Me helikopter e bashkëpunëtorë të armatosur, arratiset nga burgu hajduti

Një gangster famëkeq ia mbathi me helikopter nga një burg në afërsi të Parisit. Redoine Faid u arratis pasi tre bashkëpunëtorë të tij të armatosur rëndë u ulën me helikopter në oborrin e burgut dhe e morën me vete.

 46-vjeçari Faid po shlyente një dënim me 25 vjet burg për një grabitje me armë gjatë së cilës u vra një polic. Kjo është hera e dytë që Faid arratiset nga burgu. Në vitin 2013, Faid ia mbathi pasi mori 4 roje peng dhe i përdori ata si mburoja njerëzore. Arratinë e parë ai e bëri vetëm gjysmë ore pasi ishte burgosur, njofton TCH.Faid është i njohur në Francë jo vetëm për krimet e tij, por edhe për shfaqjet e shpeshta në televizione. Në vitin 2009, ai shkroi një libër për përvojat e tij, ndërsa rritej në një rrethinë të Parisit mes krimeve dhe shndërrimin e tij në një kriminel.

Ai pretendonte se i kishte dhënë fund kësaj jete, por një vit më vonë mori pjesë në grabitjen që i kushtoi sërish lirinë. Mediat franceze raportojnë se në arratinë e fundit, askush nuk mbeti i lënduar dhe operacioni u bë mjaft i lehtë, pasi oborri i burgut nuk ishte mbuluar me rrjetë, si është bërë praktikë në shumë burgje evropiane, pas disa arratish të famshme me helikopter, mes të cilave edhe ajo e Alket Rizait në Greqi.

Helikopteri u largua me shpejtësi dhe u gjet nga policia i djegur. Tashmë ka nisur një operacion masiv për të rigjetur gangsterin famëkeq Redoine Faid.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button