Maqedoni, pozita apel për konstruktivitet në rrugën eurointegruese, opozita ankohet se po kapitullon shteti

Porosi për unitet dhe përgjegjësi për eurointegrimet e Maqedonisë, për të cilat sipas Brukselit, tashmë është e qartë rruga, apele nga pushteti për kontribut dhe mbështetje nga të gjithë aktorët politikë, akuza nga opozita se marrëveshja për emrin është akt kapitullues, e pasqyrojnë atmosferën pas vendimit të para pak kohëve të Bashkimit Evropian për datën për fillim të bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë, shkruan agjencia e lajmeve MIA.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani dje kërkoi nga presidenti Gjorge Ivanov që të jetë konstruktiv dhe të përfshihet në procesin për të ardhmen evropiane të Maqedonisë dhe e ftoi opozitën, siç tha, të thotë se në cilën anë është në këto momente historike.

“Përcaktimi strategjik i partive opozitare është edhe anëtarësimi në NATO dhe BE. Vullneti konsensual i qytetarëve, përfshirë elektoratin e opozitës, është anëtarësimi në BE dhe NATO dhe prandaj është koha që opozita të zgjidhë të gjitha dilemat që ka në drejtim të orientimit dhe publikisht të komunikojë publikun. Ne jemi të hapur për politikat publike dhe të përbashkëta kur bëhet fjalë për këto përcaktime strategjike të qytetarëve”, tha Osmani, duke shprehur optimizëm që referendumi dhe ndryshimet kushtetuese të përfundojnë deri në fund të vitit.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickoski, iu përgjigj se VMRO-DPMNE-ja nuk largohet nga BE dhe nga NATO dhe e mbështet rrugën euroatlantike të Republikës së Maqedonisë, por se nuk mund të pritet që “të qëndrojnë krah për krah” me ata të cilët, siç tha, nënshkruan marrëveshjen kapitulluese me Greqinë.

“Do të përsëris qëndrimin tonë se opozita është duke ecur fort drejt rrugës së integrimit euroatlantik të Republikës së Maqedonisë, por nëse dikush pret që opozita të qëndrojë krah për krah me ata që e kanë nënshkruar këtë kapitullim, është tepër pretenduese, të pritet një gjë e tillë nga opozita”, tha Mickoski.

Njëkohësisht në deklaratë të përbashkët përfaqësuesja e lartë evropiane Federika Mogerini dhe eurokomisari për Zgjerim Johanes Han porositën se javën e kaluar anëtaret e BE-së e kishin konfirmuar arritjen me marrëveshjen ndërmjet Shkupit dhe Athinës dhe se është vendosur rrugë e qartë drejt hapjes së bisedimeve për anëtarësim në qershor të vitit të ardhshëm.

Han dhe Mogerini porositën se të gjitha forcat politike duhet ta ndajnë përgjegjësinë për mbajtjen e dialogut konstruktiv dhe vazhdimin e aspiratave të qytetarëve, veçanërisht përmes reformave në sundimin e së drejtës, shërbimet e sigurisë, administratën publike dhe ekonominë funksionale të tregut.

“Unitet, guxim, përgjegjësi dhe pragmatizëm nga të gjithë do të jenë me rëndësi të madhe. Të gjitha grupet dhe partitë politike, autoritetet lokale dhe shoqëria civile duhet ta ndërmarrin përgjegjësinë për këtë proces dhe së bashku ta përgatisin bazën për bisedime”, theksuan Han dhe Mogerini.

Sipas kryeministrit Zoran Zaev, vendimi i para pak kohëve i BE-së për datën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë dhe Shqipërisë, është “historik”, ndërsa konsolidimi i BE-së do të përfundohet madje kur BE-ja ta pranojë Ballkanin Perëndimor.

“Ne kemi marrë një datë për negociata – qershor 2019. Deri atëherë, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë nga Komisioni Evropian, do të punojmë së bashku për të përmbushur kriteret, përkatësisht zbatimin e fazave të Marrëveshjes me Greqinë dhe finalizimin e reformave. Ne jemi shumë afër qëllimit tonë për arritjen e standardeve të BE-së”, tha Zaev, në intervistë për Dojçe vele në gjuhën maqedonase.

Siç paralajmëroi zëvendëskryeministri Osmani, deri në datën 17 të këtij muaji duhet të dihet ekipi i Maqedonisë i cili do t’i udhëheqë bisedimet me BE-në, pas çka do të fillojë procesi i skriningut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button