëmijërore.

Teatri ka marrë hov në Maqedoni, filmi ende larg nismave

Ibër Deari: Në Maqedoni mund të flitet për cilësinë e Teatrit, pasi prodhohen më shumë shfaqje, kurse për film duhet ende kohë. Teatri në Maqedoni ka treguar shumë sukses, duke sjellë shfaqje të mira. I vetmi problem që është paraqitur kohës fundit, është interesimi i ulët i publikut për në Teatër. Vetëm në premierë e kemi sallën plotë, dhe pastaj numri i publikut fillon të pakësohet shumë. Tani nuk mundemi ta kritikojmë vetëm Teatrin, por edhe publikun. Ndoshta janë edhe kushtet ekonomike që publiku nuk ka interes më të shikoj teatër, apo të blej një biletë për film në kinema. Si do qoftë, është temë e gjerë që duhet të diskutohet më gjatë.

Portalb: Megjithëse i ri në moshë, nismat dëshmojnë një përvojë të konsiderueshme në botën artistike. Si ju duket arti filmik dhe teatror në Maqedoni?

Filmi është komplet një problem tjetër, sepse është shumë i shtrenjtë dhe kërkon shumë kushte. Sa për cilësi nuk kemi se si ta krahasojmë, pasi që shumica e filmave që janë bërë në Maqedoni, janë realizuar nga njerëz jo të filmit. Shembull, nëse e shikoni listën e fituesve, shumica e tyre janë joregjisor dhe që nuk i takojnë botës së filmit. E tani për të folur për cilësinë e filmit, e për të garuar me filmat e huaj, nuk mundemi, sepse filmat në Maqedoni realizohen nga aktorët. Na duhet kohë, që projektet t’ju ndahen njerëzve profesional. Derisa aktorët të realizojnë filma në Maqedoni, nuk ka filma cilësor, dhe do të vazhdojmë të kemi filma të “mëhallës”, duke u mbyllur në sirtarë.

Portalb: Në Maqedoni gjithçka është klanizuar dhe partizuar. A është ii përfshir edhe arti skenik në këtë sindromë ballkanike?

Fatkeqësisht, politika është duke e shkatërruar edhe filmin dhe teatrin. E vetmja mënyrë që të arrihet suksese është pavarësimi – arsyeja ime pse kam realizuar filma me zero buxhet shtetëror. Kjo ka bërë të që kem në kontroll gjithë projektin dhe lirinë artistike. Kam pasur oferta edhe me buxhet, por me shumë kushtëzime. Nëse fillohet të kushtëzohet regjisori, atëherë suksesi – vlera artistike do të mungojë. Çdo regjisor duhet të jetë i lirë dhe i pavarur në punën e tij. Është tmerr që artistët nuk promovohen, vetëm se nuk është pjesë e ndonjë klani partiak.

Politikanët – superstarët e mediave në Maqedoni

Ibër Deari: Mediat në Maqedoni mundohet t’i promovojnë artistët dhe t’i ndjekin, por lajmet më të rëndësishme, më të shitura, vazhdojnë të jenë lajmet që lidhen me politikën dhe politikanët. Këtë ndoshta e kërkon populli, sepse atyre më shumë ju intereson një politikan, sepse ata janë superstar.

“Ka nga ata artist që pasi ta shfaqin veprën artistike, i falënderohen politikanit. Në skenë sot kemi artistët e qeverisë, që i jepen të gjitha projektet. Hulumtoni dhe shikoni emrat e personave që fitojnë, në vazhdimësi financohen të njëjtit. Emra që janë intelektualisht dhe shpirtërisht të varfër”, Ibër Deari.

Portalb: Po ku mbeten artistët me vlera?

Artistët e talentuar dhe me vlera duhet të mblidhen, dhe me aq mundësi që kanë, t’ju afrohen mediave, që publiku të njoftohet për veprat artistike. Megjithatë, mediat e kanë për obligim dhe detyrë t’i promovojnë artistët dhe veprat artistike, pavarësisht se kush qëndron prapa tyre.

A po vdes vërtetë kinemaja?

Kinemaja ka rol shumë të rëndësishëm në shoqëri. Si filmbërës, kemi fuqinë që përmes filmit të nxisim emocione te njerëzit, t’i bëjmë t’i shikojnë sendet më ndryshe, të zbulojnë ide të reja, t’ju paraqitet një botë tjetër. Njerëzit shkojnë në kinema për t’u bërë më të mirë, për të përjetuar diçka më ndryshe nga realiteti që jetojnë. Ata futen në botën e personazhit që luan filmin, identifikohen me problemet e tyre dhe marrin pjesë në zgjidhjen e tyre. Shikuesit duan të jetojnë gjatë në botën që ua paraqet filmi, aty ku njoftojnë gjithçka të re, aty ku ndryshe konceptohet jeta, dashuria, dhuna, njerëzit. Si filmbërës kemi vëmendjen e audiencës në dorë, i bëjmë të qajnë, të qeshin, të kënaqen. Filmi pra, është mediumi më i fuqishëm për të shprehur vetveten. Këto efekte më bëjnë të mos besoj në debatet e shumta botërore, të cilat thonë: “kinemaja po vdes”.

Artistët e rinj – premtues të mëdhenj

Ibër Deari: U gëzohem shumë aktorëve të rinj, pasi që janë: modest, të talentuar dhe të informuar për filmin, teatrin dhe letërsinë. Ata janë të mbushur me shpresë, pavarësisht rrethanave në të cilat veprohet. Rastet e fundit në teatër më kanë kënaqur, sepse u kishin dhënë hapësirë aktorëve të rinj. Deri sa luanin në skenë, na dhanë shumë energji.

Portalb: Kur mund ti shohim filmat “The Long Way Home” dhe “Toka”?

Filmi “TOKA” është në sirtarin e producentit të parë, dhe nuk e kam idenë kur dhe si do të shfaqet. Unë mendoj se i kam përfunduar festivalet për ta shfaqur filmin “Toka”, dhe se është koha të shfaqet në ndonjë TV ose në rrjete sociale, ku mund ta shikojnë të gjithë. Kurse filmi “A long way home“ ka mbetur të shfaqet edhe në disa festivale, dhe besoj se deri kah fundi i vitit do jetë onlajn në internet.

Portalb: Pesë filma që duhet t’i shikojmë?

  1. Seven Samurai (Kurosawa)
  2. The Good The Bad and the Ugly (Sergio Leone)
  3. Tarantino movies
  4. GoodFellas (Scorcesse)
  5. Lord of the Ring (Peter Jackson)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button