JO PËR BAJRAK BAJRAKTARIZMI

Derisa beteja për emrin po zhvillohet në terrenin e turmave të Greqisë dhe të Maqedonisë dhe kuptohet përmes protestave, por edhe undergraund, televizionet, në mungesë takati krijues që të ofrojnë emisione me nivel, vlojnë nga hajd park debatet, ku ndonjëherë ka njerëz të urtë që janë të brengosur për të ardhmen e të gjithëve, po më shpesh ngrihet zëri patetik “i heronjve në gomar” që i kërcënohen haptazi qeverisë, të gjithëve që mendojnë ndryshe dhe kuptohet, kuptohet në radhë të parë – shqiptarëve.

Thua ti se shqiptarët vendosin se çfarë duhet të bëhet këtu! U jepet rasti atyre “heronjve” që janë ngatërruar midis mentalitetit rural dhe jetës urbane, ta thonë edhe ata ndonjë fjalë me pelin. Të mendojnë se janë faktor i cili me shkumën që u del goje bashkë me fjalët e vrerosura mund ta ndërrojë kahen e historisë. Këta dalldisës ashiqare nuk e dinë se ndërmohimi ka qenë midis pushtetit grek e maqedonas për emrin dhe se më në fund është gjetur një zgjidhje. Ata, madje, nuk e kanë hallin e marrëveshjes (e mosmarrëveshjes) me grekët.

Halli i tyre janë shqiptarët. Shqiptarët i kanë halë në sy. Prandaj në “hajdparqe”, si gjithmonë, nuk pushojnë virrmat antishqiptare, njësoj si në dofarë anketash midis protestuesve para kuvendit, ku redaksitë e kurdisin planin që “qytetarët” ta shprehin “pakënaqësinë” e tyre për ujdinë e arritur midis Greqisë dhe Maqedonisë për emrin. Kuptohet në hajd parkun e një pjese të madhe të  redaksive të këtushme maqedonase  “fajtor”, “tradhtar” është qeveria, kurse protestuesit dhe zhurmaxhinjtë e hajd parkut e identifikojnë veten me “popullin”. Ata janë “zëri i arsyes”, ata janë “zëri i popullit”, ata janë “pronarë të së vërtetës absolute”, ani se para kuvendit mund t’i numërosh në gishta sa janë.

Në zhurmën që bëjnë nuk shkon gjatë e harrohet marrëveshja për emrin. Shpërthen ai deti i urrejtjes tjetërkah – kah shqiptarët! Kryeministrin e shpallin shqiptar! Kuptohet pse. Se kjo për ta është fyerja më e madhe. Një grua nga turma thotë se nuk e kupton dot se si një shqiptar (demek një i huaj) e ngre flamurin e vet të huaj në vendin “e saj”, se shqiptarët mund ta imponojnë një gjuhë të huaj në vendin “e saj” (ky vend qenka i saj!). Nuk është e vetme dhe e vetmuar kjo grua. Vetë e kam dëgjuar njërin kur thoshte se nuk mund ta marr me mend një shqiptar të jetë intelektual. Një tjetër vazhdimisht thekson se asgjë nuk ka kundër shqiptarëve. Unë, thotë, kam shokë shqiptarë, kam pasur fqinjë shqiptarë. Pas kësaj i shtron pyetjet e hidhëta që kërkojnë të jemi qytetarë të rendit të dytë.

Kjo grua që nervozohet pse flasim ne shqip e pse jemi shqiptarë nuk ka kurrfarë telashesh me politikat e fqinjëve, me grekët, bullgarët e serbët, të cilët ia mohojnë identitetin. Halli i saj është me bashkëqytetarët e saj shqiptarë që e mbështesin gjithmonë. Ne i pengojmë pse flasim shqip, pse e kemi traditën tonë dhe pse përpiqemi ta ruajmë veçantinë tonë. Edhe tjetri që s’e merr me mend dot shqiptarin të jetë intelektual, edhe ky nuk mund të fajësohet,  sepse me decenie ai është mësuar t’i shohë shqiptarët si pastrues rrugësh ose si punëtorë ndërtimtarie. As ai i treti që e “dëshmon” mirësinë e tij duke qenë “shok” ose “fqinj” me shqiptarë, që demek nuk ka urrejtje ndaj nesh, s’e kupton pse ngulim këmbë për mbrojtjen e gjuhës sonë. Pse e ruajmë identitetin tonë.

Dhe, nuk mund të fajsohen këta individë nga radhët e turmës me shumë të tjerët, sepse këta nuk janë ata që e zgjidhin problemin. Këta vetëm janë cak i bombardimeve propagandistike të cilat realizohen me paratë e shtetit, ku derdhen edhe taksat tona. Këta vetëm çojnë pluhur.

Faji fshihet nëpër institucionet e shtetit dhe në media. E para, propaganda shekullore antishqiptare e instaluar në shtetin serb dhe e zbatuar përmes Jugosllavisë së dikurshme vazhdon edhe sot e kësaj dite të zbatohet përmes institucioneve dhe përmes formave të ndryshme të partive e grupacioneve opozitare maqedonase, e dyta, programet shkollore të cilat vazhdimisht na përshkruajnë si është më keq e si është më zi, si dje ashtu edhe sot kur minsitrin e arsimit e kemi shqiptar, e treta, mungesa e institutucioneve për mbrojtjen e historisë, të gjuhës, të letërsisë dhe të traditës sonë nuk po zgjidhet, e katërta puna pa plane e programe për mbrojtjen e interesave tona kombëtare e faktorit politik shqiptar dhe dëgjueshmëria e paparë e tyre ndaj partnerëve qeveritarë dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare vazhdon.

Nuk do mend se detyra e faktorit politik shqiptar është që të gjejë mekanizma të cilat do t’i detyrojnë institucionet e shtetit dhe mediat ta heqin nga mendësia e tyre urrejtjen. Ta harrojnë antishqiptarizmin. Kjo është puna e politikanëve shqiptarë, e askujt tjetër. Për këtë arsye ata e marrin votën tonë. Për këtë duhet të kenë plane e programe pune. Për këtë punë paguhen më mirë se të gjithë ne.

Jo, për bajrak bajraktarizmi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button