Qeveria e nisi fushatën e referendumit në shqip me gabime drejtshkrimore, thotë se kanë konsultuar fjalor

Qeveria e Maqedonisë, në rrjete sociale ka nisur fushatën për referendumin e emrit Maqedonia e Veriut, por në fotografitë që ka shpërndarë, përveç gjuhës maqedonase, fjalimet e kryeministrit Zoran Zaev janë edhe në gjuhën shqipe, por me gabime drejtshkrimore, njofton Portalb.mk.

Rasti është me fjalën “vllahë”, që nga Qeveria e Maqedonisë është përdorur “vllehë”. Ata për këtë thonë se kanë kontrolluar fjalorin e gjuhës shqipe.

“Sërish, ajo çfarë është shkruar në faqen tonë e kemi kontrolluar, dhe në përputhshmëri me fjalorin e gjuhës shqipe, fjala “vllehë” është e saktë. Sa i takon fotografive të cilat në gjuhën shqipe në disa raste janë ndryshe, ato jo gjithnjë duhet të jenë të njëjta, derisa teksti në përshkrim është i njëjtë”, thanë për Portalb.mk, nga Qeveria e Maqedonisë.

Megjithëse nga Qeveria e Maqedonisë thonë se fjala “vllehë” është përdorur saktë, sipas profesorit universitar, Arbër Çeliku, fjala “vlleh” është i së folmes së përditshme, e jo variant i normës drejtshkrimore.

Arbër Çeliku
Arbër Çeliku

“Norma drejtshkrimore e përcakton qartë. Nëse hymë në fjalorin drejtshkrimor të shqipes, e shohim. Vlleh është variant i së folmes së përditshme, jo variant i normës drejtshkrimore. Njerëzit thjesht nisen nga dukuria e metafonisë: plak-pleq, natë-net, djalë-djem, por në këtë rast nuk kemi metafoni, që nënkupton kalimi i a-së në e shumës. Vllah është njëjësi, kurse vllahët shumës, jo vllehët. Edhe gjuha është vllahishte, jo vllehe, as vendi nuk është Vllehi, por Vllahi”, sqaroi për Portalb.mk, Çeliku.

Në pah del se përkthimet janë bërë nga të punësuarit e Sektorit për komunikim me publikun.

“Përkthimet janë bërë nga ana e të punësuarve në Sektorin për komunikim me publikun në Qeverinë e Maqedonisë”, sqaruan nga Qeveria e Maqedonisë.

Problemi me gabimet drejtshkrimore thellohet më shumë, pasi që në Maqedoni nuk ka as Këshill për Licencim të Lektorëve të Gjuhës Shqipe. Deri sa ligji i gjuhëve ishte në debat publik, profesoresha universitare Ajtene Qamili kërkoi që të formohet një i tillë, për siç tha ajo, të mos kemi gabime drejtshkrimore edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të gjuhës shqipe. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka nisur.

“Në Maqedoni nuk ka Këshill për licencim të lektorëve të gjuhës shqipe, propozoj që në kuadër të formimit të Agjencisë dhe Inspektoratit për zbatim të ligjit të gjuhëve të parashihet edhe formim i Këshillit të Licencimit të Lektorëve të Gjuhës Shqipe”, tha Qamili më 25 janar 2018.

Gjuha maqedonase është juridikisht e mbrojtur. Madje me Ligjin për mbrojtjen e gjuhës maqedonase parashihet gjobë deri në 200 mijë den. (rreth 3, 300 euro) për personat juridikë që publikojnë dokumente të shkruara të pa-lekturuara.

Në Maqedoni edhe më parë ka pasur incitivë për formimin e një këshilli për dhënie të licencave për lektorë të gjuhës shqipe të cilat dështuan për shkak se gjuha shqipe nuk specifikohej me Kushtetutë si gjuhë zyrtare dhe nuk mbrohej me ligj. Megjithëse në tekstet shkollore në gjuhën shqipe, si edhe mbishkrimet e ndryshme nëpër institucione e rrugë kemi parë gabime të shumta të cilat mes tjerash, ishin rezultat i mungesës së lektorëve të licencuar, edhe pse partitë politike gjatë fushatave zgjedhore tyre premtuan se do të ketë ndryshme në kushtetutë sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe dhe më pas do krijohej mundësia për formimin e një komisioni për dhënie të licencave për lektorë të gjuhës shqipe, sërish një gjë e tillë nuk është paraparë as me ligjin e ri të gjuhëve.

Ndërkaq dy vite më parë Ministri i atëhershëm i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, pat vizituar Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni ku u takua me drejtorin Skender Asani, ku u bisedua për kërkesën e Institutit për licencimin e lektorëve të gjuhës shqipe, por sërish asgjë as nga kjo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button