“Eco Guerilla” thotë se janë kërcënuar, Skenderovski: deklaratat janë marrëzira (VIDEO)

Shoqata ekologjike “Eco Guerilla” sot ka shprehur dyshime se fabrika “Jugohrom”, që në opinion njihet si ndotësi i rajonit të Pollogut, do të nis të punojë pa filtra, dhe ka bërë të ditur se ndaj tyre janë adresuar edhe kërcënime me jetë dhe u është ofruar shumë e majme parash, vetëm që të mos reagojnë për rastin “Jugohrom”, transmeton Portalb.mk. Këto deklarata drejtori i “Jugohromit”, Vasko Skenderovski i vlerësoi si “marrëzira dhe të pabaza”.

“Ditëve të fundit persona të ndryshëm, kanë përcjellë porosinë bashkë me oferta financiare që Eco Guerilla të heshtë dhe mos të reagojë për Jugohromin. Për këtë është njoftuar edhe policia, dhe sot kemi kërkuar takim edhe me kryeministrin Zoran Zaev, që ta njoftojmë për këto kërcënime dhe shantazhe. Këtë denoncim do ta bëjmë edhe te ambasadat dhe organizatat që na kanë përkrahur në misionin tonë për një ambient më të pastër, si dhe në institucionet e Bashkimit Evropian në Bruksel”, tha Xhaferi.

Sipas tij  ata kanë pasur sfida edhe më të mëdha, dhe nuk kanë lëshuar pe, dhe s’do lëshojnë as tash, pasi që sipas tyre, ata kanë vullnetin dhe përkrahjen masive të popullatës.

“Prandaj lojërat e pista me tendenca mafioze, nuk do të na ndalin, por na motivojnë mos zmbrapsemi nga misioni ynë. Reagimi qytetar do të jetë i shumë i ashpër ndaj çdo shantazhi, qoftë nga Jugohromi apo edhe nga qarqe të larta brenda Qeverisë”, thanë më tej në reagimin e tyre.

Nga ana tjetër, i kontaktuar nga Portalb.mk, drejtori Vasko Skenderovski dha garancë se “Jugohrom” nuk do të hapet pa vendosjen e filtrave, e ndërkaq deklaratat e “Eco Guerillës” i cilësia si marrëzira dhe të pabaza.

“Nuk mund të komentojmë marrëzira të tilla. Nëse dikush ka kërcënuar dikë, le ta paraqet në organet e rendit. Nuk mund të komentojmë deklarata të pabaza. Unë për momentin jam duke punuar për vendosjen e filtrave, dhe nuk kam kohë të merrem me gjëra të tilla”, ka thënë Skenderovski.

Siç tha pjesëtari tjetër i “Eco Guerillas”, Ngadhnjim Mehmeti, fakti që as gazetarët nuk lejohen të hynë në hapësirat e kësaj fabrike, rrit dyshimet, se vendosja e filtrave duke mos qenë transparente, nuk është cilësore.

Problemi me vendosjen e filtrave në fabrikën “Jugohrom” u diskutua edhe në seancën plenare me pyetje depuetësh. Zëvendëkryeministri për Çështje Evropiane, Koço Angjushev, deklaroi se “Jugohrom” nuk do të hapet pa vendosjen e filtrave.

Vendosja e filtrave në fabrikën “Jugohrom” në vazhdimësi ka hasur në kritika nga shoqata ekologjike “Eco Guerilla”.

Ndërtimi i filtrave të ndotësit Jugohrom, çfarë fshihet pas fabrikës e cila nuk garanton transparencë?!

Ndryshe, problemi me ndërmarrjen Jugohrom erdhi pasi që kjo fabrikë nuk ka punuar me standarde ekologjike e cila solli deri te ndotja enorme e ajrit në rajonin e Pollogut. Ndotja e ajrit Tetovën e radhiti ndër qytetet evropiane me ndotjen më të madhe të ajrit. Protestat e sektorit civil nuk ishin të pakta, si pasojë e kësaj, Qeveria VMRO-BDI në atë kohë i caktoi afat kohor për vendosjen e filtrave deri më 1 nëntor, si vonesë të kësaj, Jugohromi do të mbyllej.

Jugohrom nuk arriti të respektojë afatin kohor, Qeveria nuk iu zgjati afatin kohor dhe në mesin e nëntorit të 2016-s u mbyll.
Pas mbylljes, rreth 900 punëtor mbetën pa punë, të cilët të organizuar në sindikatë punëtorësh, vazhdimisht kanë protestuar për humbjen e vendit të punës. 
Pas mbylljes së Jugohromit, ish-ministri i Ekologjisë, Bashkim Ameti publikoi raportin e gjendjes së ajrit, raport ky që vërtetoi se Jugohrom ka qenë një ndër ndotësit më të mëdhenj të rajonit të Pollogut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button